Liri Jollja: Ekskursione formale apo edukative?

"Ekskursioni është një mjet për të mësuar gjëra të reja dhe për të zgjeruar njohjen e nxënësve për vendet që vizitojnë. Ekskursioni është një mundësi që nxënësi kupton për historinë e monumenteve, muzeve, objekteve të kultit që ai viziton. Eskursioni nuk duhet të jetë thjesht një udhëtim argëtues".

Ekskursioni është dritarja ku nxënësi shikon historinë me sy të gjallë, ku çdo hap bëhet udhëtim në kohë, çdo gur rrëfen legjendën e vet, dhe çdo monument shpreh zërin e brezave që jetuan para nesh. Ai nuk është thjesht largim nga klasa; është mundësi për të ndjerë, kuptuar dhe përjetuar botën që e rrethon. Ekskursioni nuk duhet të jetë një zbavitje e thjeshtë; ai duhet të kthehet në një udhëtim magjik dhe edukativ, ku nxënësi prek, ndjen dhe kupton çdo histori, çdo gur, çdo monument. Vetëm kështu krijohet një lidhje e gjallë mes të tashmes dhe të shkuarës, një dashuri për vendin dhe një ndërgjegjësim qytetar që nuk shuhet.


Shpesh, ekskursionet duken thjesht udhëtime larg shkollës, në qytete të tjera, ku fotoja dhe argëtimi zëvendësojnë mësimin dhe kuptimin e trashëgimisë. Nxënësit që kalojnë pranë kalave dhe monumenteve pa një udhëheqje të vërtetë humbasin historinë që fshihet pas çdo harku, legjendat që fluturojnë mes rrënojave, dhe mesazhet e brezave që jetuan përpara tyre.Qëllimi i vërtetë i ekskursioneve është të lidhen me trashëgiminë, të kuptojnë historinë dhe të përjetojnë mësimin, jo thjesht të vizitojnë një vend për t’u parë ose për t’u fotografuar.


Durrësi, qytet mijëra vjeçar, ofron një bibliotekë të hapur të historisë: Amfiteatri, Muret e Kalasë, Pusi i Tophanës, Muzeu i Dëshmorëve, Gropa Arkeologjike, Muzeu Arkeologjik, Torra Veneciane, Biblioteka dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve. Çdo rrugë, çdo gur dhe çdo mur flet për historinë dhe kulturën që presin të zbulohen. Një nga thesaret më të rëndësishëm të qytetit te Durrësit , është mozaiku i njohur si “Bukuroshja e Durrësit”, i krijuar në gjysmën e dytë të shekullit IV p.e.s., një kryevepër e artit helenistik që u zbulua në vitin 1917 dhe sot ruhet në Muzeun Historik Kombëtar.


Por pasuritë historike nuk mbarojnë brenda qytetit. Afër Durrësit ndodhen edhe fshatrat dhe vendet e lashta si Ishmi dhe Kalaja e Rodonit. A e dinë nxënësit se Ishmi është vendlindja e piktorit të famshëm shqiptar Ibrahim Kodra, mik i Pikasos dhe artist me famë botërore, dhe sa prej tyre e kanë vizituar varrin e tij, vetëm pak kilometra larg qytetit? Sa e kanë parë Kalane e Rodonit, ku muri prej 400 metrash dhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit flasin për epokën e Skënderbeut dhe strategjinë mesjetare të zonës? Këto vende ofrojnë mundësi për të prekur historinë dhe për të kuptuar trashëgiminë kulturore nga afër, jo vetëm në libra.


Ekskursionet edukative duhet të jenë ura që lidhin të shkuarën me të tashmen, dritare që hapin horizontin e dijes, pasqyra ku nxënësit reflektojnë mbi vendin dhe veten e tyre. Vizitat në muze, biblioteka, qendra kulturore dhe fshatrat përreth ndezin kureshtjen, krijojnë kujtime dhe lidhje të qëndrueshme me trashëgiminë lokale. 


A nuk duhet që ne, si mësues dhe drejtues vizionarë, të ndërgjegjësohemi fillimisht për rolin tonë? Të kuptojmë se ekskursionet nuk janë thjesht udhëtime argëtuese, por mundësi për të ndezur kureshtjen, për të lidhur nxënësit me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e vendeve që vizitojnë. 


Edukimi le të fillojë nga porta e qytetit tonë, ku çdo rrugë, çdo monument dhe çdo muze ofron mundësi për të mësuar dhe për t’u ndjerë pjesë e historisë dhe kulturës që e rrethon nxënësin çdo ditë!



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

162 Lexime
2 orë më parë