Ndahet nga jeta studiuesi i shquar i letërsisë shqipe, Prof. Ali Xhiku
Prof. Ali Xhiku la një trashëgimi të vyer në studimet e letërsisë shqipe. Shtëpia Botuese Albas pati privilegjin të bashkëpunonte me të për botimin e veprës "Historia e letërsisë shqipe", një kontribut me vlerë të veçantë për arsimin dhe kulturën shqiptare.
Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare pedagogu, studiuesi dhe historiani i njohur i letërsisë shqipe, Prof. Ali Xhiku, një nga figurat më të rëndësishme të mendimit letrar shqiptar.
Për dekada me radhë, Prof. Xhiku kontribuoi në formimin e brezave të studentëve në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku ushtroi edhe detyrat e zëvendësdekanit dhe dekanit. Ai la një gjurmë të thellë në studimet e letërsisë shqipe, duke sjellë një qasje bashkëkohore në kritikën dhe historiografinë letrare.
Veprimtaria e tij shkencore përfshin një sërë botimesh me vlerë, ndër të cilat spikasin: Letërsia shqipe si polifoni, Duke lexuar letërsinë e traditës, Nga romantizmi drejt rrjedhave të realizmit, Përmes mendimit historiko-letrar të Çabejt, Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe, si dhe vepra Faqeve të historiografisë shqiptare, e cila u vlerësua me çmimin "Autori i librit më të mirë studimor" në Panairin e 28-të të Librit.
Prof. Ali Xhiku ka shërbyer gjithashtu si drejtor i Institutit të Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave, duke mbrojtur gjatë gjithë karrierës së tij idenë se historia e letërsisë duhet të ndërtohet mbi analizën e teksteve dhe zhvillimeve reale, larg ndikimeve ideologjike.
Shtëpia Botuese Albas pati nderin të bashkëpunonte me Prof. Ali Xhikun për botimin e veprës së tij "Historia e letërsisë shqipe", një kontribut i çmuar për studentët, studiuesit, mësuesit dhe të gjithë lexuesit e interesuar për trashëgiminë letrare shqiptare.
Portali Shkollor shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe gjithë komunitetit akademik. Trashëgimia shkencore dhe intelektuale e Prof. Ali Xhikut do të mbetet një pikë referimi e rëndësishme për studimet e letërsisë shqipe.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Junila Lala, ndër mësueset e gjuhës shqipe në Greqi që u shpërblye nga shteti shqiptar pas disa vitesh vullnetarizëm
21 shkurti, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare