Histori suksesi

Medalje Ari për Kampionin special Gersi Troka

Notari Gersi Troka është shpallur kampion në Lojërat Olimpike Speciale që po mbahen në Berlin. Ai është vlerësuar me medalje ari pas një performance të shkëlqyer në garën 200 metra stil i lirë në not. Ministrja Kushi: Zemra mal! Një arsye më shumë që të përfshijmë në Ligjin e Sportit “Special Olympics”.

Notari Gersi Troka është shpallur kampion në Lojërat Olimpike Speciale që po mbahen në Berlin. Ai është vlerësuar me medalje ari pas një performance të shkëlqyer në garën 200 metra stil i lirë në not.


Ky super rezultat vjen vetëm dy ditë pasi Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi njoftoi disa ndryshime në Ligjin për Sportin, të cilat lidhen veçanërisht me gjithëpërfshirjen dhe sportin paralimpik. 


Përmes një postimi në rrjete sociale Ministrja Kushi e quan këtë medalje të artë të kampionit Gersi Troka një arsye më shumë që vendimi për të përfshirë në Ligjin e Sportit mbështetjen për "Special Olympics" dhe "Paralympics" të bëhet realitet sa më parë.


“Zemra mal për kampionin tonë special Gersi Troka, i cili fitoi medalje ari në not në Lojërat Botërore Olimpike Speciale në Berlin! Rezultate si këto janë një arsye më shumë që vendimi që sapo kemi marrë për të përfshirë në Ligjin e Sportit mbështetjen për ‘Special Olympics’ dhe ‘Paralympics’ ta bëjmë realitet sa më parë.” – shkruan Kushi në postimin e saj.

Skuadra Olimpike Speciale Shqiptare përfaqësohet me 10 sportistë në Lojërat e Berlinit, 5 herë më shumë se në Lojërat paraardhëse. Ata garojnë në disiplina të ndryshme si not, peshëngritje, basketboll e atletikë.


Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,168 Lexime
1 vit më parë