edukimi

Mësuesi, një shqetësim i ëmbël për nxënësin

"Të takon ty mësues të bësh të pamundurën të mundur, të mposhtësh frikën, pasiguritë, të tregosh se si ecet drejt në jetë me ndershmëri, të hapësh horizonte të reja atje ky qielli i botës së tyre është i errët dhe që tani apo më vonë do të ngrejë stuhi."

Në gjuhën shqipe ekzistojnë shumë mënyra për ta përdorur të njëjtën fjalë. Midis shumë profesionistëve fati i takon mësuesit ta përdorë fjalën për të dhënë sodisfaksion qëllimeve të veta dhe njëkohësisht të japë sodisfaksion tek pjesa absorbuese e fjalës së tij, nxënësi. 


Të mësosh nuk është një punë si gjithë të tjerat. Ke marrë përsipër përgjegjësi, je ngarkuar me një potencial të mjaftueshëm për të transmetuar, ke gjetur mënyrën se si do ta transmetosh atë, dhe gjendesh përballë të panjohurës, botës tjetër, që vjen para teje me një sasi të dhënash zyrtare, me një datë lindjeje, emra prindërish, një biografi dëftese prej dy rreshtash. Është detyra jote të përballesh me ata, të hysh në botën e tyre sa të thjeshtë aq edhe të komplikuar. Të takon ty të hysh në dhimbjen e tyre, shqetësimin dhe të panjohurat e tyre. Në momentin qe t’i ke shkelur në subkoshiencën e tyre gjithçka e jotja është azeruar. 


Fëmijët ndjehen fajtorë për atë që janë apo atë që kanë. Sigurisht fajtoret s’janë ata, por bota e madhe e të rriturve, që me apo pa qëllim ka përfshirë brishtësinë e tyre në vorbullën e problemeve të përditshme. 


Të takon ty të bësh të pamundurën të mundur, të mposhtësh frikën, pasiguritë, të tregosh  se si ecet drejt në jetë me ndershmëri, të hapësh horizonte të reja atje ky qielli i botës së tyre është i errët dhe që tani apo më vonë do të ngrejë stuhi. 


Natyrisht nuk jemi të pagabueshëm, e rëndësishme është që t’i kërkojmë dhe korrigjojmë ato, për të mirën tonë dhe të nxënësit. Jo gjithmonë prindërit janë edukatorë të mirë, pavarësisht përpjekjeve pozitive në të mirën e fëmijës së tyre. Fjala “prindër” nuk është sinonim i “edukator”. Prindi e sjell në jetë fëmijën, e edukon sipas mënyrës së tij, por edukatori zhvillon rritjen sipas parimeve të caktuara të tij. 


Përgjatë rrugës së edukimit ndodh pak a shumë sikur të marrësh pjesë në një ndeshje futbolli: secili dëshiron të mësojë trajnerin se si duhet të manovrojë për të fituar ekipi i tij. Sa më pak kuptojnë nga futbolli, aq më të sigurt janë për zgjidhjet e duhura. Në realitet, askush nuk mund të dijë me siguri se si do të ketë sukses, sepse nganjëherë një fitore që dukej e dukshme shndërrohet në një humbje dhe anasjelltas.


Kështu, të gjithë mendojnë se dinë të edukojnë fëmijët e tyre, por gjithmonë ka shumë variabla që ndërhyjnë pozitivisht ose negativisht: ndikimet e mjedisit, zgjedhjet individuale e shumë të tjera. 


Pra gjatë rrugës së edukimit nuk ka formula të gatshme, përveçse një përgatitje e lartë e mësuesit për të adoptuar zgjedhje edukative të përshtatshme me situatat e kërkuara. Ata (nxënësit) presin të shohin dritë në sytë e mësuesit, sepse prej asaj drite do ndriçojnë rrugën e tyre. Mundemi vallë të kemi mjaftueshëm aftësi të ndriçojmë?  Kjo është një dilemë e vazhdueshme e çdo edukatori të vërtetë. Them edukatori të vërtetë sepse njohim edhe anën e kundërt të medaljes: mësues të papërgatitur shkencërisht, të pamotivuar në profesion (përveç rrogës), mësues me horizonte të mbyllura për veten dhe jo më për nxënësin. Së bashku edhe me faktorë të tjerë bëhen aktorë të tragjedive në jetën shkollore të fëmijëve. Nuk ka fëmijë të pandreqshëm, kjo do të ishte gjëja më e tmerrshme nëse dilte nga goja e një mësuesi. 


Formula të gatshme në edukim nuk ka, hyni në botën e nxënësve tuaj dhe do të gjeni zgjidhjen e problemeve të tyre dhe njëkohësisht të dilemave tuaja. 


(Brunilda Xhemo, Portali Shkollor)

6,130 Lexime
5 vjet më parë