SHKRIM

Një motiv më shumë për të hyrë në librin “Guinness”

Përveçse mësuese dhe prindër model tani do të quheni dhe inisiatorë të kësaj nisme për mësimin dhe edukimin nëpërmjet aktiviteteve dhe argëtimit. Tani keni dhe një motiv më shumë për aktivitetet tuaja të radhës

Nëse kësaj vere do të arrish t`i nxjerrësh nxënësit e tu në bjeshkë, ku ata të mbledhin vetë boronica dhe luleshtrydhe, të njihen nga afër me çajra dhe bimësi të ndryshme natyrore, të garantoj se në fund të vitit tjetër, pra kur të mbarojnë fëmijët klasën e katërt, ti zysh së bashku me nxënësit e tu dhe prindërit e tyre do të hyni në librin “Guinness”, të rekordeve.


Bashkëpunimi mësues-prindër, po luan një rol të rëndësishëm në rritjen dhe mirëedukimin e brezave të rinj. Ekskursionet dhe vizitat e shumta nëpër muze dhe shtëpitë muze si dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë, po rrit jo vetëm ata nxënës, por dhe prindërit së bashku me mësuesen/it e tyre.  


A i motivojnë institucionet shkollore mësuesit, nxënësit apo prindërit me aktivitetet e tyre? Rast i rrallë, kur shihet dy herë një film thonë që s`ka më vlerë. Një ditë Agimi me të drejtë i tha: - “mësuese e katërta herë në të njëjtin vend. Atje erë e keqe, shumë mbeturina rreth e rrotull, jo lule, s`ka aromë. Sikur na ngeli fiksim diçka dhe duam me patjetër ta shohim përsëri. Këtë vit s`do të vij". Ka të drejtë. 


Por, ekziston ai rasti ku në një shkollë investojnë disa prindër të një klase, në klasën e fëmijëve të tyre? Duke i shëtitur fëmijët për çdo të premte duke përfshirë minutazhin e pushimit të gjatë plus dy orët e fundit që mund të jenë VJK ose Edukim Fizik, pasi mësuesja enkas e ka llogaritur orarin mësimor të tillë që të mos humbasë asnjë orë mësimi. Nëse dalin jashtë qytetit ata do ta lënë për fundjavë, ditën e shtunë. Dhe ato dy orë mësimore janë quajtur “Supriza për yjet e klasës sime”, fëmijët nuk e dinë se ku do të shkojnë, nëse është shi e kuptojnë se do të qëndrojnë në klasë, por prapë presin suprizën, sepse dikush do të trokasë te dera e tyre në orën dhjetë pa dy-tri minuta, nëse është ditë me diell do të gëzohen dhe mbarojnë mësimet shpejt e shpejt. Disa prindër rreth pesë-gjashtë prej tyre me makina i shoqërojnë gjithmonë, se tani kanë dhe disa mama makina. 


Mjafton të jetë ditë e premte me ose pa diell. Në qoftë se është shi një nga prindërit me një profesion të caktuar, si polic/e, mjek/e, kuzhinjer/e, rrobaqepës/e, artist/e etj do t`u shkojë në klasë dhe ata do të demonstrojnë punën e tyre të përditshme, ku fëmijët njihen më afër me lloje të ndryshme profesionesh, duke i praktikuar. Vetëm fytyrat e qeshura të tyre të shikosh se si e vështrojnë personin tjetër që po luan rolin e mësueses për ato dy orë, shohin diçka të re nuk bëjnë zhurmë, rrinë gjithë sy e veshë dhe modelojnë/imitojnë/krijojnë së bashku. 


Ndërkohë që ato të premte me diell ata do të shkojnë me radhë në një nga këto vende si; në teatër, në cirk, te një kompani televizive, te një Shtëpi Botuese, në një promovim libri, te Muzeu Kombtar, te Kodrat e Liqenit, te Ringu, te një lokal ku ka shumë lodra/lojra për fëmijë. Dhe më e bukura kur shkojnë te ndonjë fermë bujqësore, ku kultivohen bimë të ndryshme, apo fermë blegtorale si kecash, qengjash gëzimi i tyre është i papërshkrueshëm, te ndonjë pulari, te Kopshti Zoologjik, te Kopshti Botanik. Te ndonjë furrë buke apo pastiçeri etj, pa harruar vizitën te banka ku njihen me kursimet dhe shpenzimet. Si të mëdhenj duken ata nxënësit e arsimit fillor të asaj klase, kur i sheh nëpër foto gjithë sy e veshë dëgjojnë/komunikojnë dhe mësojnë nëpërmjet ekskursionit dhe argëtimit. Kur kthehen në klasë kanë filluar që orën e mësimit (varet nga tema gjithmonë), ta bëjnë konkrete duke dhënë përshkrimet dhe bërë imitimet nga ajo çfarë kanë parë dhe dëgjuar nga aktiviteti.

