Profil

Kaltra Milo dhe nisma e saj më e re

Kaltra Milo është një vajzë që ka mbushur 11 vjeç dhe aktualisht vazhdon klasën e pestë. Ajo ka shumë pasione dhe ka ndërmarrë një nismë shumë të dobishme për të cilën po përpiqet shumë, duke sensibilizuar komunitetin e shkollës ku ajo mëson.

Nisma e re


Kaltra, me dy shoqe të saj të klasës, të cilat ajo i do shumë, Noemin dhe Borën, ka nisur një fushatë në shkollën e saj, duke mbledhur tapat plastike. Ajo na tregon se këto tapa do t’i dorëzojnë në bashki në ndihmë të njerëzve me aftësi ndryshe, për t’ i kthyer tapat në karroca për ta, të cilat do të jepen falas. Kjo nismë e ka lumturuar shumë Kaltrën dhe shoqet e saj. Kaltra në çdo korridor të shkollës ka krijuar një kënd, ku nxënësit hedhin tapat plastike. Ajo ka grumbulluar shumë tapa dhe nxënësit dhe mësuesit janë treguar të gatshëm të bashkëpunojnë. Ajo nuk lodhet çdo ditë duke i mbledhur tapat bashkë në një vend. Pret me padurim të mbledhë sa më shumë tapa, që t’u vijë në ndihmë njerëzve në nevojë.

Dita e Kaltrës


Kaltra është një vajzë e qeshur dhe plot mirësi dhe kjo duket në sytë e saj që shkëlqejnë plot dritë. Ajo shkon shumë mirë me shokët dhe shoqet e klasës. Kaltra përpiqet shumë që në mësime të ketë rezultate të larta edhe pse ndjek disa kurse gjatë javës. Kaltra na tregon se e ka pak të vështirë të përgatitet kur ka kurse, por në fund thotë ajo me punë gjithçka arrihet. 


Pasionet e Kaltrës


Kaltra si çdo vajzë e moshës së saj ka dëshirat dhe ëndrrat e saj.  Ajo është një vajzë energjike dhe plot ide krijuese. Pasionet e saj janë piano, arti, kënga, leximi. Në kohën e lire, Kaltrës i pëlqen shumë të lexojë libra. 

Nisma që ka ndërmarrë Kaltra ka lidhje me pasionin e saj më të madh riciklimin. Riciklimi është motivi i saj. Në shkollë projektet që kanë lidhje me riciklimin, janë të preferuarat e Kaltrës. Ajo i jep shumë rëndësi riciklimit, sepse sipas mendimit të saj riciklimi ndikon në të ardhmen e planetit tonë. 

Kaltra i bie pianos dhe ka marrë pjesë në koncerte. Asaj i pëlqen shumë edhe të këndojë dhe ka marrë pjesë në disa konkurse. Nuk ndalet duke provuar veten dhe aftësitë e saj, duke dhënë më të mirën e vetes. 

E ardhmja


Kaltra dëshiron shumë që kur të rritet të bëhet arkitekte e suksesshme, dhe të ndërtojë banesa për njerëzit në nevojë në Afrikë. Ajo dëshiron shumë që këto shtëpi të jenë miqësore me mjedisin dhe të jenë të ndërtuara me materiale të riciklueshme. 

Suksese Kaltra në nismat e tua të reja!



Shkuar nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,229 Lexime
1 vit më parë