Festivali i Librit

''Një det me libra...”, nis më 17 gusht Festivali Veror i Librit në Durrës

Çdo mbrëmje e datave 17-21 gusht, në qytetin bregdetar të Durrësit, do të jetë tejet e veçantë pasi atje do të zhvillohet Festivali Veror i Librit. Përgjatë këtyre netëve nga ora 19.00 deri në orën 23.00 ju do të keni mundësinë të njiheni me botimet e reja, por edhe të shijoni plotë aktivitete artistike.

Jemi mësuar të marrim pjesë në panaire librash kur bie fjala për të promovuar ose njohur në masë botimet e reja, por “Një det me libra…” do të jetë një festë ndryshe e librit. 


Festivali Veror i Librit, i  pari i këtij lloji që zhvillohet në vendin tonë, do të mbahet në Durrës nga data 17-22 gusht. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë rreth 35 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.


ALBAS në stendën e saj do sjell titujt më të pëlqyer të kësaj vere për ju dhe fëmijët tuaj, teksa mund të njiheni sigurisht edhe me larmishmërinë e botimeve të zhanreve të ndryshëm. 


Pse festival i librit?


Ky do të jetë një panair libri ose aktivitet libror i cili do të ndërthuret me plotë aktivitete të tjera artistike dhe padyshim kjo pritet t’i japi gjallëri jo vetëm qytetit të Durrësit, por edhe pushuesve që kanë zgjedhur këtë qytet bregdetar për të kaluar ditët e nxehta të verës. 


Qëllimi i këtij festivali është ruajtja e lidhjeve me lexuesit ose krijimi i lidhjeve të reja aty ku mungon libri, si element ky i sigurt i kulturës, për një të ardhme më të mirë, më të kulturuar dhe evropiane. 


Në shëtitoren buzë detit, në sheshin Taulentia, në Muzeun e Durrësit, në amfiteatër etj, mbrëmjet do të bëhen tepër të veçanta, pasi botuesit, autorët e librave, përkthyesit do të jenë shumë pranë lexuesve për të bashkëbiseduar, ndërkohë që nuk do të mungojë muzika dhe performanca nga grupe të ndryshme artistike. 


Të gjitha aktivitetet do të zhvillohen nën kujdesin e Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit. 

Shoqata e Botuesve Shqiptarë shpreson që ky festival të kthehet në një traditë. 



Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,040 Lexime
1 vit më parë