  

Pra, janë dhe prindërit që mendojnë diçka të bukur, se kush do t`i ftojë apo udhëheqë asaj jave me mësuesen kujdestare pranë kuptohet. E shijojnë në maksimum atë shëtitje për arsye se është vetëm një klasë dhe jo katër apo pesë klasa njëherësh në të njëjtin ambjent, siç ndodh rëndom, ku se merr vesh i pari të dytin dhe gjysma e prindërve me të drejtë ngurrojnë t`i dërgojnë, pasi mund të dëmtohen ose jo komod udhtimi i tyre. Ka fëmijë dhe prindër që përfitojnë nga prindërit e tjerë pasi nuk kanë mundësi ekonomike, por që prindërit e tjerë shijojnë kënaqësinë dhe gëzimin e fëmijëve në grup me shoqërinë e klasës, plus kultura, komunikimi, fëmijët janë më të qetë, më të inkurajuar, punojnë më bukur në klasë dhe në shtëpi, sepse e kanë si motivim ditën e premte, shëtitjen. Pastaj njohja nga afër e fakteve, ngjarjeve, profesioneve, është pozitivitet dhe kulturë më vete. 


Siç thamë më lart ka raste kur mësuesja e kalon vetë një temë mësimi me qëllim që t`ua shpjegojë dhe t`i nxisë nxënësit që të flasin për atë temë drejtpërdrejt nga muzeu, apo ekskursioni ku do t`i dërgojë, po mësojnë dhe ata që s`kanë mundësi të eksplorojnë. Mësuese vitin tjetër në shtator, të gjithë nxënësit tuaj duhet të kenë nga një ditar me përshtypjet dhe impresionimet e tyre, gjatë shëtitjeve, pasi ua ke plotësuar shumë dëshira dhe nevoja.  

E rëndësishme është se përcillet shumë sjellje pozitive te ata fëmijë, mësojnë të mirëkuptojnë njëri-tjetrin, bëhen më tolerantë dhe humanitarë. Mësojnë se si duhet të sillen në shoqëri dhe se fëmijët janë të gjithë njësoj pavarsisht kushteve ekonomike që kanë. Dhe jo si nëpër disa klasa ku fëmijët u thonë mësuesve zëvëndësues apo praktikantë, se “mësuese është turp të rrish afër atij/asaj”, ndërkohë që është turp të dëgjosh shprehje të tilla sot nëpër shkolla. 


Pra, zysh dhe prindër që të hyni në librin “Guinness” të rekordeve, ju duhet sfida e radhës gjatë pushimeve verore të kësaj vere. Duhet të organizoheni për atë shëtitjen në mal, që rastëisht një vit më parë e kam biseduar me zyshën, në kohën kur ishte sezoni i boronicave. Ajo kërkoi të porosiste disa boronica të njoma, bio, pasi u impresionua nga fotot që nxora enkas për t`i “ngacmuar”në rrjetet sociale. Dhe ju përgjigja se tani iku sezoni i tyre dhe s`mund t`i kesh siç i do ti, por të sugjeroj që vitin tjetër bisedo me prindërit dhe duhet të vish t`i mbledhësh vetë me yjet e klasës tënde. Ku ka pamje më të bukur të shohësh një fushë aq të madhe plot me fëmijë, që mbledhin lule dhe vrapojnë për të kapur flutura. Mbase ndonjë prej fëmijëve është jashtë shtetit, me pushime apo është larg, por njoftimin duhet ta ketë. Si gjithmonë prindërit pa frikë duhet t`i besojnë mësueses së tyre.


Rruga është autostradë, zgjat dy orë. Pastaj me furgon arrini në destinacion është rrugë fshati që zgjat rreth gjysëm ore po të jetë rruga e mirë. Shpresojmë të jetë e mirë sepse shumë njerëz shkojnë për të mbledhur boronica dhe si rregull e sistemojnë një çikë rrugën, nga ato guralecët që shemben kur bie shi, ose rrëshkasin kur kalojnë bagëtia. Por më thanë se aty kalon furgoni çdo ditë pasi lidh fshatrat me njëra-tjetrën, dhe shkon deri në destinacion. 

