Një aventurë me librin “Letra Milenë Jesenskës”
Ese e vlerësuar për veprën “Letra Milenës” të Franz Kafkës nga Deliza Dedinca, nxënëse e klasës IX, shkolla “Xhemail Mustafa”, Prishtinë.
"Besoj se edhe t’i pyet veten se a të dua (unë), por kjo pyetje, e dashur Milena, s’ka përgjigje”. Çdo letër, çdo fjali, çdo thënie në këtë vepër, deri në pikën e fundit, ishte tragjike duke parë këtë vepër nga këndvështrimi i të menduarit kritik. Kjo, duke qenë aq perfekte, duke mos i munguar asgjë është edhe e vështirë të gjesh fjalët e duhura për ta përshkruar. Dashuria e madhe ndaj Milenës nuk përshkruhet me fjalë ose, si ta them, dashuria imagjinare ndaj saj. Mbi të gjitha, kjo ishte dashuri nga distanca, në të cilën shfaqet Kafka duke ëndërruar për vajzën të cilën e quante parajsë. Vetminë e tij nga kjo dashuri në distancë e shuante kur afrohej te dritarja dhe fillonte të shkruante me vetëdijen e plotë se ajo nuk kthente prapa asnjë fjalë. Me vetëdije të plotë kur shkruante, ai lironte dhimbjen e tij, por asnjëherë nuk e cekte atë në letra që të mos e mërziste. Milenën, edhe pse ai po vdiste dalëngadalë.
“Ti je thika që ktheva brenda vetes dhe kjo, e dashura Milenë, është dashuri.”; një dashuri speciale për vajzën e ëndrrave, e cila ishte e martuar, por ëndrrat çdoherë janë qetësuese dhe askush nuk ka të drejtë t’i ndalë ato. Kështu, Kafka realizonte takimin me Milenën vetëm në ëndrrat e tij, pa u dorëzuar asnjëherë nga dashuria për të vazhduar ta donte çdo ditë e më shumë, deri në pikën ku ngeli edhe pa përshëndetje, pa fjalë hyrëse; duke kuptuar që edhe ai vetë kishte filluar të shuhej. Por shuarja nuk ndalte dot dashurinë e tij duke i thënë asaj se: “E dashur frau Milena, nëse 100 vetë do të të duan, unë do të jem një nga ta; nëse 10 vetë do të të duan, unë do të jem një nga ta, e nëse një do të jetë numri i atyre që do të të duan, ai do të jem unë dhe, në fund, nëse nuk do të ketë askush që do të të dojë, dije se unë kam vdekur.”
Sa do të doja që vetëm edhe një herë ta përjetoja leximin e këtij libri nga fillimi duke mos ditur gjë, por, herën tjetër, leximi i kësaj vepre në një univers tjetër të mos kishte përfundimin: “Pardje, në sanatoriumin Kierling të Klosterneuburgut afër Vjenës ka vdekur Dr. Franz Kafka, një shkrimtar gjerman që jetonte në Pragë”, e shkruar nga vetë Milena Jesenska, Nekrologjia e Franz Kafkës. Do të doja përfundimin më ndryshe e më të bukur: “Sot, në Pragë, Franz Kafka shprehu dashurinë për vajzën e ëndrrave, siç edhe ju miq e dini, Milenës. Ata jetuan të lumtur së bashku, ku vetëm vdekja pati mundësi t’i ndajë.”
Kafka nuk ngopej asnjëherë me pamjen që ia kishte dhënë kur kishte parë për herë të parën zonjën e tij. S’donte të shkëpuste sytë asnjëherë nga ajo dhe rrjedhimisht i shkruante: “Sikur të isha dollap në dhomën tënde të kisha mundësinë të të ngulja sytë tërë ditën gjatë”. Por, siç e thonë edhe ligjet e natyrës që edhe gjërat e bukura kanë përfundim, kjo vepër vetëm se zbatoi urdhrin e saj: një fund tragjik e të ligë. “Askush nuk e di se ç’po ndodh me mua, në fakt, as unë vetë nuk e di, por ti e di, e dashur Milenë, më njeh mua më mirë se unë veten time; ti je qetësia dhe zhurma e shpirtit tim. Nëse do të bëhesh me mua, do të hidhesh në humnerë, jam i lirë, andaj jam i humbur.”
Sikurse çdo njeri që gjen shpirtin binjak, me të cilin ndan çdo moment, për Kafkën qe Milena si ilaçi i qetësisë së shpirtit të tij të mbyllur që nuk donte shoqëri me askënd.
Shkruar nga Deliza Dedinca,
nxënëse e klasës IX, shkolla “Xhemail Mustafa”, Prishtinë.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Lufta, fataliteti i jetës njerëzore” ese nga nxënësi Roen Raço
Ta duam dhe të mbrojmë tokën
Poezia "Çlirimi"