Shkencë

Kanceri i gjirit, shqiptarja pjesë e kërkimeve shkencore

Iris Papa ishte pjesë e ekipit ndërkombëtar që arritën të zbulojnë një panoramë thuajse perfekte të zhvillimeve gjenetike që shkaktojnë kancerin e gjirit.

Pjesë e grupit të shkencëtarëve të cilët punuan për të zbuluar origjinën e tumori të gjirit dhe ilaçin shërues ishte shqiptarja Iris Papa, e cila ka koordinuar pjesë të grupit francez të projektit.

Pavarësisht se jeton e punon prej vitesh në Francë, Iris Papa flet dhe shkruan shkëlqyeshëm shqip. Irisi ishte pjesë e ekipit ndërkombëtar që arritën të zbulojnë një panoramë thuajse perfekte të zhvillimeve gjenetike që shkaktojnë kancerin e gjirit.

“Rëndësia më e madhe këtij studimi është fakti se për herë të parë të gjithë shkencëtarët u mblodhën për t’i dhënë përgjigje një pyetjeje. A mund t’i gjejmë ne faktorët gjenetikë që janë në origjinën e të gjithë tumoreve të gjirit? Dhe origjina është një listë e 93 gjeneve që janë të implikuara në shkaktimin e kancerit të gjirit”, tha Papa.

Ky zbulim historik tregon se nga 20 mijë gjene në trupin e njeriut, 93 prej tyre pësojnë çrregullime duke shkaktuar sëmundjen e kancerit.

Tashmë industrisë farmaceutike i duhet të prodhojë ilaçe për shërimin e 93 sëmundjeve që shkaktohen nga ky çrregullim gjenetik.

Iris Papa ka mbaruar studimet e larta në Tiranë, dega biologji, me mesatare të shkëlqyer. Studimet e mëtejshme do t’i zhvillonte në Francë. Menjëherë pas mbrojtjes së doktoratës, do të fillonte punë në kërkimet shkencore për trajtimet kundër kancerit.

2,067 Lexime
7 vjet më parë