Reflektim

Mëso si të jetosh vet, mëso edhe nxënësit si të jetojnë

Gjithçka që do të shkruaj më poshtë mos mi merrni për "moral" apo "propagandë", as mos më thoni "hajde provoje". Të gjitha këto sfida i kam kaluar, edhe më të rënda. Thjeshtësia e mënyrave qëndron brenda jush dhe nxënësve tuaj. Shkrim reflektiv nga Fatmiroshe Xhemalaj.

Të nderuar mësues,

Bëj shpesh biseda miqësore me mësues të shkollave. Ajo që kuptoj është se ata ndihen të stresuar. Natyrisht që i mirëkuptoj, që ndihen ashtu, por edhe habitem. Pse në stres? Më thonë arsye të shumta. Arsyet, i besoj, janë reale. Të jenë reale do të thotë se diku puna ka çaluar...Pikërisht, se janë të tilla, ato duhet të merren si sfida, për të cilat duhen gjetur mënyra sa më të thjeshta për t'i kapërcyer. Prandaj janë mësuesit...


Gjithçka që do të shkruaj më poshtë mos mi merrni për "moral" apo "propagandë", as mos më thoni "hajde provoje". Të gjitha këto sfida i kam kaluar, edhe më të rënda...  Thjeshtësia e mënyrave qëndron brenda jush dhe nxënësve tuaj. Imagjinoni se ju jeni dy "enë" komunikuese, që qarkulloni ide për të mësuar se si të mos jetë askush i stresuar, duke mos harruar se "nxënësi ka gjithmonë të drejtë". Cili është nxënësi? 


Fëmija juaj...Quheni klasën si një "familje". A e doni familjen? A shpenzoni energji të shumta për të mësuar fëmijët tuaj, motrat apo vëllezërit, si të jetojnë? 


Natyrisht që po...pavarësisht se i arrijmë apo jo pritshmërit... Nuk është e thënë të arrijmë pritshmërit...por ama nga ana tjetër, nuk do të ndihemi të stresuar, sepse bëmë atë që dinim më mirë të bënim. Pikërisht...këtë bëni me nxënësit, mësojini ata si të jetojnë. 


Shprehja  "mësojini ata si të jetojnë" është e thellë, përmban brenda qytetari, njohuri, perspektiva, vizione, gjithçka dhe këtë në shkollë e bënë mësuesi. Të marrësh titullin "MËSUES" është gjë e madhe, atë nuk mund ta marrë kushdo...atë nuk e merr sapo mbaron degën e mësuesisë, si e mora unë në vitin 1979 "Mësuese e histori-gjeografisë" për shkollën e mesme, as kur jep provimin e shtetit... 


Gjatë studimeve universitare unë kisha bërë: 1 semestër pedagogji; 1 semestër psikologji; 1 muaj praktik pedagogjike; 1 vit stazh si mësuese në shkollë, me pagesë.  Nga ana tjetër kisha bërë  në 4 vjet studime gati 99 % lëndë specialiteti. 


Në fakt, që atëherë më dukej paradoks, që duke parë % e lëndëve të specialitetit ne duhet të kishim dalë historianë apo gjeografë, se sa mësues. E mendoni se mund të marrësh titullin MËSUES me kaq? Mendoj jo...


Shpesh, ja puthja duart e rreshkura mamasë sime duke i thënë se sa shumë kishin punuar ato duar... duke rritur 10 fëmijët e saj, 1 jetime dhe mbi 20 nipër e mbesa. E moj bijë - thoshte ajo...mua më duket sikur këto duar nuk kanë punuar fare... Nëse unë, me mbi 40 vjet punë në edukim, jam bërë apo jo MËSUESE...vet do të thoja se nuk e di...Të tjerët duhet të më vlerësojnë...po apo jo.

Të them të drejtën ajo që të bënë MËSUES është, së pari dashuria për të tjerët, në rastin konkret për ata që do t'i mësosh dhe dashuria e të tjerëve  për ty , në rastin konkret dashuria e nxënësve për ty. Dy "enë" që japin dhe marrin dashuri.


Por dashuria dihet që nuk dhurohet, ajo fitohet vetëm me punë, nga të dy palët.    


Mësimi në klasë duhet të jetë si kënga "VAJZË E VALAVE"( si simfonia e Betoheni etj.), që po ti bësh një vështrim psikologjik dhe artistik, do të kuptosh se secili anëtar i grupit e luan aq bukur rolin e tij sa që duket sikur nuk këndojnë, por nga ana tjetër melodia, fjalët rrëshqasin me një shpejtësi të atillë sa futen thellë, në çdo qelizë të spektatorit duke e bërë këtë të fundit të fitojë energji të pashtershme e të udhëtojë në hapësira dashurie për jetën. 


Mësues i dashur, ndoshta nuk e kupton, por dije, se t’i je në një "betejë" për edukimin e fëmijëve, fundi i së cilës ose do ta bëjë shoqërinë të nxjerrë përherë e më shumë në pah ndjenjat njerëzore, për ta jetuar jetën, ose do të zvarritet ende për të mbijetuar. 


Nuk e bënë cilësinë e një sistemi arsimor, as pllakat majolike të dyshemesë së shkollës, as dritaret duralumin, as kondicioneri... as... as... as kurrikula me kompetenca...se kompetencat dhe aftësimi për jetën kanë lindur me lindjen e njerëzimit dhe tashmë nuk shtrohet çështja se si të mbijetojmë, por shtrohet çështja si ta jetojmë jetën pa stres, me gëzim. Cilësinë e një sistemi arsimor e tregon: A i kemi mësuar nxënësit, fëmijët tanë, si ta jetojnë jetën, apo i kemi lënë ata te mënyrat si të mbijetojnë në këtë jetë? 


Këto janë “betejat” e ditëve të sotme. Kipling, thotë në poezinë "Në mundsh": "Të rrish me maskarain, pa u bërë maskara...ky është heroizmi i ditëve të sotme...biri im" e në këto beteja që zhvillojnë shoqërinë, do të donin të merrnin pjesë, pikërisht ata që e duan ta jetojnë jetën. 


Nëse do të më pyesni mua, që gjithë jetën punova në këto “beteja”, do t’ju thosha që unë kështu munda të jetojë jetën, jo si disa të tjerë që e shpenzuan jetën në “beteja” për shkatërrim të së mirës, apo në beteja për të ngrënë njeri-tjetrin. 


“Betejat” për zhvillim, në çdo fushë, po kështu edhe ato në EDUKIM, të japin përherë e më shumë energji pozitive, të pashtershme, për të cilën të gjithë njerëzit do të donin të merrnin pjesë. Dhe unë vazhdoj të marrë pjesë, që të jetojë më shumë vet të bëjë edhe të tjerët, me sa të mundem që të jetojnë. Këtu mos kuptoni jetëgjatësinë. Për njerëzit që e kuptojnë, kërkohet ta jetosh jetën çdo ditë, ashtu si të vjen, me gëzim. Prandaj mos e merrni mësimdhënien si një stres, se po qe e tillë, edhe fëmijët që mësoni do të jenë në stres. 


MËSO SI TË JETOSH VET, MËSO EDHE NXËNËSIT SI TË JETOJNË


Nga Fatmiroshe Xhemalaj

Specialiste e Edukimit

Trajnere e Trajnereve te Edukimit


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,409 Lexime
2 vjet më parë