“Një copëz jete...” nga Anila Ballhysa

“Një copëz jete...” është shkrimi letrar i Anila Ballhysa, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Shtator... 

Jeta vazhdon në rutinën e saj dhe tërë qenia tretet si qiri, pak e nga pak, në hapësirën reale duke shtyrë ditët dhe dëshirat e sotme me fjalën gënjeshtare ”Nesër”. 

Ndërsa bota rri e heshtur, mizore në pamjen e saj, pyes veten: 

“A mund t`i japë kjo botë ngjyrime jetës sonë? A ndikon ajo në karakterin e sjelljet tona? 

Me bindje të plotë them se po. Dhe çdo ditë ndeshem me realitete të ndryshme, e padyshim edhe përballjet janë të ndryshme.


Ishte viti 2000….


Do të përsëritej rituali i zakonshëm i marrjes së klasës së gjashtë, pasi kisha dorëzuar të nëntat. Përballja e parë me klasën ishte sa e bukur, emocionuese, aq edhe trazuese. Prezantimi me nxënësit ishte interesant. Të gjithë kishin dëshirë të tregonin për veten, madje kishte raste që tregonin edhe për të tjerët. Çiltërsia dhe pafajësia e tyre më mbushte shpirtin, më rinonte… Lumturohesha kur dëgjoja zërat dhe mendimet e tyre të sinqerta. Ato i ngjasonin këngës së bilbilit, aq të ëmbël e të bukur ishin.


-Po ti, si quhesh? - iu drejtova vajzës në bankën e fundit.


Më tërhoqi pamja e saj: flokët e dendur gështenjë, sytë kaf të mëdhenj, buzët e vogla si qershi. Ajo qëndronte e vetme dhe e trishtë.


-Inva, - u përgjigj ngadalë ajo, sikur donte të mos ua prishte qetësinë të tjerëve. 


-Është pa mama, jeton me njerkë mësuese, - u dëgjuan disa zëra në grup. Mbi mollëzat e kuqe të vajzës dy pika lot rrëshqitën. 


-Ç`bëra?! - i thashë vetes, - më mirë mos e kisha pyetur. 


Fëmijët janë të vërtetë, çdo gjë e thonë siç e kanë dëgjuar. Iu afrova Invës. Ia përkëdhela flokët dhe e ftova të dilnim jashtë. E përqafova dhe me shpirtin copë i thashë: 


”Unë jam këtu, për çdo gjë që të kesh nevojë, dua të më japësh fjalën se me mua do të flasësh sikur të isha nëna jote.’’ 


Më shtrëngoi me duart e vogla dhe më falënderoi duke belbëzuar: “Po mësuese!”.


Inva kishte ardhur nga një shkollë tjetër. Duhej të interesohesha për të. Ditët vazhdonin në rutinën e tyre. Çdo ditë e javës ishte e mbushuar me ngarkesat dhe streset e nxënësve. Ajo vogëlushe qëndronte e heshtur, e brishtë dhe stoike në mendjen dhe shpirtin tim. Tashmë ishte bërë pjesë e jetës sime. Flisja për të edhe me vajzat e mia, aq sa e vogla kishte filluar të shfaqte shenja të lehta xhelozie. 


Njëherë në tryezë, instiktivisht shtrova një set të enëve më tepër se sa pjesëtarët e familjes. Vështrimi i së voglës sime më zgjoi nga ëndrra. Ajo ishte kryqëzuar në tavolinë, ishte në këndin tim, në dhomat e mia, te vajzat e mia, në familjen time...


 Rrëmbimthi u ngrita, tërhoqa të voglën për dore dhe duke e sqaruar me ca fjalë të përcipta dhe të shkëputura u gjendëm në supermarkete e dyqane. Lashë vajzën të zgjidhte, pashë në sytë e saj dhembje e dashuri njëherazi. 


-Më në fund, - thashë me vete, - po më kupton. 

Me zërin  e butë, të qetë e të ëmbël Erda më pyeste herë pas here se çfarë duhet të merrte. E dija që ishte e ndjeshme, e dashur, e doja të bëhej një me mua në brengën time.


-Sa e bukur është vajza ime! - i thashë vetes. E përqafova fort në kraharor. Tik-taket e zemrës së saj më ngjanin me akordat e një pianoje. Ka shpirt të butë, - mërmërita. Në kllapinë e fantazisë humba diku larg, në lotin e ngrohtësisë, duke harruar skena plot dhembje.

 

-Do të vij dhe unë me të, - më zgjoi zëri melodioz i Erdës. Nata m`u duk e gjatë, e pafundme. E verbuar nga drita e yjeve, vrapoj pas një ylli bredhës, derisa pashë të shfaqej ylli i mëngjesit. Të dyja, me dhuratat në duar, e takuam vogëlushen në oborrin e shkollës. Inva na përshëndeti pa u ndalur. 


-Kjo është Erda, - e prezantova - vajza ime e vogël. Erda të njeh, të njeh më shumë seç mund ta imagjinosh, ti je pjesë e jetës sonë. Erda i zgjati dhuratat dhe një zarf. Më surprizoi, pasi s’e dija ç`kishte në të. (Më vonë mësova se Erda i kishte dhuruar të gjitha kursimet e saj). Qëndruan të dyja gjithë atë ditë, për ta vazhduar më tej miqësinë. 


E ftonim shpesh Invën në shtëpinë tonë. Ishte e lumtur, edhe ne bashkë me të. U bë “vajza” ime e tretë, ”motra” e vajzave të mia. Kisha hequr nga supet një pjesë të brengës sime, u mundova të zë një copëz vendi në shpirtin e saj të plagosur, derisa vajza të largohej për te vëllezërit jashtë shtetit. 


Ditën që u ndamë më përqafoi me lot në sy, duke më dorëzuar një letër, të cilën do ta ruaj për gjithë jetën. 


“E dashura, e mira, e dhembshura mësuese,”nëna ime”!

Dua të të falënderoj, por fjalët janë të pakta përpara asaj që ti ke bërë për mua. Isha vajza më e vuajtur, isha një emër i plagosur, njollosur me ndjenjën e fajit që kur linda, me fashat e vuajtjes jam lidhur që në djep. 

Eca me vuajtjet e tmerrshme dhe ankthet e gjata, bashkë me gënjeshtrat, thumbimet, copëtimet... 

Kaluan vite...

 Erdhe në jetën time atëherë, kur i lutesha Zotit për një Engjëll mbrojtës. Ti zbrite tek unë atëherë, kur jeta ime ishte plot erëra e rrufe të frikshme. 

S`do të të harroj kurrë ‘Nëna ime e dytë’. 

Të dua pafund. Inva!”



Lotë të nxehtë më rrëshqitën pa e kuptuar. Kisha bërë diçka të mirë në jetën time, diçka fisnike si vetë misioni ynë. Për herë të parë, në gjithë rrugëtimin tim m`u duk se e meritova të quhesha “Mësuese”.



Anila Ballhysa


Anila Ballhysa ka lindur në Peqin më 15.04.1974. Ka mbaruar studimet e larta në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, në Universitetin ”Aleksandër Xhuvani” Elbasan. Punon aktualisht në shkollën 9-vjeçare “Demir Godelli”, Peqin. Pasioni i saj është të shkruajë dhe puna me nxënësit me plot përkushtim. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,084 Lexime
8 muaj më parë