Intelektuali Evans Drishti: Gerti Bogdani, modeli i njeriut të mirëarsimuar, figura për të zgjedhur njerëzit më të mire
“Njeriu i urtë nuk erdhi rastësisht deri në këtë ngritje intelektuale,përkundrazi urtësia dhe mençuria e kanë shoqëruar që në gjenezën e arsimimit për të arritur të maturohet dhe diplomohet, madje me medalje të artë. Ndaj kërkohet një familje e shëndetshme, institucion arsimor profesional dhe shoqëri elitare”
Nga Evans Drishti
S’është e nevojshme të kesh patjetër një miqësi të afërt me dikë për ta njohur dhe ta kuptuar se është apo jo i mirë.
Mjafton ta shohësh; në sjellje, në veprime, në mënyrën si flet, në korrektësinë e përzgjedhjes së fjalëve të duhura, në urtësinë dhe kthjelltësinë e mendimit, në mençurinë e analizës, në diapazonin e botëkuptimit shumëdimensional. Dhe vetëm atëherë arrin ta kuptosh se ky njeri është i urtë, i kthjellët, i matur, i maturuar, i formuar, i çiltër, mirëpeshues i fjalës së duhur.
Ndjen një kënaqësi te veçantë, teksa e dëgjon në analiza për çështje dhe fenomene që i përkasin integrimit dhe emancipimit të njeriut të kohës, e për rrjedhojë të mbarë shoqërisë.
Dhe ky njeri i urtë nuk erdhi rastësisht deri në këtë ngritje intelektuale, përkundrazi urtësia dhe mençuria e kanë shoqëruar që në gjenezën e arsimimit për të arritur të maturohet dhe të diplomohet, madje me medalje të artë.
Personaliteti i Gerti Bogdanit (i ndjerë) dhe interesimi i dukshëm i mbarë shoqërisë shqiptare në respekt të figurës së tij dëshmoi sërish se të gjithë ne kemi një nevojë emergjente:
- të përfaqësohemi nga intelektualë të tillë;
- të dëgjojmë opinione dhe analiza të kthjelluara dhe profesionale nga të tillë individë që ditën gjithnjë të vlerësojnë dijen, kulturën e mbi të gjitha të shfaqin qartësisht vlerat njerëzore.
Prandaj,
theksojmë sërish,
detyrën emergjente që kanë institucionet arsimore të integrojnë me hapa të shpejtë në shoqërinë ku jetojmë nxënësit elitarë që nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer për nga nota, por edhe njerëz të shkëlqyer për nga sjellja dhe kultura;
detyrën e çdo familjeje shqiptare që të ushqejë tek fëmija vlerat e familjes tradicionale, ku përpara ushqimit të kultivojë respektin, përpara veshmbathjes të kultivojë mirënjohjen, përpara shpenzimeve shpërdoruese të kultivojë finesën, përpara përkëdhelive në emër të lirisë të kultivojë maturinë, përpara kritikave ndaj çdo situate të kultivojë mirëkuptimin dhe vlerësimin për peshën dhe vlerën që mbart.
S’kishte si të mos ndjeje trishtim dhe dhimbje për humbjen e një vlere të tillë, që diti të ecte dhe të shfaqej gjithnjë “me këmbë në tokë”.
Ndaj një vlerësim dhe respekt për prindërit e tij, që ditën të edukonin dhe të integronin në shoqëri një djalë të tillë, i admirueshëm nga të gjithë; për arsimtarët e tij që ditën të nxirrnin në pah dhe të kultivonin një vlerë të tillë duke i dhënë shoqërisë intelektualin e shumëkërkuar; për shoqërinë e tij që ushqyen dhe u ushqyen me karakter të fortë dhe elitar.
Ndaj kërkohet një familje e shëndetshme, një institucion arsimor profesional dhe një shoqëri elitare për të ngritur dhe integruar njeriun e mirë dhe intelektualin e admirueshëm.
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Nxënësit e shkollës "Mihal Ekonomi" në Durrës mbjellin pemën simbol të jetëgjatësisë
Përse sistemi arsimor danez krijon individë të lumtur
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe