LEXIM & ARSIMIM

“Muzeu i iluzionit” nga Evans Drishti

Gjithmonë del domosdoshmëri e pashtershme “leximi” i sa më shumë librave që të ofrojnë padyshim të tilla vizione dhe botëkuptime për të kuptuar realitete të larmishme, ku secila prej tyre shfaq një botë iluzionesh të paimagjinueshme.

Ëndërrimi për të përjetuar një udhëtim magjepsës prej kohësh kishte kaluar përmasat e të qenurit thjesht një “iluzion”, pasi teknologjia tashmë i kishte dhënë një mundësi të artë, të humbiste në botën e gjerë të shumë ndjesive të papërjetuara më parë për të bërë kështu përgatitjet e duhura për një rrugëtim domethënës. 

Shumë gjëra kishte planifikuar të shihte, të njohura apo të panjohura më parë, parqe të larmishme, ndërtesa me arkitektura që padyshim të çonin në retrospektiva të paimagjinueshme, dete, liqene, lumenj, përrenj që s’kishin si të mos të bënin për vete, e për më tepër në një periudhë vere… Por ja që kishte edhe nga ato vende që të jepnin një tjetër përshtypje, një tjetër vizion, një tjetër botëkuptim, një tjetër horizont… e për më tepër një tjetër shtysë për të përftuar një idealizëm që natyrshëm s’mund të ngelej në kornizat e një iluzioni. 

Bëri një rrugë disi të gjatë për të mbërritur deri atje, duke kaluar përmes turmave të shumta të njerëzve, shoqëruar në të dyja krahët e rrugës nga ndërtesa të larta dhe plot hijeshi arkitekturore dhe artistike… Ora kishte fluturuar si pa u kuptuar fare, vetëm kur e pa veten përpara një hapësire tejet tërheqëse. Bëri edhe disa hapa më tutje duke ngjitur ca shkallë që ishin punuar aq këndshëm plot gdhendje sa për një çast sikur hezitoi të hidhte edhe këmbën se mos ndoshta i prishte bukurinë tërheqëse. Mu përpara, një tabelë mirëfilltazi e kohës së antikitetit, ku në brendësi shkruhej “Muzeu i Iluzionit”… Një kureshtje e paparë e mbërtheu të tërin… 

Pasi mori informacionin bazik orientues vijoi sa me të shpejtë aq dhe plot hezitim se ku do ta çonin këmbët. Punimet e prezantuara e lanë pa fjalë pasi vetja vërtet i dukej si të ishte përfshirë në një botë iluzive, shumë procese iluzive që vetëm nëpër filma kishte gjetur mundësinë t’i shihte, tashmë gjente rastin më të volitshëm ti shihte më nga afër duke kuptuar edhe më qartë mënyrën e realizimit… Çdo gjë i doli përtej parashikimit, pasi koha që kishte parashikuar më parë kishte ecur me hapa aq të shpejtë saqë natyrshëm s’kishte pasur kohë as ti hidhte një sy orës së dorës. Çdo objekt i prezantuar e kishte përfshirë mirëfilltazi në një tjetër botë, e ndërkohë të tëra prezantimet s’bënin tjetër veçse gërmonin në trurin dhe mendjen e tij duke ndërtuar kala të panumërta të jetëve që e prisnin më tutje… 


Çdo udhëtim është një këndvështrim nëpërmjet të cilit tregoni si e konceptoni jetën. 

S’është e lehtë në fakt për njeriun të përcaktojë linjën e tij të një rrugëtimi afatshkurtër apo afatgjatë, pasi gjithçka lidhet me vizionin dhe botëkuptimin që ka skalitur në urtësinë e tij mendore dhe shpirtërore, prandaj mbetet përherë një domosdoshmëri “arsimimi” i mirëfilltë dhe zhvillimi i perceptimit kulturor. 

Sërish del si domosdoshmëri e pashtershme “leximi” i sa më shumë librave që të ofrojnë padyshim të tilla vizione dhe botëkuptime për të kuptuar realitete të larmishme, ku secila prej tyre shfaq një botë iluzionesh të paimagjinueshme. 



Një gjuhë, një njeri… 


Ka ngelur klasike shprehja e njohur popullore “Një gjuhë një njeri” nisur nga fakti i rëndësisë së patjetërsueshme të mësimit të një gjuhe të huaj, jo thjesht për ta kuptuar si një “gjuhë e huaj”, por edhe si një “çelës thesari” për të kuptuar një vizion të ri, një botëkuptim të ri, një konceptim të ri, e përtej të gjithave për të krijuar një tjetër “botë iluzive” të paarritshme në dukje deri në atë moment, por që me mësimin dhe kuptimin e kësaj gjuhe “të huaj” njeriu e shkatërron plotësisht “të huajën” për ta bërë atë pjesë të qenies së vet. Kështu njeriu arrin të përvetësojë kulturën “tjetër”, traditën, historinë, gjeografinë, ekonominë, politikën tjetër, pra gjithçka që deri dje për të ishte “iluzive” e që tashmë mbetet vetëm “e prekshme” dhe “konkrete”… 

E duke mësuar një tjetër gjuhë kthehemi në një tjetër individ, i ndryshëm nga ai i mëparshmi, me të tjera diapazone, me të tjera konceptime, me të tjera arsyetime. Por ajo që është më e rëndësishme qenia njeri sa vjen e zgjerohet në krijimin e një botëkuptimi gjithëpërfshirës që natyrshëm të duket sikur të fal “tërë botën magjike”

 


Ajo që ndërtojmë … 


Çdo veprim që ndërmarrim, çdo projekt që realizojmë, çdo libër që lexojmë, çdo arsimim që marrim përbëjnë rrugëtimin tonë dhe në këtë mënyrë ndërtojmë jo vetëm identitetin, por edhe të ardhmen tonë.

A mund të ndërtojmë një botë iluzive? 

E rëndësishme është të mos ndërtojmë një botë dhe botëkuptim të gabuar në mënyrë që  më pas të mos pendohemi për sipërmarrjet tona. 

Çdo gjë që skalisim në mendjen tonë në çdo rrugëtim përbën stacionet jetike të hartës së jetës tonë. 

Përse të mos ndërtojmë sa më shumë stacione që nesër të kemi muzeun tonë të iluzioneve, tashmë të kthyera në realitet. 

Tashmë e kuptojmë më së miri se s’mjafton thjesht të kemi vetëm një profesion, përkundrazi duhet të bëhemi edhe historianë të mirë, edhe gjeografë të mirë, edhe matematikanë të mirë, edhe fizikantë të mirë, edhe biologë të mirë, edhe kimistë të mirë, edhe psikologë të mirë, edhe sociologë të mirë, edhe artistë të mirë, edhe inxhinierë të mirë, edhe arkitektë të mirë, edhe mjekë të mirë, edhe opinionistë të mirë…. Ku emëruesi i përbashkët është që padyshim të jemi njeriu i mirë i vlerave të larta njerëzore për të qenë i pranueshëm jo vetëm për veten, por për shoqërinë… 

Mos harroni të sillni risi në atë që bëni dhe veproni duke rinovuar përherë mendjen dhe shpirtin tuaj në mënyrë që edhe këndvështrimi juaj të jetë plot gjallëri… 

Kini kujdes të jeni i kënaqur me atë që bëni dhe veproni në mënyrë që të forconi bindjen tuaj se kërkimi i dijes është obligim për çdo moshë dhe për çdo kohë…



Nga Evans Drishti  


©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

1,732 Lexime
2 vjet më parë