Dita Botërore e Mësuesit

Mësuesit janë heronjtë tanë!

Në kalendarin e UNESCO-s, 5 Tetori është Dita Botërore përkushtuar mësuesve, datë e përcaktuar që prej vitit 1993. Në nivel kombëtar, në Shqipëri, si festë të mësuesit kemi 7 Marsin.

Sot, më 5 Tetor, festohet dita Botërore e Mësuesit. Në nivel kombëtar, në Shqipëri, si festë të mësuesit kemi 7 Marsin, në të njëjtën kohë, çdo shtet mund të festojë për këtë në çfarëdo date, sipas traditës apo historisë së tij.


Por në kalendarin e UNESCO-s, 5 Tetori është Dita Botërore përkushtuar mësuesve, datë e përcaktuar që prej vitit 1993.


Mësuesit e aftë dhe edukuesit, janë tejet të rëndësishëm për të kuptuar, frymëzuar, informuar, edukuar, drejtuar, për të nxitur formimin intelektual, shoqëror e emocional të brezit të ri, për një shoqëri më të mirë, formimi i së cilës fillon me përgatitjen e individit.


Megjithëse mësuesit shpesh herë punojnë në kushte të vështira janë të përkushtuar dhe synojnë të përçojnë dijen tek nxënësit.


Në asnjë rast ata nuk pranojnë të humbasin sfidat me të cilat përballen çdo ditë. Lexojnë çdo informacion në rrjete sociale, udhëzimet e MAS, metodat e reja të mësimdhënies, këmbejnë informacione me kolegët... gjithçka në funksion të arritjes së objektivave mësimorë.


Mësuesit janë heronjtë tanë! Ata janë të angazhuar gjatë gjithë ditës që nxënësit e tyre të jenë të suksesshëm. Vështirësitë e nxënësve bëhen vështirësitë e tyre, qajnë dhe qeshin me nxënësit, klasa bëhet një familje e madhe e mësuesi herë është në rolin e kryefamiljarit, herë të psikologut, herë të nënës, herë të shokut e herë të shoqes. Mësuesit nuk ja falin vetes asnjëherë nëse një nxënës nuk arrin të jetë i suksesshëm në jetë!


Një mësues matematike më tregoi: “Kisha klasë në kujdestari vitin e katërt gjimnaz, gjatë gjithë vitit shkollor kisha në mendje se për çfarë do të studionte gjithsecili. Në asnjë moment nuk e mendova që ndonjëri nga nxënësit e mi nuk do e vazhdonte shkollën e lartë. Kështu, gjatë vitit bëra disa mbledhje, kuptova kushtet që ata kishin në familje, kujt i duhej të fitonte bursë me patjetër, evidentova prirjet e gjithsecilit, ku kishin më shumë mundësi. Matematikën e zgjodhën vetëm dy nxënës, të cilët në fakt kishin më shumë prirje në shkenca sociale. Kur i pyeta përse, me treguan se donin të më ngjanin mua. Mbeta pa fjalë, pasi unë isha imazhi i mësuesit autoritar. Në fund ia dola! Të gjithë nxënësit e mi vijuan studimet e larta. Isha i lumtur dhe i emocionuar.”


Histori frymëzuese, histori që tregojnë përkushtimin e mësuesve dhe përgjegjësinë e tyre. 


Mësuesia nuk është vetëm profesion, është mision, prandaj mësuesit janë heronjtë tanë. 


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

15,913 Lexime
2 muaj më parë