Në mal/bjeshkë është shumë fresk, fryn një fllad i lehtë që të nxit imagjinatën, duhet vetëm kapele për mbrojtjen nga dielli, ndonjë ushqim që prindërit ua përgatisin fëmijëve ashtu si e dinë vetë. Meqë është ditë vere si gjithmonë kush ka makinë kuptohet çadra e plazhit dhe kampingu nuk i mungon bagazhit të tij. Ju duhet nga një shishe plastike 1.5 litërshe me grykë të gjerë, jo për të pirë ujë se ujë të ftohtë keni te burimi aty pranë, por kush do që të mbledhë boronica me qëllim që të mos shtypen. Boronicat janë shumë të shëndetshme. Ato mund të përdoren të njoma, për t`i bësh kos frutash. Mjaftojnë dhjetë kokrra boronicë dhe një gotë kos që të përgatisësh një kos frutash natyral, vetë. Luftojnë shumë sëmundje mbi të gjitha aneminë dhe infeksionet në veshka. Mund t`i mbash te akulli në frigorifer dhe t`i përdorësh gjatë gjithë vitit. Ose mund t`i thani. Kush është dembel mund t`ua blejë fshatarëve aty dhjetë mijë lekë kilogrami. Kur ta shikoni lodhjen dhe mundin nga afër të punës nuk do t`ju shkojë mendja te çmimi. E sidomos, kur të kuptoni vetitë shëruese të tyre.

Në të njëjtën kohë në atë periudhë piçen dhe thanat, thanat ashtu si boronicat janë shumë të shëndetshme, por kryesorja është se luftojnë diabetin dhe ruajnë trupin në formë, tip diete. Mund t`i mbani të njoma në frigorifer, mjafton disa kokrra në ditë që mos të trembeni asnjëherë nga sëmundja e sheqerit. 


Ose thanat mund t`i zieni t`i bëni limonadë, reçel etj, pa lodhje fare. Ka shtëpi nëpër fshatra që s`ka as kush t`i mbledhë, pasi janë larguar migruar apo emigruar dhe i hanë kafshët e të tjerve. Kur të kalosh rrugëve këmbësore të vjen keq për pasuritë tona, që i shkelim me këmbë dhe rinia në kurbet, sikur do të bëhemi të gjithë mbretër, s`ka punë, por nuk u vihet faj për shkak të arsyeve bazë për jetesë, shkollë, ambulancë dhe rrugë. 

Administratori i zonës, një intelektual shumë i zoti, i kthyer enkas nga mërgimi që t`i ndihmojë njerëzit e varfër aty, dhe të promovojë zonën e tij, duke i rritur vlerat dhe duke ruajtur traditat, duke nxjerr në pah bukuritë dhe mirësitë e vendlindjes të parëve të tij/tyre, këtë vit kishte vendosur se do t`u vinte në ndihmë më shumë banorve të asaj zone. Gjatë asaj periudhe, sezonit të vjeljes së boronicave në Qendër të zonës së Fanit do të vendosë një linjë furgoni, duke i marrë njerëzit dhe përgjatë rrugës, kush dëshiron të punojë, mbledhë, nga ato bimë me qëllim që të mos e bëjnë rrugën në këmbë vajtje-ardhje, të mos kenë as shpenzim kohe dhe as frikë nga kafshët e egra, sepse lodhjen s`e llogarisin pasi ajo punë është i vetmi mjet fitimi për gjatë gjithë vitit, për disa prej tyre. Për aq kohë sa ecin në këmbë ata mund të mblidhnin më shumë boronica dhe pagesën e furgonit e këmbejnë me boronica të njoma, varet nga largësia, sepse ajo u leverdis më shumë. 


Gjithashtu në qendër do të hapë një dyqan/frigofer të madh ku t`i mbajnë të freskëta në çdo kohë të vitit, që turistët dhe emigrantët e shumtë gjatë pushimeve të tyre, të porosisin dhe të blejnë nga këto lloj frutash me shumë vlera shëndetsore, të cilat e sfidojnë mjekësinë, si dhe të motivohen dhe banorët që janë aty duke mos lënë asgjë t`u shkojë kot. Pse jo dhe një kantinë për shumëpërdorimin e këtyre frutave.

Kur të arrini në qendër të zonës ky intelektual, tip ciceroni ose ndonjë mësues, i gjimnazit “Ndrec Ndue Gjoka”, mund t`ju prijë, shoqërojë me makinën e tij. 


