Intervista/Sadiona Abazaj:Shqipja, inovacioni digjital dhe pedagogjia finlandeze

Sadiona Abazaj është shembull i përkushtimit dhe inovacionit në arsimin ndërkombëtar. E formuar në Finlandë, ajo udhëheq me vizion, promovon gjuhën shqipe në diasporë dhe përdor teknologjinë për ta bërë mësimin kreativ, gjithëpërfshirës dhe frymëzues për brezat e rinj.

Emri i Sadiona Abazaj sot tingëllon si sinonim i përkushtimit, pasionit dhe inovacionit në arsimin ndërkombëtar. Vetëm shtatë vite më parë, ajo u vendos në Finlandë, një vend i huaj, ku gjuha, kultura dhe shoqëria ishin të panjohura, dhe çdo hap i saj dukej një sfidë e re. Megjithatë, asnjë pengesë nuk e ndali që ëndrra e saj të bëhej realitet: të mos ishte thjesht një mësuese, por një udhëheqëse dhe frymëzuese për brezat e rinj.


Për të mësimdhënia nuk është thjesht një profesion. Ajo ka një vizion të qartë për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe jashtë Shqipërisë, duke e parë teknologjinë si një aleat të fuqishëm. Përdorimi i platformave digjitale interaktive, lojërave edukative dhe kuizeve online i mundëson nxënësve shqiptarë në diasporë të praktikojnë gjuhën amtare në mënyrë kreative dhe të angazhuar, duke bashkuar mësimdhënien tradicionale me inovacionin dhe risitë teknologjike.


Sot, ajo drejton një institucion arsimor ndërkombëtar dhe udhëheq një ekip të përkushtuar mësuesish, duke aplikuar metoda moderne pedagogjike dhe një qasje të thellë ndërkulturore. Çdo hap i saj, çdo vendim dhe çdo sfidë e ka afruar më shumë tek vizioni i saj: që të vendosë nxënësin në qendër të procesit mësimor dhe t’i ndihmojë të zhvillojnë mendimin kritik dhe kreativ, duke i bërë ata pjesë të një mjedisi arsimor ku çdo talent dhe ide ka vlerë.


Në këtë intervistë, Sadiona na rrëfen për eksperiencat që e formuan, ndikimin e modelit arsimor finlandez, dhe se si pasioni për mësimdhënien dhe përkushtimi i lindur që fëmijë e kanë çuar në një karrierë ndërkombëtare frymëzuese.


Nga Yllka Lezo

Znj. Abazaj, ju keni një eksperiencë të pasur në arsimin ndërkombëtar dhe publik. Por dua ta nis me pyetjen e thjeshtë: Çfarë ju motivoi fillimisht të zgjidhnit rrugën e mësimdhënies?


Që në moshë të vogël kam ndjerë një pasion të veçantë për gjuhën dhe komunikimin me njerëzit dhe jam aktivizuar në shumë aktivitete. Është e rëndësishme (dhe e bukur) të përmend se mbaj mend se si fëmijë shpesh merrja shkumësa pa leje nga shkolla dhe, në shtëpi, përdorja sobën e zezë me gaz, ku shkruaja, dhe kukullat ishin nxënëset e mia. Këto lojëra të vogla kur i kujtoj tani mendoj se më mësuan se mësimdhënia nuk është vetëm një profesion, por diçka që lind nga brendësia dhe dëshira për të ndarë diçka me të tjerët.


Kanë pasur patjetër ndikim thelbësor edhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare dhe gjimnazit si: Shpresa Stefi, Eglantina Veria, Bukurie Abazaj, Viktor Bushi e shumë të tjerë. Ata më treguan me shembull se çfarë do të thotë përkushtim dhe dashuri për punën e mësuesit. Ishin modele që përpiqem t’i ndjek e t’u transmetoj edhe nxënësve të mi sot.

Jo vetëm një, por tre diploma Master!. Si ndihmuan ato në ndërtimin e profilit tuaj profesional?


Është e vërtetë që kam tre diploma Master dhe secila prej tyre ka luajtur një rol të veçantë në formimin tim si mësuese dhe drejtuese. Masteri në Mësimdhënie të Gjuhës Angleze më ka dhënë bazën metodologjike dhe pedagogjike për të ndërtuar orë mësimi efektive e kreative. Masteri në Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik mendoj se më ka ndihmuar të thelloj aftësitë e mia në përdorimin e gjuhës dhe të zhvilloj një qasje më të gjerë mbi ndërkulturalitetin dhe ndërveprimin, elemente thelbësore në arsimin ndërkombëtar. Ndërsa Masteri në Menaxhim të Institucioneve Arsimore më ka pajisur me aftësitë e nevojshme për të udhëhequr një institucion arsimor, për të marrë vendime strategjike dhe për të ndërtuar një mjedis ku mësuesit, nxënësit dhe prindërit ndihen të përfshirë e të respektuar.

