Letra e një nëne

"Nuk dua që djali im të bëhet shpërndarës droge!"

Një nënë ka shkruar në adresën tonë dhe na ka treguar kushtet në të cilat jeton dhe marrëdhënien me djalin e saj maturant i cili nuk është i kënaqur me të ardhurat që ka në familjen e tij.

Përshëndetje Portali Shkollor!


Jam një nënë e dy djemve, njëri prej të cilëve është maturant. E lexova detyrën dhe menjëherë mendova për djalin tim. Ai është djalë i sjellshëm dhe nxënës me rezultate të mira, por këtë mendim mund të ketë edhe ai. 


Si familje me të ardhura mesatare ne nuk mund t’ia plotësojmë të gjitha kërkesat djemve, prandaj shpesh herë debatojmë. Situatën e mungesës së parave më keq duket që e përjeton djali i madh i cili normalisht kërkon më shumë para. Asnjëherë nuk ankohet sepse është tip i mbyllur dhe gjithmonë më rri mendja tek ai për këtë fakt.


Vitin e kaluar ai kërkoi punë. Pas pak kohësh filloi të punojë kamarier në një lokal që të kishte lekë në xhep siç thoshte ai dhe të mos na kërkonte më ne. Një ditë po flisnim dhe më tha që punoj shumë, por këto para nuk dalin për asgjë, tani jam në shtëpi dhe ju mbuloni shpenzimet dhe ushqimet, këto i mbaj vetëm për vete dhe janë pak, po sikur ju mos të ishit në punë çdo të bëja unë me kaq para.


U shqetësova shumë dhe i shpjegova që kjo që bën ai është shumë e mirë, sepse tregon që ai është i përgjegjshëm. Në këtë moshë kaq mund të bëjë, ndërsa më vonë nuk i dihet çfarë sjell jeta.


Në biseda të tjera më vonë kuptova se ai ishte i bindur që pagat janë shumë të ulëta në punët që ai mund të bënte. Është shumë kërkues dhe kjo është gjë e mirë. Por kur lexova këtë detyrë u preka jashtë mase dhe më pushtoi frikë po nëse edhe djali im ka këtë mendim?


Si prind është e frikshme të dish që fëmija ka këtë mendim. Që gjithçka që ti ke ndërtuar më shumë mund e djersë të shembet para syve. Fëmija im ndjehet i pashpresë dhe ka frikë për të ardhmen e tij që tani, ndërsa një moshatar i tij shikon se profesioni më i mirë për të bërë sot dhe për të fituar është të jesh shpërndarës droge, çfarë mund të bëjnë prindërit?


Unë nuk mundem sot me të ardhurat e mia dhe të burrit tim t’u siguroj dy fëmijëve shtëpi, studime jashtë vendit apo në universitete private, nuk mund t’u ble rrobat që ata duan dhe sa duan... por nuk dua që ata të bëhen shpërndarës droge!


(Nga N., Portali Shkollor)

2,044 Lexime
4 vjet më parë