JOGA DHE FËMIJËT

Joga dhe fëmijët, çelësi për arritjen e qëllimeve

Joga u jep fëmijëve mundësinë për të pasur një jetë më të shëndetshme, më të qetë dhe më të lumtur për veten e tyre. Është një eksperiencë unike që lë gjurmë tek individi dhe formëson mënyrën e jetesës dhe të menduarit.

Të gjithë prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre të bëjnë një jetë të shëndetshme. Në ditët e sotme, ku cilësia e ajrit nuk është në nivelet e duhura, ku nuk ka aspak siguri për ushqimet që konsumojmë, të paktën mund të kompensojmë këtë aspekt të jetës duke përvetësuar shprehi të shëndetshme. Një nga këto shprehi është dhe Yoga (joga), -Floriana Hima, psikologe dhe njëherësh instruktore joge, në këtë intervistë për Portalin Shkollor, shpjegon përse fëmijët duhet të praktikojnë joga, si t'i nxitim ata që ta ushtrojnë dhe të përfitojnë prej saj, mosha kur mund të fillojnë të praktikohen, por edhe si të argëtohen përmes ushtrimit të jogës.


Përse duhet të praktikojnë joga fëmijët?

Joga në fakt nuk është thjesht një aktivitet fizik, por është shumë më shumë se aq. Për të rriturit është një udhëtim drejt njohjes më të thellë të vetes dhe sa më shumë ta njohim veten, do të kuptojmë që mund të menaxhojmë në mënyrë konstruktive çdo lloj situate. 


Për fëmijët nuk është kaq e komplikuar, në fakt, por ka një sërë përfitimesh që mund t'i marrin vetëm nga ushtrimi i jogës. 


Cilat janë disa nga përfitimet e jogës te të vegjlit dhe si duhen nxitur ata që të praktikojnë këtë lloj aktiviteti?


Ka shumë elemente që një fëmijë mëson kur ushtron joga. 

Së pari, fëmijët mësojnë të ushtrojnë shprehi të shëndetshme. 


Së dyti, është një aktivitet fizik ideal për fëmijët edhe për ata që nuk e pëlqejnë aktivitetin fizik, pasi joga është shumë e adaptueshme dhe mund të ngjallë interes te çdo fëmijë.  


Së treti, duhet të kuptojmë se joga nuk ka vetëm komponentë fizikë, por edhe ato mendore. Fëmijët e vegjël me kalimin e kohës dhe pothuajse në mënyrë të pandërgjegjshme do të ndiejnë një efekt qetësues dhe relaksues gjithashtu. 


Së katërti, rrit përqendrimin. Sa herë na ka ndodhur që të mos kemi një rrugëzgjidhje për fëmijët që nuk arrijnë të përqendrohen. Digjitalizimi i jetës ka bërë që fëmijët të kenë argëtim shpërqendrues që në fakt vetëm i mësojnë të jenë asocial. Ndërkohë që joga është një aktivitet që bëhet edhe në grup, madje në rastin e fëmijëve yoga mund të kthehet në një argëtim ku fëmijët mësojnë edhe të socializojnë. Nga ana tjetër kur një fëmijë praktikon joga, tenton të përqendrohet në pjesë të ndryshme të trupit për të arritur pozën që i kërkohet. Ky veprim në vetvete rrit përqendrimin dhe zhvillon kapacitetin e trurit për tu fokusuar. Kjo natyrisht do të përmirësojë fushat e tjera të jetës së fëmijës (në shkollë) pa nevojën për presion të jashtëm. Qartësia e mendjes arrihet përmes përqendrimit dhe prandaj, fëmijët mund të përfitojnë intelektualisht nga yjoga. 


Së pesti, mësojnë të marrin frymë. Në një nga klasat e jogës një nga pyetjet e para që u bëj fëmijëve është : “Të ngrejë dorën kush merr frymë”, -reagimet janë habitore dhe fillimisht fëmijët hezitojnë të ngrenë dorën. Ideja është se frymëmarrja e duhur dhe ndërgjegjësimi për fryrmëmarrjen jo vetëm oksigjenon trurin, por ndihmon edhe në menaxhimin e emocioneve të ndryshme që një fëmijë mund të përjetojnë.