Pra, këto tre formime nuk janë thjesht tituj akademikë, por pjesë e një mozaiku që më ka ndihmuar të ndërtoj një profil profesional të plotë.

Cili ka qenë momenti më i rëndësishëm në karrierën tuaj si mësuese dhe si drejtuese shkolle?


Ka pasur shumë momente, por një ndër më të rëndësishmit ka qenë emërimi si drejtuese e shkollës ndërkombëtare ‘Norden International School of Helsinki’ në Finland. Ishte një sfidë e madhe profesionale dhe personale, por që deri tani mendoj se ja kam dal me sukses dhe gjatë rrugës kam mësuar shumë.


Ju u zhvendosët në Finlandë në vitin 2018. Si ishte përvoja juaj e parë me sistemin arsimor finlandez?


Po, në vitin 2018 u zhvendosa në Finlandë me të drejtë studimi, ku ndoqa një program post-master në pedagogji në Universitetin Haaga-Helia në Helsinki. Ai program më pas më hapi edhe dyert në institucionet Finlandeze. Përvoja me sistemin arsimor finlandez ishte mbresëlënëse, sepse aty u ballafaqova me një metodikë tërësisht ndryshe nga ajo me të cilën isha mësuar më parë. Studentët nuk detyroheshin të mësonin përmendësh teori të gjata, por punonin vetëm me projekte praktike, duke i zbatuar njohuritë në situata konkrete. Kjo qasje më mësoi se si të vendos nxënësin në qendër të procesit mësimor dhe se si të zhvilloj të menduarin kritik e krijues. Ishte një përvojë e mrekullueshme, e cila më transformoi profesionalisht.


Në perceptimin tuaj cilat janë elementët që e bëjnë modelin finlandez të arsimit kaq të suksesshëm?


Unë mendoj se suksesi i modelit finlandez qëndron në disa elementë. Së pari, sistemi është i bazuar mbi barazinë dhe përfshirjen ku çdo fëmijë, pavarësisht prejardhjes apo nivelit akademik, ka të njëjtat mundësi për të marrë arsim cilësor. Së dyti, mësuesit gëzojnë një status shumë të lartë në shoqëri dhe përzgjidhen me kritere shumë të forta akademike, çka garanton profesionalizëm dhe përkushtim të madh, ku besimi tek puna e tyre është i padiskutueshëm si nga ana e prindërve por edhe shoqërisë në tërësi. Një tjetër element është fleksibiliteti i kurrikulës: nuk ka ngarkesë të tepruar me lëndë apo detyra, por ka hapësirë për kreativitet, projekte dhe zhvillim të mendimit kritik. Ka edhe shumë elementë të tjerë si burimet, infrastruktura, mundësitë e vazhdueshme për zhvillim profesional që e bëjnë atë sistem për tu marr shembull.


Si ka ndikuar ky model në mënyrën se si ju udhëhiqni “Norden International School of Helsinki”?


Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje dhe besoj ka ndikuar tek mënyra sesi unë kam udhëhequr dhe vazhdoj ta bëj dhe sot, është besimi i madh që prindërit kanë tek institucioni i shkollës: Ky lloj besimi krijon një mjedis pune ku mbizotëron bashkëpunimi dhe qetësia dhe kjo ka ndikuar shumë në punën time. Gjithashtu, liria që kurrikula i jep institucioneve për ta përshtatur mësimdhënien sipas nevojave të nxënësve e bën punën shumë më frytdhënëse. Kur mësuesi nuk është i kufizuar nga struktura të ngurta, ai ka mundësinë të përdorë kreativitetin dhe të fokusohet tek e veçanta e çdo nxënësi.


Mendoj se është me rëndësi të përmend se më është dashur të përshtatem me një realitet të ndryshëm nga ai që njihja. Sistemi Finlandez nuk e lejon që drejtuesi të hyj në klasë për të kontrolluar mësuesit sesi zhvillojnë mësimin, sepse fakti që unë mbaj një post drejtues nuk më bën automatikisht më të aftë se mësuesi në klasë. Po ashtu, praktika si kontrolli i planeve ditore nuk ekziston, sepse ditari nuk kontrollohet kurrë dhe mësuesit nuk u kërkohet ta paraqesin askund. Ky nivel besimi dhe autonomie e vë mësuesin në qendër si profesionist dhe e bën procesin arsimor shumë më efikas dhe të sinqertë dhe rolin tim si drejtuese patjetër me te lehtë.

