Promovim

Më 14 dhjetor në Shkodër: Bisedë për librin “Mariana Sirka” nga Grazia Deledda

Më 14 dhjetor në orën 11.30 në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër do të zhvillohet një bashkëbisedim për librin “Mariana Sirika” të Nobelistes italiane Grazia Deledda, me të pranishme përkthyesen Prof.Dr. Klodeta Dibra, botuesen dhe poeten Zj.Rita Petro si dhe studiuesen e redaktoren Dr.Ermira Ymeraj.

Libri “Mariana Sirika” i Nobelistes italiane Grazia Deledda ka ardhur së fundmi i botuar në shqip nga ALBAS. 


Për këtë vepër, nesër, më 14 dhjetor 2023, në orën 11.30 në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër do të zhvillohet një bashkëbisedim mes përkthyeses së tij, Prof.Dr. Klodeta Dibra, botueses dhe poetes Zj.Rita Petro si dhe studiueses e redaktores Dr.Ermira Ymeraj. 


Nën moderimin e Arjola Zdrimës, ftoheni  të bëheni pjesë e këtij aktiviteti letrar. 




Mariana Sirka rrëfen historinë e një gruaje rebele dhe antikonformiste, por edhe historinë e dashurisë së madhe e të vërtetë, por të pamundshme, midis Marianës së kamur dhe kaçakut Simone Sole. Shpirtrat e tyre puqen, por bota e tërë, shoqëria hipokrite dhe borgjeze, i kundërvihet lidhjes së tyre dashurore. Dashuria e dy protagonistëve është e paracaktuar të mbytet në një det ndjenjash të sinqerta dhe mizore, dhe martesa e lakmuar prej Marianës do të jetë një martesë vdekjeje e jo jete.


Grazia Deledda (1871-1936) - ndër shkrimtaret italiane më të spikatura të shekullit të kaluar; e para italiane dhe, deri më tani, e vetmja fituese e Çmimit “Nobel” në letërsi. Shkrimtare me një aktivitet shumë të pasur letrar. Ka lëvruar prozën e gjatë dhe të shkurtër, poezinë, dramën. Me romanin “Mariana Sirka”, Grazia Deledda ripohon dhuntitë e saj tregimtare duke rrëfyer një histori që digjet nga pasionet, që këput zinxhirët e paragjykimit, që flet për një vend të ashpër e me kontraste të forta.



Kaltra Tafani 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

323 Lexime
4 muaj më parë