DEDIKIM

Ndarja nga jeta e publicistit Arben Xoxa, miku i tij dedikim prekës

Ishte krejt e papritur për mua vdekja e parakohshme e Arben Xoxës, djalit te shkrimtarit te shquar Jakov Xoxa; ishte nje kolegu im, që kemi ndarë vite pune, përkushtimi, miqësie, respekti; dhe një tavolinë diskutimesh për artin, estetikën, letërsinë.

Ishte krejt e papritur për mua vdekja e parakohshme e Arben Xoxës, djalit te shkrimtarit te shquar Jakov Xoxa; ishte nje kolegu im, që kemi ndarë se toku vite pune, përkushtimi, miqësie, respekti; dhe një tavolinë diskutimesh për artin, estetikën, letërsinë, kinematografinë. Në Qendrën e Studimeve të Artit të Akademisë së Shkencave ku punoi disa vite, ai paraqiti dhe diskutoi përpara vitit 1990 në departamentin e teatër-kinematografisë ku bëja pjesë dhe unë, tezën e tij doktorale. Për mua ajo ishte një dritare përtej ngurtësisë doktrinore estetike të kohës. 


Mendja e Benit turavrapej në rrafshe të tjera teorike bashkëkohore, aty ku mpiksej diçka e ndaluar por që kishte nisur sakaq të dilte në syprinën e mendjeve tona të lodhura dhe të etura ndaj qasjeve të reja estetike. Paçka se citimet nga të “huajt” nuk lejoheshin asoherë, absolutisht, ai kishte i sjellë mendimin dhe eksperiencat e kinematografisë së viteve ’80, ashtu “tinëz”. E mbaj mend atë diskutim sa të frymoj, mbaj mend këmbënguljen e tijt në idetë e veta prijëse. Beni ishte një djalë gazmor, energjik, vraponte sa andej-këndej, tejet i respektueshëm ndaj kolegëve. Kishte një bindje e besim të fortë ndaj vetes dhe të vërtetave që mbronte. 


Bashkë kemi këmbyer shumë mendime të kundërta, kemi diskutuar orë të tëra, por në fund ai më përcillte me atë buzëqeshjen e tij, pa mbajtur në vete asesi blozën e egos së sëmurë, e krenisë boshe, sikurse ngjante me ndonjë tjetër. Nuk dinte të mbante hatër, sepse qe natyrë e hapur, e drejtpërdrejtë. Në revistën “Skena dhe ekrani” ku botoja shpesh, e hasja edhe emrin e Benit. Por nga gjithë shkrimet e tij në faqet e asaj reviste tejet të pëlqyer për kohën, edhe sot e kam në mendje artikullin e tij në dy numra mbi dramën e Fan Nolit “Izraelitë e filistinë”. Më habiste qasja e tij analitike, derdhja e një filozofie arti dhe përsiatjeje të nivelit të epërm për fundvitet ’80, dhe pa drojë them se e pata lexuar, ndofta, edhe tre herë atë shkrim elokuent e të thelluar, dhe kam cituar shumëçka në studimet e mia për dramën dhe teatrin shqiptar më pas. 


Nuk e di pse në disa tipare morale të tij personaliteti i tij më “ngjiti”, dhe siç qe e modës asoherë, ne edhe shkuam e vamë nëpër familjet e njëri-tjetrit. Kur i lindi goca e vetme, shkuam dhe e uruam. E kam në sy si tani gëzimin e Benit teksa e shihte të bijën, ashtu e vockël, dhe krejt i lumtur pas saj, ai lazdrohej e lazdrohej, teksa ora ikte e kënaqësia e tij s’mbaronte. Iku dhe vate letërsia, teatri, kinematografia, estetika, diskutimet e zjarrta me shoqi-shoqin nga qeshja e vogëlushes. Sytë e së bijës e kishin përthithur krejt, si çdo prind të “vonuar” që shijon frytin e shenjtë; sepse unë i kisha fëmijët më të rritur, e kasha kaluar atë mrekulli...


Pas vitit 1990 Beni u mor me librin enciklopedik, por nuk hoqi dorë nga shkrimet, pasioni i tij parak. Disa herë ishim takuar edhe aty, diku pranë Shtëpisë Botuese Enciklopedike, editor i të cilës qe, dhe u ulëm një nga ditët e vitit që shkoi te një kafe bri, “Oslo” quhet, pranë kësaj Shtëpie Botuese; u shmallëm, pyetëm për fatin e kolegëve poshtë e lartë, kujtuam gjëra të bukura, miq, situata, ngjarje, sepse nostalgjitë kullojnë përherë ëmbëlsi.


Ah! Beni i dashur, ti ike befas! Askush nuk e ka besuar se ti, me atë shëndet prej atleti, i drejt e i gjatë, i bukur dhe që u ngjiteshe maleve me çiften krahut, që nga Kurbini e në Gjirokastër, me pasionin e gjahtarit; ti njeriu i qeshur, tolerant, plot shije jete e miqësie, ti Beni ike si pa “pyetur” kënd. Ike mik, siç ikin gjithë vdekëtarët e kësaj bote, por le pas një emër të mirë, emrin e një intelektuali të formatit bashkëkohës. Prehu në paqe!


(Josif Papagjoni, studiues dhe kritik arti; Portali Shkollor)

2,768 Lexime
5 vjet më parë