Në çerdhen 24

Një trastë me mënyra, për mësim me ngjyra

Portali Shkollor vendosi të vizitojë më të vegjlit e botës së arsimit: fëmijët e çerdheve, dhe zgjodhi pikërisht “Çerdhen 24” në kryeqytet, e cila shquhet për aktivitetet e shumta dhe të ftuarit e herëpashershëm të të gjitha fushave.

Portali Shkollor vendosi të vizitojë më të vegjlit e botës së arsimit: fëmijët e çerdheve, dhe zgjodhi pikërisht “Çerdhen 24” në kryeqytet, e cila shquhet për aktivitetet e shumta dhe të ftuarit e herëpashershëm të të gjitha fushave.


Drejtoresha e çerdhes, Mirela Tërova, e mirëpriti këtë ide dhe mysafiren e radhës:  metodisten Rudina Çupi, e cila zhvilloi me vogëlushët shumë aktivitete edukuese e argëtuese.  


Rudi e di mirë se me fëmijët fillimisht duhet të miqësohesh, dhe...  ku ka më mirë se t’ia fillosh me vjershat me rimë dhe lojërat me gishta e duar?! Nga trasta e leckës që kishte sjellë me vete, ajo nxjerr një rrotull izolanti me ngjyrë. Ndërsa edukatoret zhvendosin karriget e tavolinat (ajo thotë se mësimi në dysheme është më frytdhënësi), ngjit në dysheme shiritin në formë rrethi, udhëzon fëmijët të ulen mbi të dhe, e ulur bashkë me ta, fillon: 


Ky një vezë bleu            (prek gishtin e vogël)

Ky vajti dhe e zjeu        (prek gishtin e unazës)

Ky kripë i hodhi              (prek gishtin e mesit)

Ky e qëroi                      (prek gishtin tregues)

A e dini ç’ngjau?            (bën një shprehje të habitur në fytyrë)

Ky tjetri e përlau            (prek gishtin  e madh dhe fërkon barkun)


Pasi e përsërit disa herë këtë lojë individuale që fëmijët ta përvetësojnë, ajo kalon në lojën në dyshe, atë me shuplaka: “Piu-piu-rikoko / sa gishta janë këto?”, si dhe lojëra të tjera me rimë, përmes të cilave rikujtohet koncepti i numërimit.  


Me trikon e saj, me tre filxhanë qumështi dhe me një rosë pelushi, ajo krijon çerdhen e nënë rosës të përrallës “Rosaku i vogël i shëmtuar”, që fëmijët e kanë mësuar këtë muaj (ajo është njohur paraprakisht me programin javor e mujor të çerdhes). Në fillim nënë rosa bën një, dy, tre vezë, pastaj çelin zogjtë: i pari, i dyti dhe i treti, nën kërcitjen e filxhanëve për të imituar krisjen e vezëve. 


Fëmijët rikujtojnë numrin si sasi (1-3) duke treguar pjesë të trupit të tyre për secilin numër; pastaj imitojnë rikat: mblidhen si në vezë, nxjerrin kokën dhe shohin me kureshtje botën, shtriqen mirë e mirë, çukitin ushqim andej-këtej  dhe pastaj shkojnë të notojnë duke kënduar. 

Izolanti i ngjitur në dysheme u shërben përsëri për të krijuar numra gjigantë, për mësimin e numrit si grafikë. Fëmijët vendosin rresht mbi vijëzimin e ngjitësit lodra pelushi e madje shtrihen mbi të edhe vetë. 

Fëmijët shohin me shumë kureshtje se ç’do të nxjerrë kësaj radhe nga trasta teta Rudi. Ajo i jep mësuese Mirelës disa tapa të mëdha shishesh uji ku ka shënuar numra, t’i vërë në tabaka e “t’i qerasë” fëmijët me nga një “numër të freskët”, ndërsa vetë vendos gjethe zambakësh uji me numra në rrethin me izolant, që tani do të shërbejë si pellgu ku notojnë rosat. Secili nga fëmijët ka një mision: duke u hedhur pupthi hop-hop si bretkosat mbi gjethet me të njëjtin numër si tapa, ta çojë tapën në bregun tjetër. Kjo lojë për zhvillimin e madh motorik i zhdërvjelltëson fëmijët, që tashmë u bënë më pjesëmarrës, sidomos nën duartrokitjet e edukatoreve dhe të shokëve më të vegjël, që u japin zemër

