"Jeta ime, bota ime, shekulli im"- ese nga maturantja Desina Bardhi
Kjo ese është vlerësuar si më e mira në një konkurs të zhvilluar mes disa maturantëve për të fituar bursë të plotë studimesh, në një nga universitetet private në Shqipëri. Ajo është shkruar nga nxënësja e vitit të tretë Desina Bardhi, gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi”, Elbasan.
Në ditët e sotme progresi njërëzor ka arritur majat, por nuk është ngjitur ende në kulmin e piedestalit të egos njerëzore. Në një botë të veshur fund e krye nga globalizmi, inovacioni e ndërveprimi simbiotik individi i cili është qytetar i botës, shenjues i dekadave e shekullit në të cilin jeton, e ka të vështirë të plotësojë mozaikun e botës së tij e të lërë t’i shpërthejnë aftësitë më sublime që ka. Ç’domethënie ka për këtë individin e sotëm “jeta ime, bota ime, shekulli im”?
“Jeta ime” togfjalëshi që na ka ngacmuar shqisën e dëgjimit shpesh në biseda, libra e fragmente të ndryshme, por të cilit asnjëherë nuk i kemi kushtuar aq rëndësi sa për ta vrojtuar me syrin analitik nisur nga vetvetja. Jeta ime është kalvari i ditëve të secilit prej nesh, është tabloja e pikturuar me çdo mjet të mundshëm prej qenies narciste e brilante të quajtur njeri të cilën natyra thjesht e ka vendosur mbi kanavacën e saj. Por lind pyetja : Ç’pikturë është kjo? Është piktura që në sfond ka modernizmin themelin e shoqërisë sonë të ditëve të sotme e për subjekt thellësinë e individit të gjithë aureolën e prirjeve, ndjenjave, mendimeve, ideve të tij të përkthyera në vepra, që janë formëzuar përgjatë gjithë ciklit jetësor. E pse vepra? E tillë është jeta ime, “një vrapim i shpejtë” me ca ecejake dhe ca ndalesa aty-këtu që i përshtaten ashtu siç duhet gjallërisë që bart kjo fjalë.
“Bota ime” është majaja që fermenton gjallesën e jetës, është Olimpi i vendosur në shpirtin e individit ku ngërthehen prirjet e kundërta, pasionet, ndjenjat e bukura, aftësitë, pamundësitë, frikërat, guximi e vullneti. I gjithë ky ajsberg i fundosur në thellësi të oqeanit të brendshëm njerëzor ka në majën e tij, mbi sipërfaqe një tjetër botë, botën jashtë, tërë mjedisin që e rrethon individin e që është i lidhur me konektorë të pazgjidhshëm në brendësinë e tij. Në këtë mjedis kemi çdokënd që duam e që ushqen trupin e ajsbergut të fshehur. E pra “bota ime” është qenia ime e cila jetën e merr nga ajo çka e rrethon. Ajo ka një parregullsi perfekte e një pamje që evolon e ndryshon me epokën gjatë së cilës frymon.
“Shekulli im” është gjurma e individit, është emblema që ngërthen jetën dhe botën e tij. Një hapësirë e tillë kohore është e ndriçuar nga kulmi i jetës së një njeriu, nga maja ku shijon suksesin me të cilin krenohet gjer në frymën e fundit. “Shekulli im” është refreni që përsëritet kur ke arritur fitore në botën tënde e në atë jashtë, kur ke prekur kuptimin e ke ndërtuar ashtu siç duhet jetën tënde. Vetëm kur këto të dyja të bëhen një, atëherë mund të thuash “Shekulli im”, epoka ku pika oqeanit s’do të humbasë lehtë kur të largohet prej tij.
“Jeta ime, Bota ime, Shekulli im” nuk është thjesht një grup fjalësh me peshë, por një slogan, një thirrje që i jepet secilit prej nesh në mënyrë që t’i japë esencën organike të realitetit të tij. Të jetosh, të krijosh, të lësh gjurmë janë sekreti që ushqen progresin e pandalshëm njerëzor nga vetë individi.
Punoi: Desina Bardhi
Gjimnazi “K. Kristoforidhi”, Elbasan
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
I dashur ditar, po të rrëfej ngjarjen më të rëndësishme të kohëve të fundit…
“Shkolla ime”, ese nga nxënësja Besarta Bracaj
Letër falenderimi për mësuesen time