Reflektim

“Kujtimet e shkollës kurrë nuk do të zbehen...”

"Çdo herë do të ktheheni në kujtimet e shkollës edhe kur të keni arritur majat e suksesit; kur të prindëroni plotë gëzim me vogëlushët tuaj do të buzëqeshni për kohën e lënë pas. Dhe kur t'ju mbulojnë thinjat gjyshërore, kujtimet kurrë nuk do të zbehen"- nga Alkida Mehmeti.

Nga Alkida Mehmeti, mësuese e lëndës Histori-Gjeografi-Qytetari, shkolla “Llazar Dashi”, Fier


Ndoshta u bë kohë që jeni shkëputur nga shkolla apo që kur keni komunikuar me ish-mësuesen tuaj, me shokët dhe shoqet tuaj, disa janë larguar për mos t’u kthyer me në ato banka, por kujtimet do t’i sjellin shpesh herë aty!...

Në ato zhurma fëmijërore, në buzëqeshjet e hareshme, në gabimet e vogla të rebelimeve tekanjoze... 


Çdo herë do të ktheheni në kujtimet e shkollës edhe kur të keni arritur majat e suksesit; kur të prindëroni plotë gëzim me vogëlushët tuaj do të buzëqeshni për kohën e lënë pas.


Dhe kur thinjat gjyshërore, rrëmbyer prej dore duke shoqëruar në ato rrugica nga nipër e mbesa do t’ju kthejnë pas në kohen që ka shkuar, por kujtimet nuk zbehet, më të forta mbeten!


Një mësuese apo mësues i caktuar që ju ka lënë përshtypje, përherë do të jetë në kujtimet tuaja, dhe sigurisht kjo do ju bëjë gjithmonë nostalgjik, por mbi të gjitha mirënjohës.


E pra, kjo është koha, tani është momenti, për t’i thënë edhe një herë faleminderit mësuesve në jetën tuaj. Themi qëllimisht “mësuesve” sepse padyshim që ata janë shumë, por sigurisht disa janë më të spikatur ndaj është edhe më e lehtë ta filloni me ta, si  çdo shtator kur nis shkolla.


Në këto ditë të para të shkollës dua të dërgoj mijëra urime për të gjithë fëmijët që kanë filluar klasën e parë duke iu uruar suksese, arritje të shkëlqyera dhe e lartësofshin emrin e tyre; e kanë obligim të shpërblejnë me rezultatet e tyre mundin e mësuesve, sakrificat e prindërve dhe vetes.Shumë suksese nxënësve që vazhdojnë frekuentimin në bankat e shkollës. 


Me këtë citat dua t’i uroj shumë suksese të gjithëve:  

Edukimi nuk është mbushja e një gotë bosh, por ndezja e zjarrit”. (W.B. Yeats)


Është shumë e rëndësishme të investohesh individualisht dhe ta meritosh, zotërosh, ta përfaqësosh atë për të cilën ke investuar, dhe akoma më e rëndësishme, kur atë e ndan si eksperiencë, model, vlerë me të tjerët dhe e vë në funksion të atdheut prej nga vjen dhe je rritur.


Shumë suksese të nderuar koleg! Mundi dhe sakrifica juaj nuk do të shkoj kot, jeni të mrekullueshëm!



Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

653 Lexime
3 javë më parë