Krijime

“Një biri të ëmbël”, poezia dhe dedikimi emocionues i një nëne për fëmijën e saj me autizëm

Dedikimi dhe poezia që vjen nëpërmjet këtij artikulli pasqyron një pjesë të shpirtit të nënës dhe mësueses Selime Kotori Barolli, për fëmijën e saj me autizëm; thirrja për të vepruar praktikisht për fëmijët me autizëm kërkon vërtetë vëmendjen e të gjithëve ne...

Në teori për fëmijët me autizëm ndodhin shumë angazhime nga shoqëria, nga media ndoshta dhe nga institucionet e edukimit. Po në praktikë, në terren kush, cili prej jush/nesh  bën një hap drejt atyre që fati i ka drejtuar në destinacionin e vetmisë,errësirës, braktisjes, heshtjes, dhimbjes, pafuqisë?...


Sa shumë publicitet dhe reklama për autizmin, a thua se për ata që e jetojnë fizikisht dhe shpirtërisht  mund të ndizet drita e shpresës ...


Autizmi ka një dimension  të gjerë, të thellë, shumëplanësh, të ndryshëm të cilin askush nuk mund ta përkufizojë dhe ta matë. Të vetmit aktorë dhe faktorë që bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë  me autizmin janë vetë individët e pafajshëm dhe të brishtë me prindërit e tyre.


Sikur 24 orë të jetoni jetën e prindërve me fëmijë që vuajnë nga autizmi  do t'ju duhet të filloni ditën që me lindjen e diellit, të ndjeni pafuqinë e edukimit të fëmijës, të mos gjeni dentist për të rregulluar dhëmbët e fëmijës, të mos i ofroni shërbimin e nevojshëm shëndetësor, të mos përdorni transportin publik si të gjithë njerëzit, të jeni i kufizuar në jetën tuaj, të humbisni ngjyrat e jetës, të përjetoni frikë aty ku nuk e kuptoni atë...


Poezi


Një biri të ëmbël


Më jep një ngjyrë

O biri im..ç’të duash

Blu…të ashpër të bardhë me vraga a ngjyrë ëndrrash

Mbi rërë a gur shpirti të vizatoj lutjet

Veç ti të mos vuash!

Një fjalë ma jep, fjalë të padëgjuar

Relika ime le të jetë si bedenë

E brishtë si lulet në lindje

Kuptimplotë sa një legjendë!

Dhe telajot ku ti ngjyrat e shpirtit hedh për nat’

Do jem çdo Nënë për ty

Her’ mbuluar me dhimbje të paqme

Dhe herë pa shtrat!



Nga Selime Kotori Barolli


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 


392 Lexime
2 muaj më parë