Letër

Për mrekullitë e jetës...

Kjo letër është vërtetë emocionuese! Teksa mësuesjaTeuta Bilçari na ka dërguar disa materiale në ndihmë të kolegëve, në fund të tyre ishte dhe ky dedikim kushtuar nxënësve të saj, si urim për Vitin e Ri. Ne preferuam që ta ndajmë me ju, duke menduar se këto fjalë zemre u drejtohen pse jo të gjithë fëmijëve.

Yjet e mësueses,

Së bashku kaluam një vit me shumë sfida për zemrat tuaja engjëllore dhe supet tuaj të brishtë. Por u bëmë më të fortë në mbrojtje të jetës së njëri _ tjetrit. Sa shumë na munguan përqafimet tona të dlira me krahët rreth trupit e qafës. Por mësuam të përqafohemi në distancë me sy, me buzëqeshje  dhe thamë më shumë se më parë fjalët “Të dua shumë “.

 

Dhe kjo ishte bukur sepse mësuam të shohim thellë ndër sy e të lexojmë sytë e njëri-tjetrit me sytë e zemrës tonë për të kuptuar më mirë në heshtje dhe për të ndier forcën e dashurisë pa fjalë. E gjitha kjo është magjike sepse ju jeni të magjishëm. 


E gjitha kjo është e mrekullueshme sepse ju jeni vet mrekullia e jetës për familjet tuaja, për mua dhe shoqërinë.


Ne së bashku po hapim një libër të ri të jetës tonë. Faqet e tij janë të bardha dhe ju mbi to do të hidhni ngjyrat e shpresës, ngjyrat e besimit, ngjyrat e dashurisë për jetën e të ardhmen. 


Dora e zemrës tuaj do jetë peneli magjik i triumfit të madh i të mirës mbi të keqen. Sepse ju jeni engjëj paqeje, engjëj drite, engjëj që keni lindur për të buzëqeshur dhe askush nuk mund t’u vjedh juve buzëqeshjen e artë me forcë drite.

Sepse askush nuk mund të jetoj pa dritën tuaj, askush… Dhe kjo situatë e errët që shpesh në sytë tuaj duket e pakuptimtë  e që ngre peshë mijëra “Pse? ”, merr dritë  nga ju dhe bëhet ditë. Një ditë e re në një jetë të re për një Vit të Ri të mbushur me shëndet, gëzim dhe lumturi. 



Të më falni yjet e mi që sot  ju fola ndryshe nga si jeni mësuar t’më dëgjoni çdo ditë. Ju fola me fjalë që nuk mund t’i kuptoni, por e sigurt që në çdo germë që do lexoni do ta ndieni tek kraharori mësuesen. Sepse ju kuptoni, shihni dhe flisni vetëm me zemër yjet e mi.                                                       


Nga zemra mësuesja ju uron juve dhe familjarëve tuaj,  

GËZUAR VITIN E RI  2021!

QOFSHI PËRHERË TË LUMTUR DHE TË SUKSESSHËM!

PUSHIME TË MBARA! JU KAM NË ZEMRËN TIME!                                                 

ME DASHURI MËSUESJA JUAJ TEUTA! 



Nga mësuesja Teuta Bilçari      


Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,997 Lexime
3 vjet më parë