Provojeni dhe s`do të ndalojnë më as prindërit të shkojnë atje jo më shkollat. Ka fusha pafund, dhe bukuri natyrore marramendëse, mbase fëmijët s`do të duan të kthehen, sepse duan t`i zërë nata aty që të shijojnë pasuritë e natës në fshat që ta bëjnë vetë krahasimin me varfërinë e natës në qytet. Do të duan të shikojnë dhe numërojnë yjet e shumtë dhe të zgjohen të nesërmen nga rrezet e arta me lindjen e diellit. Sepse aty ka dhe njerëz të tjerë që rrinë me çadra, tip kampingu. 

Nga njëra anë shihet gjithë lugina e Fanit, me majat qiellgërvishtëse të maleve të Fishtës. Aty do të kuptosh arsyen e bisedës së tij, me Orët dhe Zanat e malit. Do të kërkosh që të vizitosh “Gurrën e Lashtë” të Domgjonit, në rrëzë të malit të Munellës, ku piu ujë dhe u frymëzua Homeri shqiptar, Fishta. Pse jo do t`i takoni dhe Orët e Zanat, mbase po i presin me padurim këta engjëjt tuajt që t`u tregojnë më shumë rreth Fshtës. Pra dhe një ditë ndryshe për klasën tënde. Dhe nga ana tjetër e Zepës do të shihni mrekullitë e Lurës, me liqenet e saj. 


Mësuese hidhe hapin e para, se njerëzit në qytet dinë dhe duan të punojnë, të fitojnë, por nuk ka kush t`u prijë dhe ku t`i drejtojë. Organizoje një udhëtim të tillë, se do të përfitoni dhe ju dhe fshatrat e zonës përreth me këto aktivitete, pasi do të duan dhe migrantët dhe emigrantët të shkojnë më shpesh në vendlindje, për arsye të shumta, por dhe bio. Nëse s`i mbledhin vetë do t`i porosisin. Urimet e tyre do të ta bëjnë më të lehtë hyrjen në librin e rekordeve, përfshi aktivitetet e radhës, kur të filloni klasën e katërt, ku do të kesh dhe një arsye më të fortë për eksploruar atë vend. 


Pasi në dimër, aty në Qendër të Fanit bie shumë borë, por e butë, rruga nuk bllokohet asnjëherë, sepse është autostradë, dhe shumë lehtë mund të zbarkosh me prindërit dhe nxënësit tuaj në oborrin e shkollës “Ndrec Ndue Gjoka”, ndryshe “Komisari i Dritës”, ku do të njiheni nga afër me jetën dhe veprën e tij.   


Mendo se për nxënësit tuaj një ditë dimri me diell, por me borë të pashkrirë akoma, do të jetë dita më e paharrueshme e jetës së tyre. Nëse Berati quhet qyteti i Një Mbi Një dritareve, Mirdita do të quhet vendi i qindra-mijërave arsyeve për t`u vizituar dhe eksploruar. Kushedi se sa fëmijë të asaj ane ke apo ke pasur më parë me tridhjetë vite eksperiencë që ke ti. Mos harro se një ditë tjetër ty të duhet të binjakëzosh klasat. Dhe një ditë tjetër do të duhet të njohësh fëmijët me Florën dhe Faunën në malin e bukur të Munellës. Këtë vit ajo u njoh si Pasuri Kombëtare dhe mbrohet me ligj. Dhe akoma nuk ke mbaruar punë me atë shkollë, sepse një ditë tjetër me patjetër duhet të kërkosh që nxënësit tuaj të shikojnë vallet, të dëgjojnë këngët dhe instrumentistët e vegjël, si një ansambël i vërtetë, që me shumë dashuri po i përgatit mësuesi i tyre i palodhur i muzikës, duke nxitur krijuesin dhe kulturën, duke mbajtur gjallë traditën dhe zakonet. 


Zysh dhe prindër ky përshkrim i këtyre vendeve është vetëm një pjesë e atyre ditëve që mund të shkoni/vizitoni ju atje, deri tani ishin gjashtë aktivitete, sepse s`mund të kaloni rrugës as vajtje as ardhje pa u rënë në sy një kullë e vogël dhe e bukur në rrëzë të autostradës. Ajo quhet “Infokulla Mirdita”, është larg vetëm një orë nga Tirana, ndodhet në qytetin e vogël dhe të bukur të Rubikut. Është një kullë muze që duhet vizituar me patjetër, përveç kostumeve, veglave muzikore dhe gjërave, materialeve antike, aty do t`u bie në sy një raft i madh me shumë sirtarë, aty është historia, bukuria dhe vetë freskia e Mirditës. Te doreza e sirtarit është vendosur emri i një fshati apo vendi të Mirditës. Imagjinoni sa sirtarë mund të jenë, sepse Mirdita ka shumë fshatra dhe vende të bukura. Ata sirtarë janë plot me foto dhe peisazhe të pikave kyçe turistike të këtyre fshatrave. Mjafton që fëmijët të tërheqin një sirtarë dhe ata vetë së bashku me ju do të zgjedhin/zgjidhni guidat/aktivitetet e radhës, sepse ju në asnjë vend nuk shkuat dy herë, pasi motoja dhe synimi juaj është; “që asnjëherë nuk shkojmë për të kaluar radhën, kohën kot, por kudo që të shkojmë njihemi dhe mësojmë diçka të re”.  


Aty do të zbuloni suprizën e radhës e cila është austriakja që krijon, ideon, dizenjon, prin, organizon, mbron, dhuron, koncepton çdo gjë me detaje, për mirëmbajtjen e natyrës shqiptare, mbarëvajtjen dhe  mirëmenaxhimin e sfidave/situatave, për më tepër autore e disa librave etj. Nuk po ju them më shumë për atë zonjë grua, por mund t`ju them se nëse Mirditën apo Shqipërinë e harrojnë njerëzit e vet, atë do ta kujtojë vetë Zoti duke u dhuruar njerëz të tillë si atë dhe si administratorin, organizuesin e eventeve të ndryshme të zonës së Fanit, emrat e të cilëve mbeten t`i zbuloni vetë. Dhe mbi të gjitha si ajo grua, si ai inisiatori i zonës mund t`u dhurojnë nga një drekë falas te lokalet e tyre, vetëm prej fëmijëve dhe për punën/aktivitetet që po kryeni me ta. Se atyre nuk u kushton asgjë për më tepër u dhuron kënaqësi një grup /klasë nxënësish si vizitorë. 


Nëse Gjirokastra njihet si “Qytet Guri”, Përmeti si “Qyteti i Trëndafilave”, Korça si qyteti me “Bukuri Përrallore”, Shkodra si “Djepi i Kulturës”, Kruja si Qyteti i Skëndërbeut, Lezha si Besëlidhja e tij, etj, etj si çdo qytet në Shqipëri që ka bukuritë dhe veçantitë e tij, Mirdita do të quhet si qyteti i “Bukurive Mbretërore”, sepse maja e Zepës, Guri Nus, mali i Munellës dhe mali i Shenjtë formojnë kurorën e vërtetë, pasi dhe vetë Fishta jo më kot e quajti Mirditën “Ndera Arbnore”. 


Të afërmit në kurbet, hajde motër për vizitë, na sill fëmijët të kalojmë ditë. Motra e vëllezër po përshtatemi, me trishtimin dhe vetminë, por gjatë rrugëtimit në fshat vura re se këtë verë dhe lulja në gur ka filluar të mbijë. Ne s`njohim akoma Shqipërinë, s`kemi as kohë të sorollatemi, nga vendlindja po i kthejmë sytë, të eksplorojmë bukuritë, t`u shkojmë prindërve për vizitë, t`u bëjmë ndonjë punë të pastrojmë avllitë, pa kur kthehemi për shtëpi, dy-tri ditë kalojnë pa u ndi, shpejt fundjava do të vijë sytë nga dera kanë me i kthy, shohin mos po u vjen ndonjë bijë… 


Atje ku malet gërvishtin qiellin edhe retë arrijnë diellin, me Orë e Zana kur kuvendonte, at Gjergj Fishta po mendonte, për trimat Lahutën po nisë, me shkrim dua t`ja lë rinisë, me radhë brezat le ta kujtojnë se; “…vetë Perëndia ka me ju namë, kush mohon vend e vatanë. Orën çuet pse e ka Shqypnia? Me të vetë asht Perëndija, Burri, Leka e Kastriota. Amanet Shqypninë na e lanë. Mbret Shqyptari asht n`vend të vet. Burrë mbi burrat që ishin motit. Nuk u binte fjala n`tokë. Beja e bame duhet mbajtë. Mik me t`huej e vlla me shokë. Se për t`bukurën këtë Shqyptari, përherë do të ketë sokola të ri.” - vargje të shkëputura nga libri “Lahuta e Malsisë”.


Përveçse mësuese dhe prindër model tani do të quheni dhe inisiatorë të kësaj nisme për mësimin dhe edukimin nëpërmjet aktiviteteve dhe argëtimit. Suksese zysh dhe prindër, tani keni dhe një motiv më shumë për aktivitetet tuaja të radhës, hyrjen në librin “Guinness” të rekordeve. 



Drita (Gjaci) Topjana, mësuese e Arsimit Fillor, Qershor 2019

348 Lexime
5 muaj më parë