Krijime

Poezi nga nxënësi Enis Bajraktari

“T`ia punosh kohës” dhe “Shpirt i acaruar” janë dy poezi të shkruara nga Enis Bajraktari, maturant në Medresenë e Shkodrës.


Shpirt i acaruar


Jashtë bie shi i rrëmbyeshëm

pika të lehta bien nga ngurtësia gri

dritaren hap… freskia prek trupin tim

flokët pikojnë, dhe pikën e ndjek me sy

e ndjek me sy, teksa bie në tokë.


Trupi më laget

zemra më freskohet

shpirti prush, që nga shiu nuk fiket

tym mendimesh që vlojnë, tërbohen nga freskia.


Ca ikin e ca vijnë

shpejtësinë e tyre nuk e arrijnë

mendime bërthamë të pamveshura me djallëzi

kaplohet trupi përplotësisht deri me imtësi

freski e akullt pashpirtnisht prerëse inatçore.


Ditë të tëra me shi

Mijëra ditë me lagështi

Qindra ditë me zymtësi

Asnjë e tillë me freski

Shpirti nuk gjen paqe, përjashta kullon bojë gri.




T`ia punosh kohës



Më diktoi koha, se po i shkruaja

M’u largua si të isha në mëkat

Ca vargje desha t'i shkruaja, mirëpo iku e më la të ngratë.


Veten për pak e ndala

E koha  ç'më bëri?!

Minutat e sekondat ikën, më tradhtuan njëzëri.


Për fyti e kapa kohën

M’u shndërrua dinakja në kokrriza rëre deti

M’u hap ndër duar, asnjë kokrrizë për vete s'më mbeti.


Sa i urrej grabitësit, më shumë ata të kohës 

Shpesh mundohem e dështoj që t'ia hedh gjumit

Se gjithsesi eshtrat mjaft do pushojnë te të shumtit.


Të keqen ia bën vetes, të mirën asaj

Më sugjeruan që kohën ta helmoj

Po një dashamirës kët’ krim me fjalë e parandaloi.

 

Në grusht e fus kohën, mundohem ta mbaj

Mundohem ta ndaloj vrullin e lëvizjes së saj

Po sërish çelin lulet e muajit Maj.


Edhe koha mban inate

Sa herë i qeshur jam kalon me shpejtësi

Kur të ngrysur më shikon me zhyt më thellë në zymtësi.


Herë ia shikoj fytyrën e herë si hije

Udhëtimet e saja i ka valë-valë

Kur diçka të bukur të kujtoj dua, pa çarë kokën rrjedhën vazhdon pa u ndalë.

 

Ç'qenkësh kështu plot mrekulli

Koha më përthithi për vete, të tërin ma pushtoi

Mendjen ma mpiu e tash siç do ajo po mendoj.


Çdo gjë qenkësh në harmoni

Dielli ditën ndriçon e ngroh deri në perëndim

Edhe nata yjet i ka të bukur, por veç deri në agim.


Lufta i shpallet vetëm armikut

E unë me kohën nuk kam armiqësi

Veç kohën ta kontrollosh u dashka mendësi.


Gjithnjë në 2-luftime e ka një fitues

Më mirë të mos hyj fare, se të dal i humbur

Se lufta me kohën na qenkësh e pamundur.



Nga Enis Bajraktari

Maturant në Medresenë e Shkodrës


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,810 Lexime
1 vit më parë