Ese

"Këtë herë nuk po iki me pushime..."

Fiorela Hoxhaj nga Tropoja ndan me ne një krijim të sajin nëpërmjet të cilit ajo shpreh ndjesitë e veta, ashtu si të çdo maturanti (sidomos ata të rretheve), para se të fillojë universitetin e të shpërngulet për në Tiranë.

Po paketoj jetën time të 18 viteve.


Pasi mbarova provimet e maturës e vetmja gjë që më bashkonte me ata që ndava gjithë fëmijërinë dhe adoleshencën time, ishte mbrëmja e maturës, dhe pas kësaj kuptova se tashmë isha vetëm unë. Tani, çdo gjë e ndarë me miqtë e mi, do e ndaja përmes telefonit me ta...ndoshta edhe jo. Pushimet ca minutëshe me miqtë e mi, do i ndaja me miq të rinj me të cilët më lidh profesioni. Aktivitetet artistike tani nuk do të ishin vetëm argëtim për mua dhe miqtë e mi, por do të ishin një punë për të cilën unë, e vetme, do të kem përgjegjësi përtej argëtimit. Detyrat e shtëpisë nuk do i bëjmë më punë në grup, me miqtë e mi, sepse lufta për mbijetesë në universitet kërkon të jesh ndonjëherë dhe egoist. Mësuesit nuk do të jenë më ajo shpatulla ku mund të mbështetemi gjatë shkollës, sepse supozohet që jemi rritur dhe mund t'ia dalim vetë. 


Epo, vërtet qenkemi rritur?


Teksa mundohem ta sforcoj valixhen time që të mbajë çdo gjë të mbledhur gjatë këtyre viteve, ndjej një zë nga pas që më thotë "Nuk ke pse merr gjithçka me vete, nëse të  duhet diçka mund ta blesh atje". Ishte momenti i parë kur kuptova se "atje" gjërat nuk do të ishin njësoj. Është hera e parë që kur bëj valixhet gati nuk më zë gjumi natën nga padurimi për udhëtimin që më pret. Këtë herë nuk po iki me pushime...


Duke marrë të preferuarat e mia nga secila kategori gjërash në shtëpi, mendoj për ato të tjerat që po lë pas. Rrobat e mia të preferuara, aksesorët, librat, blloqet, jastëkun dhe batanijen. Mendoj për kujtimet që po lë këtu, për fëmijën që i mbajti këto gjëra. Mendoj për dollapin e rrobave që shumicën e kohës ishte rrëmujë dhe për raftin e librave që zakonisht nuk kishte asnjë libër në të, nga dëshira ime për t'i hapur të gjithë në të njëjtën kohë. 


Mosdija më shqetëson dhe më shumë:

A do i dua po njësoj?

A do më mungojnë?


Çfarë do të ndodhë pasi dhoma ime do të kthehet në një dhomë miqsh sa herë të ketë vizitorë në shtëpi?

Aty ndodhet çdo frymë e imja. Gjithkund nëpër cepa gjen shënimet e mia në copa letrash për të mos e harruar idenë që kisha për të krijuar një poezi. Certifikatat që në fund mbeten vetëm copa letrash dhe këto, por që mbartin histori për jetën e krijuar gjatë këtyre viteve. Çanta ime e vjetër e shkollës e cila që tani është mbuluar e gjitha në pluhur.


Kujtimet, po i zhubravis brenda në dollap.


"Nëse ka kaq shumë vlerë merre me vete"- nuk marr dot me vete gjithçka. Nuk marr dot çdo gjë të “pavlerë” të cilën e koleksionoj prej kaq shumë kohësh. Por një gjë e di të sigurt, kartolinat e ditëlindjes dhe urimet për raste festash nga njerëzit e mi të dashur, do të jenë të sigurta me mua kudo që kjo dallgë e re të më përplasë. 


Kam frikë se mos lë një pjesë timen këtu për të cilën mund të mos mundem të kthehem për ta marrë mbrapsht.


Kthej kokën pas për të kujtuar dhe detajin më të vogël të këtij qyteti.


Ndër mend më kalojnë imazhe që kisha harruar se po jetonin të grumbulluara pa dijeninë time në kujtesë. Shoh veten time 4-vjeçare tek ecën rrugës duke kërcyer dorë për dore me gjyshërit e saj. Shoh një vajzë të vogël me ëndrrat më të mëdha se largësia që sheh nga toka e qiellit sa herë ngre kokën lart, për të admiruar retë. Shoh një vogëlushe plot vetëbesim tek hyn në klasë ditën e parë të shkollës. Shoh një adoleshente tek i frikësohet rrugëtimit të saj në gjimnaz. Shoh një zonjushë, që të gjithë e pandehin të rritur tek përshëndetet me fëmijërinë e saj. 


Tani, nuk kërcej më rrugës edhe pse fëmija brenda kokës sime më shtyn ta bëj.

Mirë se vjen në jetën e vërtetë!



Fiorela Hoxhaj

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,106 Lexime
8 muaj më parë