Përgatitja e prindërve dhe e fëmijëve për kopshtin
Arsimi parashkollor për moshat 3-5 vjeç nuk është i detyrueshëm, por këshillohet të frekuentohet, sepse përbën bazën e zhvillimit intelektual e psikofizik të fëmijëve. Aktivitete dhe lojërat kanë si qëllim të nxisin aftësitë krijuese dhe të komunikimit
Pasi mbush tre vjeç, mbërrin sfida e parë e madhe për një fëmijë: shkëputja nga krahët e mamit e babit (ose e gjyshërve) për të shkuar në kopsht. Arsimi parashkollor për moshat 3-5 vjeç nuk është i detyrueshëm, por këshillohet të frekuentohet, sepse përbën bazën e zhvillimit intelektual e psikofizik të fëmijëve. Aktivitete dhe lojërat që propozohen kanë si qëllim të nxisin aftësitë krijuese dhe të komunikimit sa më natyrshëm e më lehtë me të tjerët.
Sidoqoftë, shkëputja nga njerëzit e afërt dhe familjarizimi me shokët e rinj të kopshtit e mësuesen mbetet një situatë e vështirë dhe krijon ankth te shumica e fëmijëve që vijnë për herë të parë në kopsht. Ardhja në kopsht mbetet një situatë e re, në një territor të panjohur, që i frikëson fëmijët, qofshin edhe ata që vijnë nga çerdhet e që nuk e kanë për herë të parë jetën komunitare.
Por edhe për vetë prindërit, edhe pse janë të rritur, sidomos për mamatë, ky ndryshim dhe situatë është burim ankthesh e merakesh. Shumë nëna e përjetojnë këtë ngjarje shqetësuese me një ndjenjë faji dhe e ka të vështirë të pranojë këtë proces si të natyrshëm e shpesh nuk mund të mësohet t’i zotërojë shqetësimet, emocionet, merakun apo edhe xhelozinë. Ndërkohë, duhet bërë e pamundura që fëmijës t’i sigurohet qetësi për të përballuar këtë përvojë të re. Në të kundërt, frikës së fëmijës do t’i shtohen vetvetiu edhe frikërat e prindit, duke i krijuar mosbesime e duke i rritur ankthin. Ç’duhet bërë? Si fillim kërkohet që prindërit të përgatiten vetë, që pastaj të përgatitin fëmijën. Mami duhet t’i flasë që disa muaj më parë se të fillojë kopshti, t’i tregojë se atje është një vend i bukur, se do të luajnë me shumë shokë e shoqe, se ka shumë lojëra dhe se çdo ditë do të bëjë gjëra të
bukura që t’ua tregojë të gjithëve. Është mirë të shmangen fraza, si: “tani je bërë i madh/e madhe”, sepse me këtë fëmija kupton se rritja është shkaku që e ndan atë nga kujdesi familjar.
E mira është se disa kohë para se të fillojë kopshti, fëmija bashkë me prindin të vijë ta vizitojë kopshtin, duke ndenjur ndonjë orë atje, për t’u familjarizuar me mjedisin dhe mësuesen. Krijimi i një raporti të mirë mes mësueses dhe prindit është sigurues për fëmijën. Kur të vijë dita e shënuar, mami ose babi (ose të dy bashkë) duhet ta shoqërojnë fëmijën në kopsht. Kini parasysh se nëse arrini shpejt, ndër të parët, fëmija ka mundësinë të shohë duke ardhur fëmijët e tjerë dhe nuk do të ndihet i vëzhguar siç ndodh me fëmijët që vijnë të fundit.
Kur të ndaheni me të mos e gënjeni asnjëherë. Mos i thoni se do të shkoni të mbaroni një punë të vogël ose se do ktheheni shumë shpejt për ta marrë. Në këtë mënyrë do të humbë besimin te ju dhe nuk duhet të jeni pikërisht ju ai që e zhgënjen në këtë vend të ri e të huaj për të. Kur të ndaheni silluni të qetë dhe të sigurt. Nëse fëmija fillon të qajë ose nuk do të ndahet nga ju, mos e dramatizoni më tepër situatën, sepse kjo do t’i krijojë bindjen se diçka e keqe po ndodh. Mos u rrekni me shpjegime mbushamendëse. Bëjeni ndarjen të shpejtë, pa shumë premtime apo joshje për t’i blerë dhurata apo gjëra që i pëlqejnë, ndahuni menjëherë si të ishte diçka krejtësisht natyrale.
Kur të vijë ora për ta marrë nga kopshti jini në kohë: nëse ndihet i braktisur ditën e parë kjo do të përkeqësojë gjendjen edhe më ditën tjetër. Është e rëndësishme të mbahen premtimet për të mos tradhtuar besimin e tij dhe sidomos për ta siguruar se bëhet fjalë për një ndarje të përkohshme. Kini parasysh se një fëmijë tre vjeç nuk e ka të formuar ende sensin e kohës dhe kupton vetëm kohën e aktiviteteve, si: pas drekës, para gjumit e me radhë. Nëse një fëmijë ka vështirësi të përfshihet në grup mund të varet nga shumë faktorë si mjedisi familjar i tendosur, frika nga moshatarët ose thjesht nevoja për më shumë kohë për të pranuar realitetin e ri. Pra, është pikërisht faktori kohë, i cili luan rolin kryesor në integrimin e të voglit dhe përshtatjen me situatën e re.
Në shumë raste mund të shërbejë edhe qëndrimi për një farë kohe i mamit në kopsht (pa u përpjekur që ta bindë vazhdimisht me fjalë) duke e zvogëluar kohëzgjatjen e saj nga dita në ditë.
Ja disa këshilla:
- Përgatiteni fëmijën për çka e pret, duke i treguar se çfarë do të ndodhë, se edhe të dy prindërit e tij kanë shkuar në kopsht dhe të gjithë njerëzit shkojnë, që kopshti është një vend ku mësohen lojëra të reja, zihen shokë të rinj dhe bëhen shumë gjëra për të cilat ke ç’të tregosh:
- lëreni të marrë me vete nga shtëpia lodrën e tij të dashur me të cilën luan më shpesh në shtëpi, në mënyrë që të ketë një objekt ngushëllues;
- përcaktojani kohën se kur do të vini ta merrni, për shembull, pas drekës apo pas gjumit;
- mos ikni asnjëherë fshehurazi dhe thojini gjithnjë të vërtetën, sepse do shkaktoni te ai frikën se mami mund të ketë ikur për të mos u kthyer më.
Sugjerim
Një ide e mirë është tregimi i kujtimeve të mamit ose babit nga fëmijëria e tyre lidhur me ditën e parë në kopsht, përshtypjet dhe kapërcimi i frikërave e vështirësive.
Po ashtu, leximi i përrallave me fëmijë që shkojnë në shkollë për herë të parë është mjaft frytdhënëse.
Libra të tillë janë: Dita ime e parë e shkollës, i serisë Sjelljet më të mira ose Edhe mami punon i serisë Le të flasim hapur.
* Materiali është shkëputur nga udhëzuesi i dosjes Hop-Hop.
(Portali Shkollor)
Fëmijëria, koha më e bukur që më është falur
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali