“Kam çfarë t’rrëfej” nga Ermira Ymeraj

Mësuesja dhe pedagogia Ermira Ymeraj vjen me dy rrëfime letrare vërtetë emocionuese me të cilat merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.

Mësuesja dhe pedagogia Ermira Ymeraj vjen me dy rrëfime letrare vërtetë emocionuese me të cilat merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.


N’trastën teme mbushë me shenja përgjatë nji rrugëtimi si mësuese, kam çfarë të rrëfej. N’bindjen teme, kur nisa me dallue e dëshmue te vetja se jam në nji profesion, që lidhë më ka ngushtësisht me jetën e secilit prej atyne, që nji nanë e babë i ka pru në jetë me ba diçka, e peshova fort veten tuj e pyt: “A mundem me e krye këtë detyrë pa lëndu kënd, me dashni për secilin pavarësisht prejardhjes? A jam e aftë profesionalisht me përçu të saktat dije? A jam empatike dhe e njerëzishme për me mbajt mbi vete gjithë shenjat e tyne, që duhet t’i kuptoj, ’i nuhas, t’i peshoj e nse mundem barrët t’ua lehtësoj? A di të kyç fort në shtëpinë teme brengat, hallet e mia dhe atyne të mos ua përçoj? A jam e denjë me dëshmue se jam një shembull i mirë për ta?”.

Mbasi t’veta veten shumë herë, e nisa përballjen duke i thanë vetes: unë mundem, duhet dhe do baj më të mirën teme. Në brendësi e kisha përgatitë veten se nuk asht e lehtë me eduku, me arsimu e me iu pri adoleshentëve. E në hullinë e viteve kam me mujt me tregu se ia dola, po dhe dështova.


Të dyja do t’i rrëfej. 



Ishte viti i 12-të i punës teme, sapo kisha ardhë në shkollën e mesme “Jordan Misja”, në Shkodër, pas 10 viteve përvojë në shkollën e mesme “Sherif Hoxha” të Koplikut, mësuar të jap mësim në një bashkësi homogjene, me prindër arsimdashës dhe nxënës që ende figurën tonë e nderonin, kisha pak frikë nga përballja me nxënës dhe prindër që vinin nga mjedise sociale ekstremisht të ndryshme. Prindërimi dhe mësimdhënia në këto mjedise ndeshen me vështirësi që as mendja s’t’i rrok. 


Ai rrinte në bankën e parë nga dritarja, pranë tryezës time të punës. Në çdo hyrje timen, sytë e mi e ndeshnin shpesh Arsenin. Ishte i bëshëm, me trup ende të pazhvilluar. 14-vjeçarët që na vinin nga klasa e tetë, sidomos djemtë, i dalloja nga mënyra e qëndrimit dhe nga zona që vinin, duke shtuar këtu kompleksitetin e formimit të tyre. Bardhanjorin, hotjanin, dukagjinsin, grudjanin, shtojakun, malësorin e shkodranin i kisha aty para meje, duke i dëshmuar vetes çdo ditë vështirësinë e komunikimit me ta. 

Ndërsa ai, heshtak dhe me sy të zinj që vetëm më shihnin e ndiqnin, më tregonte se duhej ta motivoja, ta nxisja, ta gjallëroja. Ai mbante një bluzë të zezë veshur. Më kishte rënë në sy që vetëm me të tillë ngjyrë vishej, dhe pse në uniformë ne kishim bluzën e bardhë, por ai vazhdonte të mos e vishte dhe të mbante të tijën. 

Muaji i dytë i mësimit, Arseni vazhdonte të mos qeshte. I ngrysur, i mbyllur dhe heshtak në veshjen e tij me bluzën e zezë, më bëri që shpesh ta kisha në vëmendje dhe t’i flisja. “Arsen më thuaj çke, çfarë të mundon?” Përgjigjet e tija të thata: “Asgjë, zysh”, nuk më bindnin, ai po rritej pa figurën atërore, i cili i kishte vdekur dhe kjo më bënte të mendoja se ai kishte diçka që e mundonte. Në takimet me prindër askush nga të shtëpisë së tij nuk vinte. Ai ishte i rregullt me frekuentimin, ndërsa me mësimet pothuajse nuk prekte asnjë libër.

Në një orë mësimi, vendosa t’i bëj nxanësit të shkruajnë përvojat e tyre më të hidhura, shtysën e kisha ta bëja Arsenin të rrëfehej. 


I mblodha fletët, duke veçuar ato të Arsenit, me një shkrim jo të paraqitshëm, me shkronja të formueme n’dridhje dore e zemre, lexova 5 rreshtat që ai më kishte shkru.


“Zysh, të kam pa se je e shqetësume për mu, që më pyt ça kam e pse bluzën e zezë nuk e heq nga trupi. Mue ma kanë vra babën ndër sy, e sytë e mi i kanë pa vrasësit, baba më vdiq ndër dur, sytë e babës u mbyllën prej dorës teme, e s’jam veç 14 vjeç. Nuk kam me e hekë këtë bluzë pa i marrë babës gjakun. Ti je zysh shumë e mirë.”


U trondita, e kjo a pak me thanë, po mbrapa ishin 100 pyetje që vetes ia baja: “Çfarë mund t’baj për të? Si, si ta ndihmoj? Si ta bëj që t’ia largoj këtë mendësi?”. Arseni me sy të zinj e të butë, nuk mund të bëhej vrasës. 


Në shumë biseda që më lejonin veprat që kisha me analizu në vitin e parë, nxirrja në pah nga një mësim për Arsenin. Ai ishte i zoti i shtëpisë tani, në kambë të atit, që veç më dëgjonte, pa më dhënë të kuptoja se po ndikoja tek ai. Çdo nadje që hyja në klasë, shikimin ma t’parë e drejtoja nga Arseni, kur e shihja se ai ishte, gëzohesha se dhe sot do mundesha diçka me i thanë. Ishim në muajin e pestë, në orën e tretë kisha mësim me Arsenin, hyra në klasë në mëngjes dhe sytë i hodha nga ai, ishte i ulur me sy pritës, m’u drejtua dhe më tha: “A mund të flasim pak bashkë, zyshë?”.


U gëzova, ishte hera e parë që ai më kërkonte. “Po, patjetër, eja zysh”. Dolëm të dy në korridorin e zhurmshëm, u veçuam pak dhe tek sytë që ia shihja nga afër, i thashë: “Po, Arsen, më thuaj çfarë ke?” - “Sot due me ikë ma herët, zysh, ashtu e kam nji punë. Po s’dojsha me ikë pa t’marrë leje dhe pa të thanë, unë nuk munem me ardhë ma n’shkollë. Më duhet me punu me majtë familjen.” U gjenda keq, fjalët m’u lidhën për grykë, po më dhimbte gjoksi. Unë s’kisha ba asgja për këtë fëmi, isha e pazonja me i kriju mundësi që të vazhdonte arsimimin. “Arsen, mos e lër shkollën, do të kërkojmë ndihmë, ti je veç 14 vjeç, ke nevojë të rrish me moshën tënde!”. Më ndërpreu: “Zysh, Zoti ka mendu diçka tjetër për mu, unë s’mund të rri pa i marrë hakun babës. Po a e din çka? Kam me të kujtu, për Zotën kam me të kujtu, e dije se veç për me t’ni ty vijsha n’shkollë”. Lotët ma dobësuen të folurën, dhe veç e përqafova, duke i uru që Zoti ta kishte nën kujdes. Veç më pa e tuj ikë për nga dera e jashtme e shkollës, m’tha: “Falimners, zysh, mirupafshim!”.


Unë vazhdoj e jap mësim, sot pa Arsenin në klasë, fatin e të cilit e ndoqa përmes rrëfimeve të shokëve, që më lajmërun se Arseni ia kishte marrë hakun babës e ishte largu jashtë në emigrim. Ai, sot, shpresoj të jetë diku, e kudo që të jetë, i them: “Më fal që dështova me ty, bir, dhe s’munda të të bëj më të mirën”. 


* * *


E me këtë dështim vazhdova mësimdhënien për të marrë në strajcën teme dhe momente të mira. Viti 2016, hyra në klasën e 10b. Në bankën e tretë sytë e nji vajze të ndrojtun, ma shumë e trembun, që rrinte kruspull, po më shihnin e ma mirë po them po më përpinin të tanen. Më bani përshtypje dhe më dha ndjesi të forta me ia ngulë dhe unë sytë, në nji rrokje të disaminutshme. Anja ishte përherë nxënësja që më ngulte sytë gjatë. Pyeta për të, kishte prindërit e divorcuar dhe jetonte me të atin e njerkën. Drejtoresha më lajmëroi se kishte një baba të vështirë, shumë imponues dhe kontrollues, i cili vinte e merrte me biçikletë, sapo binte ora 12 e 30, pavarësisht orës së fundit, ai e lypte vajzën për me e marrë me vete. 


Anja ishte shumë e dobët, eshtrat mundohej t’i mbulonte me të njëjtën xhaketë xhinsi që s’e hiqte nga trupi. Ajo kishte të njëjtën xhakavento për gjithë dimrin. Ishte moshatare me vajzat e mia. Të lidhesha emocionalisht me nxënëset dhe fatet e tyre ishte për mua çdo vit më se e zakonshme. Kjo shkollë hadhemadhe na përgatiti me përvoja të rënda. Nga 500 nxënës, 170 ishin jetimë pa një prindër, 80 nxënës ishin me prindër të divorcuar, shumë të tjerë jetonin me prindër në emigrim, dikush jetonte veç me gjyshërit, dikush edhe vetëm me vëllezërit, si fëmija më i madh e shumë pak mbetej të ishin shembull të familjeve të rregullta. Për të tillë fëmijë unë kisha ngritur klubin e leximit e të recitimit. Gjithë ato që mundësi nuk kishin me lexu libra, unë i mblidhja në sallën e leximit në katin e parë dhe u lexoja librin, nganjëherë shihnin film, i çoja në teatër, i nxirrja për kafe, dhe më shumë i nxisja të diskutonin. E shihja se mundja që veç për pak çaste t’ua hiqja mendjen nga ditshmëria e tyre plot halle. 


Një ditë, aktorët nga teatri “Migjeni” kishin menduar që me shkollat e mesme të zhvillonin konkursin e fjalës artistike, ku nxënësit bashkë me aktorët dhe mësuesin do të recitonin vargje të poetëve në një aktivitet. Oh, sa iu gëzova këtij çasti, nxënësit e mi do të recitonin në teatër, në atë tempull ku kishin aktru emrat ma frymëzues të artit shkodran. Bashkë me aktorët hymë në klasa dhe do të dëgjonim nxënësit tek lexonin dhe do të përzgjidhnim ato me të cilët do të vazhdonim aktivitetin. Anjan e zgjodha vetë. “Zyshë, ti ke za të mrekullueshëm, - i thashë, - eja e ban prova.” Në pamundësi me më kundërshtu, vjen me sy që i shndrisnin. Ajo vajzë e donte shkollën, e donte nxënien. Recitoi Mjedën dhe unë lotova. Oh, sa i ambël ishte zani i saj, këtë e pohuan dhe aktorët e teatrit. Më mori mënjanë e me ndrojtje më tha: “S’ka me m’lanë baba, zysh”. - “Ça ke ti, - i them unë, - do t’ia kërkoj sa të vijnë me të marrë. Do t’i them se du me të aktivizu në këtë aktivitet.” Nuk bëzani dhe pse brenda ajo e njihte babën e vet. “Zysh, jam ba vonë, i tesh vjen baba.” - “Ja shkojmë e takojmë bashkë”, i thashë. Nuk e kisha mbaruar ende fjalën, kur në korridor dëgjohet zhurma e poterja që baba i Anjës po bante. Roja i shkollës po mundohej ta ndalonte, ndërsa ai kishte mujtë me u ngjitë në kat të dytë dhe bërtiste, duke shqiptuar emrin tim se kush jam unë që i mbaja fëmijën pa lejen e tij. Hyri duke shkelmuar derën dhe menjëherë para meje shoh Anjën që hap duart, më mbron mua, dhe i thotë të atit: “Më rrah mu, mos e prek zyshën!”. U pataksa nga kjo ndërhyrje, dhe u përpoqa bashkë me aktorët e teatrit ta qetësonim babanë e indinjuar dhe të pirë, por nuk mundëm. Ai e kapi nga flokët të bijën dhe i dha urdhër të ulej e duke sharë, iku dhe vetë. E pashë të largohej duke u dridhur, ndërsa ende nuk e besoja se isha dëshmitare e një skene të tillë. Tronditja më ndejti për shumë. 


Të nesërmen hyra në klasën e Anjës, ajo mungonte, dhe vazhdoi të mungonte dhe një javë. Pas një jave e nxirë dhe më e dobësuar, hyri në klasë. Më kërkoi dhe ndejtëm të dyja gjatë. Mësova trishtimin e jetës së saj. 


“Zysh, e mban mend si të shihja, ti i ngjan mamit tim, e kam parë veç njëherë kur isha në kopsht, aty mbas telave të shkollës. Babi nuk e lë mamin t’i afrohet Shkodrës. Janë ndarë, që kur isha unë një vit. Kam dy vëllezër, që mësuesja kujdestare i ndihmoi të shkonin në Francë. Me mamin nuk e di se ç’bëhet. Me vëllezërit nuk flas se nuk kam telefon, rrjete sociale jo e jo. S’kam as kartë identiteti. Baba s’ma ban, se ka frikë mos i iku, prandaj më ruan, më bjen e më merr prej shkolle. Jetoj me njerkën dhe dy fëmitë që baba ka me të. Me mu baba asht i dhunshëm se i ngjaj mamit, e shpesh më dënon me nejtë me nji kamë.” 