Duke qenë një mësuese dhe drejtuese që vjen nga një vend me një gjuhë dhe kulturë të veçantë si Shqipëria, si e shihni rolin e gjuhës amtare në ruajtjen e identitetit të fëmijëve të diasporës?


Në diasporë shpesh ndodh që fëmijët të përfshihen shpejt në gjuhën e vendit ku jetojnë, çka është e natyrshme dhe e domosdoshme për integrimin e tyre. Por, nëse gjuha amtare lihet pas dore, humbet një pjesë e rëndësishme e identitetit. Për këtë arsye, unë e shoh si detyrim moral dhe kulturor mbështetjen e mësimdhënies së shqipes për fëmijët shqiptarë jashtë vendit, qoftë përmes shkollave, kurseve apo edhe iniciativave familjare.


Cilat janë sfidat kryesore që hasin prindërit shqiptarë në Finlandë për t’i mësuar fëmijët gjuhën shqipe?


Në Finlandë, gjuha amtare është pjesë e kurrikulës kombëtare dhe çdo fëmijë ka të drejtë ta ndjekë atë në shkollat publike, me mësim të organizuar nga institucionet arsimore rreth dy orë në javë. Sfida kryesore, megjithatë, që hasin prindërit shqiptarë  lidhet me distancën gjeografike, pasi ndodh që shkolla ku organizohet mësimi i gjuhës amtare të jetë larg adresës së banimit të fëmijës ose shkollës aktuale të fëmijës. Kjo e bën më të vështirë pjesëmarrjen e rregullt dhe kërkon angazhim të madh nga familjet.

Se dyti, mungesa e ekspozimit të mjaftueshëm është një problem i madh, ku fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të ditës në shkollë, në një mjedis ku flitet vetëm finlandisht ose anglisht, dhe shqipja shpesh kufizohet vetëm brenda mureve të shtëpisë.

Në kumtesën tuaj në seminarin mbarëkombëtar folët për fuqizimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë përmes platformave digjitale. Pse zgjodhët pikërisht këtë temë?


Motivimi im për të zgjedhur këtë temë ishte dëshira për të ofruar mjete praktike dhe moderne që ndihmojnë mësimdhënien e shqipes jashtë Shqipërisë. Në diasporë, fëmijët shpesh nuk kanë mundësi të jenë të ekspozuar vazhdimisht ndaj gjuhës amtare, prandaj përdorimi i platformave digjitale që unë prezantova si Kahoot, Blooket, Wordwall, Quizizz, Padlet, Book Creator dhe Mentimeter mund të bëjë mësimin më tërheqës, interaktiv dhe efektiv dhe rrjedhimisht fëmijët të dashurojnë gjuhën e tyre.


Gjithashtu, kjo temë lidhet ngushtë me përvojën time personale dhe profesionale: duke punuar me nxënës të kombësive të ndryshme dhe shqiptarë jashtë vendit, kam parë sa e rëndësishme është të përdorësh metoda që angazhojnë fëmijët dhe i motivojnë ata të praktikojnë gjuhën në mënyrë kreative, sepse duhet ta pranojmë që duke jetuar në një shtet tjetër, motivimi i tyre nuk është aq i madh. Qëllimi ishte të tregoj se si teknologjia mund të fuqizojë mësuesit dhe të mbajë gjallë lidhjen e këtyre fëmijëve me gjuhën dhe kulturën e tyre, pavarësisht distancës.

Si ndihmojnë platformat digjitale interaktive për ta bërë mësimin e gjuhës amtare më tërheqës për fëmijët shqiptarë në diasporë?


Platformat digjitale interaktive ndihmojnë shumë sepse e shndërrojnë mësimin nga një proces tradicional në një eksperiencë dinamike dhe argëtuese. Kur gjuha mësohet përmes lojërave, kuizeve, krijimeve vizuale apo bashkëpunimit online, fëmijët ndihen më të motivuar dhe e shohin mësimin si pjesë të kohës së tyre të lirë dhe jo si një detyrim shtesë.

Këto platforma lejojnë gjithashtu personalizimin e mësimit sipas moshës, interesave dhe nivelit të fëmijëve. Për shembull, një fëmijë mund të mësojë fjalë të reja përmes një loje me figura, ndërsa një tjetër mund të sfidohet me kuize më të avancuara. Interaktiviteti rrit pjesëmarrjen dhe krijon ndjenjën e bashkëpunimit, edhe kur nxënësit nuk ndodhen fizikisht në të njëjtin vend, në rastet kur mësimi bëhet online.

Në këtë mënyrë, mësimi i shqipes bëhet më i gjallë, më afër realitetit të fëmijëve dhe ndihmon që gjuha amtare të ruhet si pjesë e identitetit të tyre.


