Krijime

Poezi atdhetare për fëmijë nga mësuesja Vera Ujka

Edhe pse festat e nëntorit i lamë pas, krijimet për atdhedashurinë mbesin të pa kohë. Më poshtë sjellim disa vjersha për fëmijë nga mësuesja Vera Ujka, e cila është e pasionuar pas të shkruarit të poezive.

Moj e bukura, Shqipëri!


Vargje malesh mbi supe mban,

Krenare e plot bardhësi, 

Të freskon deti i paanë,

Moj e bukura, Shqipëri.


Nga shpatet e maleve rrjedhin,

ujëra të pastra porsi kristal,

Fushave ua shuajnë etjen , 

Moj Shqipëri, e fortë si mal.


Sa furtuna mbi trupin tënd,

në rrjedhën e historisë,

ta grabitën dhe ndonjë kënd, 

sërish  je simbol i bukurisë.


Unë sot i vogël jam,

Dhe shumë gjëra s’i kuptoj,

por një gëzim të madh unë kam,

se për flamurin sot festoj.


Festo, o Nëna Shqipëri,

Larg nga këtu male kaptuar,

Ji krenare gjer në madhështi,

Të kujtojnë bijtë e mërguar!



Flamuri 


Kudo fryn një fllad i lehtë,

Që përkëdhel çdo kraharor,

Flamujt shpalosen gjer tek retë,

Në muajin e flamurit, në nëntor.


Na u dogj e u përcëllua,

Nëpër betejat për liri,

Na u fsheh nëpër sënduqe,

Gjatë shekujve në robëri.


Por sërish nga  hiri ngjallej,

valëvitej e  si yll polar,

Sa herë që kushtrimi shpallej,

Çonte peshë çdo shqiptar.


Ti, flamur i larë me gjak,

Po valëvitesh sot krenar

Se shqiptarët kudo, në çdo prag,

Thonë: “Jam krenar se jam shqiptar!”.



Pavarësia 


Sa u përskuq i kaltri qiell,

valëviten flamujt' kuq e zi,

sa me gëzim e plot  me diell,

është kjo ditë në Shqipëri!


Niset shqiponja që nga Alpet,

sheh Kosovën dhe Çamërinë,

në Vlorë fluturimin ndale,

të festojmë Pavarësinë.


Dhe Prishtina po çon të fala,

-Tungjatjeta,- thotë ,- o Vlorë!

Nga deti i përgjigjet vala:

-Jemi bashkë porsi një dorë.


Shkroi Vera Ujka 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,754 Lexime
2 vjet më parë