Falënderim

Manushaqe Hoxha Laçi: Një vit shkollor ndryshe!

Mësuesja Manushaqe Laçi, ka zgjedhur ta rifillojë vitin shkollor me një falënderim për të gjithë nxënësit, prindërit dhe kolegët e saj. Duke shpresuar që ky vit të shkojë sa më mirë ajo ka vendosur që me anë të një poezie të shprehë të gjithë emocionin e këtij viti të ri akademik.

Më në fund u rikthyem përsëri në rifillimin e vitit shkollor duke shpresuar dhe besuar që gjithçka do të shkojë mirë.


Kaluam nëpër shumë pengesa e vështirësi dhe ja ku ndodhemi duke bërë zgjedhjen më të mirë, mësimin me turne në grupe të vogla. Do përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme duke shfrytëzuar mjetet dhe mënyrat më të përshtatshme gjatë gjithë kohës së angazhimit në misionin tonë.


Ta bëjmë sa më të këndshëm dhe tërheqës ambientin në shkollë e jashtë saj si një shtysë për qetësi, përqendrim e përvetësim maksimal në procesin mësimor për një mësim sa më efikas. Secili nga ne duhet të marrë përsipër të kryejë sa më mirë punën duke pasur dhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie personale e profesionale duke vendosur qëllime e objektiva të matshme dhe të arritshme. Duke pasur ndjenjën e ndryshimit pozitiv në të gjitha ndërveprimet mund të ecim shumë mirë përpara pasi arsimi është arma më e fuqishme e një kombi. Që një komb të jetë në lartësinë e duhur duhet ta ketë në kêtë lartësi dhe arsimin.


Nevojitet forcimi dhe bashkëpunimi maksimal i trekëndëshit mësues-nxënës-prindër për të përballuar me sukses situatën në të cilën po kalon jo vetëm vendi ynë por mbarë globi. Pesha që duhet të mbajmë nuk është e lehtë por jo e pamundur! 


Me masat e marra nga instancat më të larta e deri në ambientet shkollore, duke zbatuar këshillat për mbrojtjen e vetes dhe të personave të tjerë mendoj që nuk do të jetë i vështirë të ndiqet me rigorozitet mësimi.


Falënderim!

Një vit shkollor në qershor mbaroi

mbushur plot stres e vështirësi;

mes sakrificave të palodhur punuan

 nxënësit, prindërit e kolegët e mi.


Shumë pyetje na u drejtuan

për probleme që nuk i ditën;

 me dashamirësi i sqaruam

shkallët e dijes me ne i ngjitën.


I këshilluam të jenë të ndershëm

të duan të vërtetën dhe drejtësinë;

kur me vështirësitë u ndeshën

kuptuan se ato kalisin njerinë.


Si deti të jenë të pamposhtur

që fort përplaset mbi shkēmbij;

megjithëse valët mund të jenë plagosur

e gjen forcën të provojë përsëri.


Edhe gjatë pushimeve në verë

me ne gjithmonë komunikuan;

fjalët tona për nxënësit kanë vlerë

si prindër dashuri ju dhuruam.


Përgëzime për të gjithë nxënësit

që me vullnet çdo ditë mësuan.

respekt pakufi për prindërit

në kryerjen e misionit na ndihmuan.


Falënderim kam në zemër

mirënjohje thellë në shpirt

për të gjithë stafin arsimor

që e bënë natën ditë!





Dashuri për jetën

Erdhi ndryshe ky shtator

plot me stres e përmallim.

Nxënësit me libra në dorë

nga njëri- tjetri distancim.


Viti shkollor sot filloi

në sy e zemër me përkushtim

Nga zemra një pikë loti rrodhi

mungon i ngrohti përqafim.


E kemi pritur me shumë mall

në bankat shkollore të rikthehemi.

Është ndjesi vërtetë e rrallë

kur me sy ne përshëndetemi.


Jemi të bindur me ndërgjegjësim

për situatën që rrethon globin mbarë.

Në zemrat tona mbushur me besim

ushqejmë dashurinë në radhë të parë.


Suksese e mbarësi ju uroj!



                                      Nga Manushaqe Hoxha Laçi, mësuese kimie 

                                            Gjimnazi “Skënderbeu” Krumë, Has.

Përgatiti për publikim Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

12,175 Lexime
3 vjet më parë