Po tani, ç’do të nxjerrë teta Rudi nga trasta? Ajo derdh një pluhur të bardhë në tabaka dhe dicka fsheh aty...  “Kureshtja është mjeti më i mirë i të nxënit”, – thotë ajo, kur të gjithë fëmijët afrohen për të parë se ç’është, madje, një fëmijë edhe e provoi dhe zbuloi se ajo në tabaka nuk ishte as rërë, as borë, as pluhur magjik, por kripë. Ata zhytën duart dhe zbuluan aty numra në vezë letre, madje, filluan të shkruajnë e të vizatojnë në kripë, gjë që i ndihmon ata për zhvillimin e vogël motorik


“Tabela e rërës, e cila mund të realizohet me çdo material të pluhurt të sigurt, si kripë, miell, oriz, ose edhe rërë kinetike etj., duhet të mos mungojë në asnjë prej niveleve të arsimit parashkollor” sugjeron ajo, “pasi përdoret për disa veprimtari që i shërbejnë zhvillimit tërësor të fëmijës: për zhvillimin e muskujve të vegjël të dorës, për njohjen shqisore, për lojën e memories, për lojën e thesarit, por mbi të gjitha, për shkrimin: kur fëmija ushtrohet duke e shkruar e duke fshirë disa herë numrin apo shkronjën, fiton siguri dhe shmang ankthin”. 


Përsëri duart në trastë? Çfarë do të nxjerrë kësaj radhe? Pas shkrimit në kripë, është radha që të shkruajnë me makarona spageti (që ata zakonisht kanë aq qejf t’i hanë me duar).  Mbi numrat e shkruar në fleta ata vendosin fije makaronash (të zbrujtura më parë në ujë të ngrohtë) dhe kjo i argëton ata pa masë.  

Pasi zhvillohen tërë këto veprimtari përgatitore njohëse, është radha të punohet me fletët e Dosjes HOP-HOP (e shtëpisë botuese Albas), që fëmijët i kanë shumë për zemër, pasi ilustrimet e tyre janë frymëzuar nga bota e fëmijëve të moshës 3-4 vjeçare: nga mjedisi në të cilin jetojnë, nga natyra, nga kafshët, si dhe nga përrallat e dashura e personazhet e filmave vizatimorë. Mësuese Mirela, e ndihmuar edhe nga edukatoret e tjera, u shpjegojnë fëmijëve kërkesat dhe i lënë të ngjyrosin të lirë në dysheme. 

Ndërkohë që fëmijët punojnë, teta Rudi zbulon e mrekulluar një skenë teatri të vërtetë me perde dhe me prapaskenë: ishte vendi i përkryer për të interpretuar dhe për të lexuar përrallën “Rosaku i shëmtuar”, nga libri “Përralla Klasike” nga seria “Klasikët e mi të parë”, që ne kishim sjellë për ta. E ndihmuar nga edukatoret e kudogjendshme, nga psikologia e çerdhes, Emisa Idrizi, e cila u kujdes të krijonte mjedisin e përrallës (pllaquritja në legenin ujë u pëlqeu shumë fëmijëve) dhe nga mësuese Mirela që lexon pas kuintave, përralla mori jetë dhe në sytë e fëmijëve ishte gati magjike. Gjatë përrallës, askush nuk ndenji pasiv: fëmijët imituan me zë, duar e këmbë zhurmat e natyrës, si fëshfëritjen e pemëve, flatrimin e zogjve, notin në liqen, si dhe me mimikë gjendjet e ndryshme shpirtërore: mërzi, mospëlqim, përçmim, gëzim, kënaqësi e mrekullim. 

Momenti i largimit është shumë i vështirë, sidomos kur fëmijët të shohin në sy, nuk pipëtijnë, por vetëm presin që ti të vazhdosh edhe më, paçka se mund të jenë ca të lodhur prej aq shumë veprimtarive e paçka se u ka ardhur ora e drekës. 


Por teta Rudi u premtoi se do t’i vizitojë sërish, radhës tjetër me lojë me role dhe me eksperimente në natyrë. 


Ne premtuam se do t’i vizitojmë më shpesh të vegjlit e kopshteve dhe të çerdheve të të gjithë Shqipërisë, që ata të kenë më shumë hapësirë në Portalin Shkollor. 

Ndërsa shtëpia botuese ALBAS kujdeset të sjellë për ta mjete didaktike profesionale: siç janë dosjet për të tria nivelet e parashkollorit, të përgatitura në përputhje me programin mësimor të MASR-së dhe të shoqëruara nga Udhëzues për Mësuesin, që përmbajnë metoda të larmishme didaktike të cilat arrihen thjesht e me mjete të zakonshme rrethanore, duke u ofruar prindërve dhe mësuesve mundësinë e zgjedhjes për një mësim sa më praktik e të suksesshëm, si dhe për zhvillimin e gjithanshëm të fëmijëve. 


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

3,207 Lexime
6 vjet më parë