Tregim

Nxënësi im, tashmë nënshtetas gjerman

"Rrëfime nga shkolla", një tregim me në qendër një histori të vërtetë dhe me një mesazh aktual: Kush tërheq këmbëzën e armës, së pari e ka tërhequr nga vetja. Si mund të lidhet kjo shprehje me mësimdhënien? Mësuesi Luan Stafasani, të cilit i pëlqen edhe të shkruaj, rrëfen ngjarje nga eksperienca e tij

Myslymin e njoha gjatë kohës që punoja si mësues në një fshat pranë lumit të Matit. Sapo kishte filluar klasën e tetë dhe në klasën ku bënte pjesë më ra menjëherë në sy për shkathtësinë e tij, logjikën në përgjigje të pyetjeve rreth mësimit, të qeshurën si gurgullima e lumit, pranë të cilit kishte shtëpinë. Po ashtu nga shtati vinte më i lartë se bashkëmoshatarët e tij. Dhe fytyra me tipare të rregullta tregonte më e pjekur se mosha që përfaqësonte. Kujdesi për flokët e dhëmbët, veshja e pastër ishin pjesë e përditshmërisë së tij. Natyra çapkëne tregohej dhe në orën e mësimit ndonjëherë, por gjithmonë reagonte me mirësi. Gjithmonë gjatë punës sime për të kuptuar se me kë kam të bëj, shfletoj faqen e regjistrit, ku gjendet informacion i përgjithshëm rreth statusit social familjar të nxënësve, si dhe kërkoj të di rreth nxënësve, me të cilët punoj prej kolegëve që janë vendas ose dinë të ma japin këtë lloj informacioni. 


Kështu që më erdhi keq kur mësova se Myslymit i kishte vdekur babai në Greqi, duke e lënë atë të vogël fare. Dhe ai jetonte me të ëmën, motrën dhe gjyshin nga babai. Ky fakt më shtyu që ta trajtoj akoma më me kujdes atë djalë. 


Kishte afruar mbarimi i shkollës dhe si çdo mësues po jepja porositë e pushimeve. Po sytë me shkonin shpesh te Myslymi. Ju thashë se krahas pushimit duhet të lexojnë libra artistikë, të marrin pjesë në punët e shtëpisë, të mos largohen pa adresë nga familja e në lum të shkonin gjithmonë në grupe sa më të mëdha. 


Kështu u ndamë, duke uruar njëri-tjetrin për pushime të mbara. Nuk kishin kaluar më shumë se 10 ditë ndoshta, kur një oficer i policisë më kontaktoi në telefon e më kërkoi që në mungesë të psikologut të atashuar pranë gjykatës së rrethit, ligji lejon që një mësues të asistojë në marrjen në pyetje të nxënësve të përfshirë në ngjarje kriminale. Kisha rastisur edhe dy herë të tjera në situata të tilla dhe pranova të flisnim më nga afër, për rastin që kishim folur në telefon. Nuk ishte as më shumë e as më pak, po vetë Myslymi. 


Ai gjendej i shoqëruar në polici qysh prej orëve të para të mëngjesit dhe pasi i kishin ofruar një avokat (kështu quhen ata që i ofron shteti pa pagesë) i kishin thënë se mund të kërkonte në mungesë të psikologut një mësues që ai mund ta njihte. Ai kishte shqiptuar menjëherë emrin tim.

 

Ndërsa rrjedha e ngjarjes, në të cilën ishte përfshirë Myslymi, në vija të përgjithshme ishte kjo: “Rrem Lloçi, i cili njihej prej familjes së Myslymit si shok i babait në emigracion, pasi disa herë kishte sjellë pará nga Greqia, të cilat babai ua sillte në shtëpi dorazi me Rremën për të shmangur komisionet bankare, atë natë, ndryshe nga herët e tjera kur kishte ardhur me ditë, kishte zgjedhur për të trokitur lehtazi në derë në orën dy të natës. Rrem Lloçi, siç dukej puna, ishte informuar se gjyshi i Myslymit gjatë ditës kishte përfunduar në spital pas disa shqetësimeve në zemër. 


Mungesa e gjyshit në shtëpi dhe shqetësimi për shëndetin e tij ia kishin larguar gjumin Myslymit. Pasi kishte dëgjuar trokitjet në ato orë të vona të natës, menjëherë kishte marrë çiften e gjahut të gjyshit, që gjendej varur në mur të dhomës me oxhak, ku flinte së bashku me gjyshin. Thirrjes së Myslymit se kush ishte, Rrema ishte prezantuar dhe i kishte thënë se në atë orë të vonë të natës atij i ishte prishur makina dhe kishte menduar që sa të zbardhte dita e në ardhje të mekanikut, që s’kishte pranuar të shkonte natën, ta kalonte te shtëpia e ish-shokut të tij. 


Myslymi s’kishte pranuar ta hapte derën, pasi ishte trembur dhe i kishte kërkuar të largohej sa më parë. Ndryshe do ta qëllonte me çifte, sepse në shtëpi gjendej vetëm me të ëmën dhe motrën pak më të madhe se ai. Ndoshta Rrema s’i kishte dëgjuar dhe aq mirë shpjegimet, se pse nuk mund të pranohej si mysafir në atë orë të natës e kishte vijuar me të tijën. Nëna dhe motra e Myslimit ishin trembur e kjo situatë e kishte nxjerrë jashtë kontrollit. Dhe ai nga brenda derës së shtëpisë kishte qëlluar me saçme derri, të cilat kishin ndeshur në të pasmet e Rremës duke e plagosur lehtë atë. 


Zhurma e krijuar kishte afruar pranë shtëpisë komshinjtë, të cilët njëherazi kishin lajmëruar në telefon policinë, të cilët kishin marrë Myslymin me vete në komisariat, ndërsa Rremën me ambulancë e kishin çuar në spital. 


Oficeri më kërkoi, që kur ta takonim Myslymin, të përpiqesha ta qetësoja, pasi ai ishte shumë i tronditur. Për shkak të ngjarjes protagonisti do të dilte para gjykatës së të miturve në Tiranë, e cila duke marrë parasysh faktin se Rrema kishte lëshuar deklaratë, që kërkonte që Myslymi të mos kishte pasoja ligjore për çfarë kishte ndodhur, si dhe faktin që ai ishte i mitur, me shumë gjasa do t’i lihej si masë të kalonte në shërbimin e provës. 


Rrëfimi i oficerit më tronditi jo pak dhe mua, megjithatë duhej ta mblidhja veten e ta qetësoja Myslymin. U ngjitëm në katin e tretë, ku gjendej zyra, në të cilën ishte nxënësi im. Sapo hapëm derën e më pa, u ngrit, më përqafoi e filloi të qajë me ngashërime.


Një lëmsh i madh në fyt më ishte mbledhur dhe mua, por pasi u kapërdiva dhe i rraha shpatullat, u ulëm pranë njëri-tjetrit. I thashë se duhej të qetësohej si fillim dhe i kujtova thënien time, që e përdorja jo rrallë me nxënësit: “Çdo gjë kalon, vetëm Zoti nuk ndryshon. Besimi tek ai na e bën të lehtë kapërcimin e çdo situate, sado të vështirë në dukje”. 


Ishte një thënie, që ia kisha huazuar Nënë Terezës. Dhe nxënësit e kishin ngulitur mirë në mendje. Pastaj i thamë së bashku me avokaten që kishte qenë prezent gjatë gjithë kohës, se si parashikohej ecuria e problemit të tij. Pas bisedës së parë u duk se e mori goxhá veten. Kur vajta ta takoj pasdite, duke përfituar nga qëndrueshmëria emocionale që paraqiste, i thashë: 


-Myslym, mos ndoshta do të kishte qenë më mirë të thërrisje policinë në telefon, se sa të qëlloje? 

-Tani që jam i qetë, po, -më tha, -po momenti që kalova, më trembi shumë. Unë, mësues, nuk e harroj fjalën tuaj, që kush tërheq gishtin e këmbëzës së armës, më së pari ia ka drejtuar vetes, pastaj tjetrit. 


Ngjarjet rrodhën siç ishin parashikuar. Myslymi kishte kaluar në shërbimin e provës e pas mbarimit të afatit të caktuar nga gjykata, ia kishte behur vala e emigrimit të shqiptarëve drejt Gjermanisë. Atje shkoi bashkë me të ëmën. Gjyshi kishte ndërruar jetë pak pas ngjarjes që rrëfeva. Motra kishte gjetur njeriun e zemrës dhe ishte martuar me ‘të. Në Gjermani ka fituar të drejtën e përhershme të qëndrimit. Pasi ka ndjekur kurset e gjuhës, është aftësuar në profesionin e mekanikut, që kishte për zemër qysh i vogël e tani punon si nënshtetas i devotshëm gjerman. Kuptohet dhe ne vijojmë të flasim së bashku me njëri-tjetrin.



Shkroi Luan Stafasani


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,204 Lexime
9 muaj më parë