Si ndikon përdorimi i platformave digjitale në përfshirjen e prindërve në procesin e të nxënit të fëmijëve?


Përdorimi i platformave digjitale e bën prindin pjesë aktive të mësimit. Ata mund të ndjekin progresin e fëmijës, të angazhohen në ushtrimet dhe lojërat edukative dhe të komunikojnë lehtësisht me mësuesit. Kjo rrit bashkëpunimin midis shtëpisë dhe shkollës dhe e bën mësimin më efektiv.


Cilat janë sfidat më të mëdha për mësuesit shqiptarë të diasporës në integrimin e këtyre mjeteve digjitale në mësimdhënie?


Unë mendoj që sfidat kryesore janë mungesa e materialeve digjitale të gatshme në shqip, përshtatja e përmbajtjes për nivele të ndryshme dhe sfidat teknologjike si mungesa e pajisjeve digjitale në mjediset ku bëhet i mundur mësimi i gjuhës shqipe. Megjithatë, me trajnim dhe burime të përshtatshme, këto mjete bëhen shumë efektive për të motivuar nxënësit dhe për të ruajtur gjuhën amtare.


Si mund të shfrytëzohet modeli finlandez i edukimit digjital për t’u aplikuar në mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit?


Modeli finlandez i edukimit digjital mund të përdoret në mësimin e shqipes jashtë vendit duke e vendosur nxënësin në qendër të mësimdhënies dhe duke përdorur lojëra, kuize dhe projekte interaktive. Liria për të përshtatur përmbajtjen sipas interesave të nxënësve e bën mësimin më tërheqës dhe efektiv, duke ndihmuar ruajtjen e gjuhës amtare dhe zhvillimin e aftësive kreative, dhe fatmirësisht mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë e kanë këtë liri.


Në mendimin tuaj, a mund të krijohet një platformë unike kombëtare për mësimin e shqipes në diasporë, apo është më efektive që çdo mësues/shkollë të zgjedhë mjetet që i përshtaten më mirë?


Po, mendoj se mund të krijohet një platformë unike kombëtare për mësimin e shqipes në diasporë, sepse shumica e platformave ekzistuese janë në gjuhën angleze. Kjo e bën të vështirë përdorimin e tyre nga prindërit ose mësuesit që nuk e zotërojnë gjuhën, duke kufizuar ndikimin e tyre. Një platformë në shqip do të ishte më e aksesueshme, më e qartë dhe më e lehtë për t’u përdorur nga të gjithë, duke mbështetur më mirë mësimin e gjuhës amtare.


Si e shihni të ardhmen e gjuhës shqipe në diasporë pas 10–20 vitesh, nëse nuk merren masa konkrete sot?


Nëse nuk merren masa konkrete sot, e ardhmja e gjuhës shqipe në diasporë pas 10–20 vitesh mund të jetë e pasigurt. Fëmijët që lindin dhe rriten jashtë vendit mund të humbasin lidhjen me gjuhën amtare, duke e zëvendësuar gradualisht me gjuhën e vendit ku jetojnë. Pa mbështetje sistematike, si mësimi i shqipes në shkolla, kurse, platforma digjitale dhe angazhimi i prindërve, kjo gjuhë mund të dobësohet dhe të shfaqet vetëm në nivel familjar, duke rrezikuar ruajtjen e identitetit kulturor në diasporë. Por nga ana tjetër shikoj një angazhim shumë të madh nga mësues të diasporës deri tani dhe jam shumë krenare për punën e tyre, ku shumica janë në këtë mision në mënyrë komplet vullnetare.


Çfarë do ti këshillonit mësuesve të rinj shqiptarë që synojnë të japin mësim jashtë vendit?


Do t’i këshilloja të jenë të hapur ndaj kulturave dhe metodave të reja, por njëkohësisht të mos humbin kurrë lidhjen me gjuhën dhe identitetin e tyre. Duhet të jenë të gatshëm të mësojnë vazhdimisht, të përshtatin mënyrën e mësimdhënies sipas kontekstit ku ndodhen dhe të shohin çdo sfidë si mundësi për rritje. Mbi të gjitha, të mos harrojnë se të qenit mësues nuk është thjesht profesion, por mision që prek jetën e brezave të rinj.


Dhe në fund, cila është motoja juaj personale si mësuese dhe si drejtuese shkolle?


Motoja ime është: “Mësuesit më të mirë nuk ndalojnë kurrë së mësuari” ose si edhe thuhet ne anglisht “Best teachers never stop learning”, sepse vetëm duke mësuar vazhdimisht mund të frymëzojmë, të përditësohemi profesionalisht, udhëheqim dhe t’i ndihmojmë brezat e rinj të arrijnë potencialin e tyre.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

230 Lexime
1 ditë më parë