Projekti

Mozaiku i Tiranës, nxënësit hulumtojnë në bibliotekë

Nxënësit treguan interes për t’u regjistruar në bibliotekën e lagjes së tyre teksa u informuan që për t’u regjistruar në bibiliotekë nevojitet një mjet identifikimi dhe një vërtetim që je banor i lagjes

Vijon me sukses projekti i Albas-it për shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit. “Të lexojmë qytetin” ka si qëllim njohjen e nxënësve të shkollave 9-vjeçare me qendrat, objektet, monumentet kulturore të qytetit të Tiranës dhe informimin për to nëpërmjet librit. Nxënësit ftohen të vizitojnë një objekt kulturor në Tiranë. Pasi njihen nga afër me objektin e përzgjedhur, te nxënësit lind kureshtja për të ditur më shumë rreth tij. Kështu nxënësit drejtohen në bibliotekat e lagjeve apo të qytetit dhe kërkojnë më shumë informacione.

Pasi u njohën me Mozaikun e Tiranës, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Vatra e Dijes” vizituan ambientet e bibliotekës për të gërmuar më shumë në të shkuarën e muzeut, për të kuptuar akoma më mirë rrethanat në të cilat u zbulua dhe çfarë rëndësie ka Mozaiku i Tiranës.

Nxënësit të shoqëruar nga mësuese Zhaneta Dashi dhe mësuese Manjola Kozeli u takuan në bibliotekën e lagjes numër 2 që ndodhet pranë Sheshit “Avni Rustemi”. Të gjithë së bashku panë një material të përgatitur i cili i njohu ata edhe me monumente të tjera të kulturës.

Nxënësit treguan interes për t’u regjistruar në bibliotekën e lagjes së tyre teksa u informuan që për t’u regjistruar në bibiliotekë nevojitet një mjet identifikimi dhe një vërtetim që je banor i lagjes.

Nxënësit kuptuan se për të hulumtuar për një munument të caktuar është e domosdoshme t’i drejtohen bibliotekës familjare, bibliotekës së shkollës, bibliotekës së lagjes ose Bibliotekës Kombëtare.

Tani nxënësit e kësaj shkolle janë në fazën e hartimit të një materiali lidhur me Mozaikun e Tiranës. Ata u njohën nga afër me të, kërkuan materiale rreth tij dhe tani po përgatisin projekte. Nxënësit treguan se kanë nisur nga puna, dikush punë individuale, dikush punë në grup.

Ju urojmë suksese nxënësve dhe jemi në pritje të përfundimit të projekteve të tyre të cilat do t’i pasqyrojmë në faqen e Portalit Shkollor.

(Portali Shkollor)

2,214 Lexime
7 vjet më parë