Së gjashti, rritja e vetëbesimit. Vetëbesimi është shumë i vështirë për t'u krijuar dhe shumë i lehtë për t'u thyer. Prindërit përpiqen duke e bërë këtë me anë të lavdërimit vazhdimisht të fëmijëve. Në fakt, jo gjithmonë kjo mënyrë funksionon. Është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë ta duan veten e tyre, por duke zhvilluar njëkohësisht edhe mendimin kritik. Mendmi kritik zhvillohet duke qenë në kontakt me veten dhe duke u ndërgjegjësuar për atë që ndodh brenda dhe jashtë individit, si dhe duke njohur më shumë veten. Joga është një mjet ideal për të arritur këtë, jo vetëm te të rriturit.  

Joga mund të ndihmojë fëmijët të jenë më të sigurt dhe të forcojnë vullnetin e tyre. Kur fëmijët mësojnë pozicione të ndryshme dhe gjatë përsosjes së tyre me kalimin e kohës, ata mësojnë se ka merita në përpjekje dhe se këmbëngulja është çelësi për arritjen e qëllimeve. Ne të gjithë duhet të forcojmë vullnetin tonë të brendshëm dhe të mësojmë të luftojmë për atë që duam, edhe nëse dështojmë të shohim se çfarë kemi mësuar nga kjo eksperiencë. Në momentin që mënyra e të menduarit që aplikohet në joga, aplikohet edhe në jetën e përditshme, kemi arritur të marrim maksimumin e një prej disiplinave më të lashta si Joga



Së fundmi, nuk mund të harrojmë përfitimet e përgjithshme shëndetësore afatgjatë që joga mund t'i sjellë fëmijëve. Sistemi i qarkullimit të gjakut stimulohet dhe ndihmon në nxitjen e rrjedhjes së gjakut në zonat e trupit që janë më larg nga zemra. Kjo pastron sistemin dhe nxit qelizat më të shëndetshme. Joga për fëmijët mund të përmirësojë potencialisht (ose të parandalojë krejtësisht) shumë sëmundje. 


Joga në natyrë apo në studio? 


Sigurisht që joga mund të aplikohet edhe në studio edhe në natyrë, secili nga mjediset ka avantazhet e veta. Kombinimi i të dyjave është ideal. 


Cila është mosha e duhur që një fëmijë të nisë praktikimin e jogës?


Mendoj që njëherë që prindërit janë bindur se joga është shumë përfituese për fëmijët, sigurisht duhet menduar se kur është momenti më i përshtatshëm për ta nisur atë. Fëmijët duhet të jenë në gjendje të kuptojnë dhe të jenë të gatshëm të ndjekin disa instruksione. Për shumicën e fëmijëve, një moshë e mirë për t'u futur në joga është rreth moshës 7 vjeç. 


A mund të konsiderohet joga edhe si argëtim, edhe lojë për fëmijët?


Mënyra më e mirë për të filluar jogën për fëmijë është ta bësh atë përmes tematikave të ndryshme.


Përmes teknikave të jogës, a arrijnë fëmijët të zbulojnë gjëra të reja, qoftë edhe te vetja e tyre?


Gjithashtu, gjatë klasës së jogës mund të integrohen elemente që kanë të bëjnë me njohuri të ndryshme si dhe elemente që kanë të bëjnë me njohjen e emocioneve vetjake. Njohja dhe menaxhimi i emocioneve nxit dhe rrit te fëmijët Inteligjencen Emocionale (IE). 

Kur u mësoni fëmijëve inteligjencën emocionale, si t'i njohin ndjenjat, kuptojnë se nga vijnë dhe mësojnë se si të merren me to, u mëson atyre aftësitë më thelbësore për suksesin e tyre në jetë. 

Hulumtimet kanë treguar se të rinjtë me IE të lartë arrijnë rezultate më të larta, e ndjekin shkollën më gjatë dhe bëjnë zgjedhje më të shëndetshme. 

IE është një aftësi që ndoshta është parashikuesi më i madh i jo vetëm suksesit të fëmijëve / njerëzve, por më e rëndësishmja e lumturisë së tyre. 


Joga u jep fëmijëve mundësinë për të pasur një jetë më të shëndetshme, më të qetë dhe më të lumtur për veten e tyre. Është një eksperiencë unike që lë gjurmë tek individi dhe formëson mënyrën e jetesës dhe të menduarit. 


(Floriana Hima, psikologe dhe instruktore joge, për Portalin Shkollor)

6,217 Lexime
5 vjet më parë