
“Lule për libra” – Nxënësit e shkollës “Besëlidhja” në Lezhë ndërthurin dashurinë për natyrën me dijen
Nxënësit e klasës 3A të shkollës “Besëlidhja” në Lezhë organizuan panairin “Një lule për ty, një libër për mua”, ku përmes shitjes së luleve të mbjella vetë, siguruan fonde për pasurimin e bibliotekës. Një traditë 10-vjeçare që ndërthur natyrën me dijen.
Nga Lindita Kokaj
“Një lule për ty, një libër për mua” ishte motoja e panairit të luleve, organizuar nga nxënësit e klasës 3A të shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja” në qytetin e Lezhës. Kjo nismë u ndërmor për herë të parë 10 vite më parë nga mësuesja Lulëzime Celami Çipollari dhe është kthyer tashmë në një traditë të bukur edukative dhe kulturore.
Nxënësit, nën kujdesin e mësueses së tyre dhe me mbështetjen e prindërve, kanë mbjellë lulet disa muaj më parë dhe janë përkujdesur me dashuri për to deri në ditën e panairit. Lulet u shitën për të siguruar të ardhura që do të përdoren për pasurimin me libra të bibliotekës së shkollës.


Mësuesja Lulëzime tregon se kjo nismë nisi fillimisht si një orë mësimi praktike, ku nxënësit mësonin procesin e mbjelljes dhe rritjes së bimëve. “Duke parë entuziazmin e nxënësve, lindi ideja që pse jo, të krijonim një treg të vogël me këto lule. Bashkë me prindërit vendosëm që të ardhurat të përdoreshin për blerjen e librave. Ka 10 vite që kjo nismë është zhvilluar dhe deri tani janë blerë shumë libra. Fillimisht janë dorëzuar në bibliotekën e shkollës, ndërsa tashmë kemi krijuar një bibliotekë të vogël në klasë, që nxënësit e menaxhojnë vetë. Ata shkruajnë emrat e tyre në libra dhe dokumentojnë çdo të ardhur të siguruar – gjithçka e menaxhojnë vetë bashkë me prindërit”, shprehet mësuesja Lulëzime.
Drejtori i DRAP Lezhë, Hasan Muça, e vlerësoi këtë nismë si një përqafim të bukur mes natyrës dhe dijes.


“'Lule për libra' është një nismë që vit pas viti dëshmon se duart e vogla punojnë me zemër të madhe. Është kënaqësi të shohësh se si mendjet e vogla bëjnë punë të mëdha. Librat janë lulet e mendjes, ndërsa lulet janë librat e shpirtit,” u shpreh ai.
Edhe ish-drejtori i DRAP Lezhë, Bardhok Pulaj, vizitoi panairin, duke blerë lule për shtëpinë e tij.

“Klasat e luleve të zysh Lulëzimes janë një model pune, edukimi, kulture dhe mirënjohjeje. Kjo nismë përfaqëson risi, përpjekje, bashkëpunim e dashuri për librin dhe natyrën,” tha ai.
Ndërkohë, anëtarja e Këshillit Bashkiak të Lezhës, Alfrida Marku, e cilësoi këtë panair si një projekt edukativ të veçantë.


“Fëmijët e klasës 3A, nën kujdesin e mësueses së mrekullueshme Lulëzime Çipollari Celami, sollën gëzim dhe hare në qytet. Kjo nismë kultivon dashurinë dhe kujdesin për natyrën dhe librat te fëmijët. Me të ardhurat nga shitja e luleve do të pasurojnë bibliotekën e shkollës ‘Besëlidhja’, një shembull frymëzues i edukimit përmes veprimit konkret,” theksoi ajo.


Lulet e mbjella dhe të rritura me dashuri nga nxënësit e “Besëlidhjes” do të sjellin ngjyra, aromë dhe gjallëri në shumë shtëpi të qytetit, ndërsa librat e blerë prej tyre do të ndriçojnë mendjet e vogla që ëndërrojnë më shumë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ornela Sinameta: “Kësulëkuqja për të rritur”, një përrallë që të përplas me realitetin
Njihuni me Bergin, lexuesin e vogël që leximin e sheh si superfuqi
Talenti 15-vjeçar, Erbli Zade: Piano është gjuha që më lidh me botën