“Parajsa e autorit”
Shkrimi i Fahrudin Dungaj trajton atmosferën e Panairit të 28-të të Librit, ku autorët zbresin nga “majat” e tyre për t’u përballur me lexuesit që kërkojnë sinqeritet, thellësi dhe fjalën e gjallë. Një kujtesë se parajsa e vërtetë e autorit mbetet lexuesi.
Shkruajti: Fahrudin Dungaj
Nën seriozitetin dhe ashpërsinë solemne të këtij panairi, Pallati i Kongreseve, nuk ishte edhe aq i populluar nga autorët, të cilët rrallëherë zbrisnin nga majat e parajsës. Shihnin nga atje lart se si tufat e lexuesve shndërroheshin në kërkues të vërtetës, autentikes. Panairi i 28-të i Librit mbajtur në Tiranë, çeli përsëri siparin, duke mos mundur të fshehë lodhjen e një tradite të tejzgjatur po aq dhe sfiduese. Ndërkohë, lexuesit lëviznin drejt stendave porsi valët e një deti të trazuar. E vetmja gjë që prisnin, ishte thjesht një autor që t’u fliste ndryshe.
Ndërkaq, autorët e vërtetë, ata që kishin zbritur prej majave, shfaqeshin si hije të përkohshme midis stendave. Disa buzëqeshnin për fraksion sekondi, firmosnin të lodhur dhe pozonin për fotografi të porositura. Disa ndiheshin tejet të habitur nga prania e atyre qënieve njerëzore. Të tjerë, më të stërvitur, shijonin këto çaste me një lloj krenarie të heshtur, sikur të thoshin se po bëhej e prekshme parajsa e tyre krijuese. Të talentuarit kishin një aleat që nuk i tradhtoi: kohën dhe lexuesin e nesërm.
Në ajër tundej aroma e lehtë e faqeve të sapokthyera, e përzier me një lloj tensioni të ëmbël, sikur çdo lexues po priste një mrekulli që i takonte letërsisë ta prodhonte. Në mes të këtij gumëzhimi kishte çaste kur gjithçka rrinte pezull: një zë që pyeste autorin mbi një personazh që e kishte ngacmuar në kulm; një djalosh që kërkonte romanin e tij të parë serioz; një nxënëse e re, pa ide mbi zhanret letrare; një zonjë e moshuar e cila kërkonte e vetme stendën e një shtëpie botuese…
Brenda atyre çasteve, panairi dukej se i rikujtonte vetes përse ekzistonte: jo për ceremonitë, as për podiumet, por për këtë kërkim të qetë që flakërohej brenda njerëzve. Dhe pikërisht atëherë, mjeshtërinjtë e fjalës filluan t’i linin pak piedestalet. Mesazhet e tyre, thjeshtësia e të cilave mbante thellësi, përhapeshin midis lexuesve si rrezet e fundit të diellit. Disa prej tyre, të hutuar nga sinqeriteti i lexuesve, dukeshin sikur po zbulonin për herë të parë. Letërsia nuk ishte vetëm akt i të shkruarit, por edhe ai i ndarjes së saj me të tjerët.
Në mbyllje të dyerve, kur zhurma avullon dhe dritat shuhen, Pallati i Kongreseve rikthehet në formën e tij të zakonshme: një ndërtesë e errët, e ftohtë. Por, mbeten pas hapat dhe zërat e shuar të bisedave dhe debateve konstruktive. Dhe diku, tejet larg, autorët kthehen përsëri në parajsat e tyre letrare. A do të guxojnë autorët e rinj të zbresin poshtë, tek pasqyrat e tyre të vërteta, për t’u takuar me lexuesin që pret të shohë jo vetëm fjalën, po edhe njeriun pas saj?
Me të vërtetë që parajsa e autorit është vetë lexuesi!
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
Konkursi, fitojnë nxënësit e “18 Nëntorit” në Lushnje