Ajo tregonte dhe unë që nuk dojsha me pranu. se ka ende në këtë kohë prindër të tillë. Emocionet e forta më kishin mbërthy, çfarë duhet të bëja me këtë rrëfim në shpirt? Që atë ditë ia lejosha Anjës përqafimin e nanës, e shtrëngoja fort dhe i thosha se do t’ia dalim. Arrita të lidhesha me vëllain e madh, Anja ma kërkoi, donte t’i fliste, përmes telefonit tim. Një mbrëmje vonë më ra telefoni në mesenxher. Ishte zëri i një gruaje që sapo e pashë, e kuptova se me kë kishte lidhje. Ishte mamaja e Anjës. Më kishte marrë veç të më bekonte, që po i gjindesha pranë Anjës. Ajo kishte shpresë të bëhej me fëmijët e saj në Francë. Të gjithë prisnin që Anja të mbaronte shkollën dhe të mbushte moshën 18 vjeç që i mundësonte asaj të vendoste për vete. Anja e donte shkollën, kishte dëshirë të bëhej mësuese historie, kishte dëshirë të vishte fustanin e mbrëmjes së maturës, kishte dëshirë të takonte nënën dhe vëllezërit. O Zot, çpo vazhdoja të përjetoja!


Bashkë me drejtoreshën e bindëm të atin t’i bënte kartën dhe t’i krijonte mundësi të plotësonte formularin A1. Ma në fund nji dritë jeshile për të. Zilen e telefonit në atë mëngjes nuk do ta harroj kurrë. “Zysh Mira, Anja ka me ardhë me babën dhe me mu, me plotësu formularin, por unë kam apliku për pashaportë për të, pa dijeninë e babës. Zysh, na ndihmo! Du me lanë çantat te ti, dhe du që t’i me Anjën të shkoni me tërhekë pashaportën.” Dridhesha e tana. Anja më përqafonte dhe më shtrëngonte. Nuk do të harroj kurrë. Për dore duke e mbajtë fort, shkum e morëm pashaportën. Si një film më dukej gjithë çka po përjetoja. Anja bashkë me vëllain përmes lotëve u largua përfundimisht nga Shkodra atë mëngjes. Unë e mpirë dhe me ankth, vetëm prisja lajme nga ata. 


Nga darka nana e Anjës më njofton se Anja kishte mbërrite në Francë. Mbas pak kohësh, në mesenxher më shkruan vetë Anja: “Zysh, jam mirë. Jam në një qendër trajtimi, kam psikolog dhe sapo gjendja ime të përmirësohet, do të jetoj me vëllezërit dhe mamin. Nuk do të harroj kurrë çka bane për mu.” Munda vetëm t’i them: “Anja, zemër, jeto bukurisht, se e meriton! Unë i gëzohem çdo gjëje të mirë që ti do të bësh.”

Anja sot vazhdon studimet në Francë. Ndërsa unë mbaj ritmet e jetës së secilit në mendje dhe them se bëra ç’dita e ç’munda në të mirën tuaj. 



Ermira Ymeraj

Lindi në qytetin e Shkodrës më 1972. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega: Gjuhë–Letërsi, në vitin 1995 në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Vazhdoi studimet pasuniversitare në USHT, për letërsi, dhe në vitin 2010 mbaroi studimet master shkencor për “Etnokulturë dhe letërsi shqipe”, në USH “Luigj Gurakuqi”, ku mbrojti temën “ Ringjallja në epos”. Në vitin 2013 mbron titullin “Doktore shkence: Fusha: Studime Letrare, Specialiteti: Letërsia dhe baladat me tezë: Balada si paratekst në letërsinë shqipe - vështrim krahasues ndërballkanik”. Është autore e disa teksteve shkollore dhe jo vetëm. Në dekadën që jemi emri i saj ka spikatur dukshëm në gazeta, revista e buletine shkencore si brenda e ashtu dhe jashtë shtetit, sidomos me punime serioze të karakterit shkencor-letrar, por dhe në kumtesa të ndryshme të mbajtura në sesione e simpoziume të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Ka mbi 33 kumtesa dhe pjesëmarrje brenda dhe jashtë vendit. Niveli i saj i admirueshëm shkencor është vlerësuar, duke i besuar detyrën e pedagoges së jashtme në fakultetin e edukimit të Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës (2014-2021)dhe po pedagoge e jashtme në fakultetin e filologjisë të Universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës (2015-2018). Ndihmesë e kontribut të vyer ajo ka dhënë edhe në zbulimin e talenteve të rinj letrarë, por dhe si redaktore e mjaft veprave të karakterit shkencor e letrar. Ka në proces vepra të tjera të karakterit shkencor e letrar.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,028 Lexime
9 muaj më parë