LIDER

Profili i liderit të vërtetë

Lideri duhet të ketë një status tepër të lartë si: moral, shoqëror, etik si dhe të jetë i arsimuar. Parësore mendoj se është dija dhe nëse është i mirëarsimuar do të thotë se ai udhëhiqet nga dija.

Lideri duhet të ketë një status tepër të lartë si: moral, shoqëror, etik si dhe të jetë i arsimuar. Parësore mendoj se është dija dhe nëse është i mirëarsimuar do të thotë se ai udhëhiqet nga dija. Qëllimi i liderit është të mendojë për të nesërmen, për të ardhmen, të shohë përtej horizontit, t`u paraprijë sfidave, të sfidojë të keqen dhe të triumfojë në shërbim të komunitetit që përfaqëson, të kombit, të atdheut.


A duhet të jetë lideri frymëzues dhe motivues i masës së gjerë? Padyshim që po. Lideri me idetë dhe mendimet e tij është mobilizuesi i popullit. Lideri i vërtetë ka intuitë të thellë. Ai jep parashikimin e tij, se çfarë mund të ndodhë më tej, në bazë të analizës së gjendjes reale që ka komuniteti i tij, vendi i tij. Prandaj lideri i vërtetë merr masa paraprake duke organizuar, menaxhuar dhe përballuar me sukses situatat. Si dhe synon që e njëjta situatë të mos përsëritet.


Liderit e vërtetë mbajnë përgjegjësi, si dhe kanë shumë influencë në njerëz, në popull. Indira Gandi thoshte se; “Nuk mund të bashkosh të dyja duart me një dorë të mbledhur grusht.” Të jesh lider do të thotë të jesh njëkohësisht me të gjitha shtresat dhe nevojat e tyre, në shërbim të së mirës dhe mirëqenies së komunitetit. Të jesh lider do të thotë të mos jesh me askënd, të mos mbash anën e asnjërës palë, në një konflikt, pasi duhet të vendosë drejtësia.


Lideri i vërtetë ka aftësi të vlerësojë vlerat e vendit të tij. Ai di të dallojë vlerat dhe antivlerat, ashtu siç di, se cilat vlera duhet të harrojë dhe cilat vlera duhet t`i çojë përpara. Lideri i vërtetë ka aftësi të nxisë, inkurajojë, motivojë popullin duke ndryshuar realitetin pozitivisht, për të mirën shoqërore. Këtë realitet e ndryshon duke rishikuar, riorganizuar, rikonstrukturuar, mirëmenaxhuar proceset dhe situatat e nevojshme.


Liderët duke ardhur me shumë stile dhe forma të ndryshme inkurajuese dhe motivuese, frymëzuese dhe nxitëse, bëjnë për vete një audiencë të gjerë. Me pozitivitetin e tyre kalojnë vite, dekada dhe shekuj, vlerat dhe veprat e liderve nuk vdesin. Liderit bëjnë historinë dhe momentet historike, ngjarjet e kohës bëjnë liderin e vërtetë, e formësojnë atë i japin shpresë dhe forcë që të ecë përpara. Momentet historike prekin emergjencën e vendit dhe emergjencat kanë nevojë për një lider. 


Liderët e vërtetë veprojnë dhe nxisin rezultatet, vuajnë nga gabimet e parardhësve dhe lënë gjykime bombastike për pasardhësit, në mënyrë që të mos përsëritet historia, në këtë rast gabimi. Gjatë përpjekjeve të tyre heroike, liderët shohin rezultate të vogla, por që mund të kenë hedhur bazat e fitoreve që mund të vijnë pas tyre. Shembujt janë barazia racore, të drejtat e femrave, si dhe harmonia fetare që është karakteristike për vendin tonë.


Gjykimi që dikush nga bota reale mund t`i bëjë liderit duhet të jetë shumëdimensional, duke përfshirë pikat e forta dhe pikat e dobëta të tij, si dhe çfarë mund të shtojë ndonjë ide, se patjetër analistët kanë dhe ndonjë sugjerim që mund t`ia paraqesin liderit në mënyrë që ta rrisë dhe më shumë pozitën e tij nëse ai jeton, ose nëse nuk jeton, përsëri analizohen gabimet që e ardhmja të mos i përsërisë. Në të gjitha rastet një lider i mirë merr parasysh dhe të metat e tij duke i përmirësuar ato të meta gjatë rrugës së tij, në të ardhmen me vepra sigurisht.


Gjatë karrierës së tyre liderit e vërtetë ndryshojnë vetëm pozitivisht, duke rritur vlerat, formësimin  dhe autoritetin e tyre, si dhe kur janë në ato kushte duke kërkuar një performancë të lartë për të gjitha nivelet e shoqërisë, pas plotësimit nga ana e tij e kushteve ekonomike të tyre. Jetëgjatësia e një lideri varet nga ekipi që ai ka zgjedhur, si dhe nga toleranca që ai u jep për bashkëpunim. Një lider nuk mund t`i bëjë vetë të gjitha, pasi ai  mund të dijë në një fushë ose në disa fusha, por nuk i di të gjitha. 


Gjithashtu nuk ka as kohën e mjaftueshme që t`i bëjë vetë të gjitha. Për këtë i nevojitët një ekip i specializuar në fusha të ndryshme, por dhe këtu duhet të hyjë në punë pozitiviteti i tij, duke mos qenë vetë gjyqtari absolut ashtu siç ishte mbreti i Egjiptit në kohët e lashta. Ai duhet të marrë parasysh idetë dhe mendimet e ekipit të tij, duke i pleqëruar mirë e mirë ato. Në çdo rast përfaqësuesit e ekipit të liderët duhet të jenë besnikë ndaj liderit dhe ndaj njëri-tjetrit, ashtu siç mund të jenë tolerant gjithmonë pozitivisht. 


Liderët e vërtetë i përmbushin detyrat dhe funksionet e tyre, në mënyrën më të mirë të mundshme në ndihmë të shoqërisë, si dhe përjashta kufijve të vendit të tyre duke siguruar në këtë mënyrë rritjen e paqes dhe harmonisë ndërmjet shteteve të ndryshme, dhe në të gjithë botën. Liderët e vërtetë janë shembull frymëzimi, bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe bashkëjetese për të gjithë popujt e botës. 


Liderët i përmbushin detyrat dhe funksionet e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme në ndihmë të shoqërisë dhe të ngjarjeve të kohës. Kështu ata në bazë të intuitës mund të parandalojnë shumë rreziqe dhe të gjejnë zgjidhjen për të dalë nga situata. Liderët lidhin qëllimet individuale dhe kolektive. Ata bëjnë thirrje për një përpjekje dhe përmbajnë ecuri dhe disiplinë që mundësojnë performancë të madhe. Krijojnë atmosferën ku është krenari dhënia e kontributeve të rëndësishme për qëllime të përbashkëta. 


Që të arrijë aty ku duhet në ndihmë të komunitetit, lideri duhet të aktivizojë dhe kundërshtarët e vet, t’i përfshijë në fusha të ndryshme, të marrë parasysh idetë e tyre. Asnjë lider nuk ia del dot pa popullin, asnjë popull nuk ia del mban pa një lider të vërtetë. Liderët të mësojnë pavarësisht se ata që shkruajnë nuk janë asnjëherë lider konvencional. Liderët simbolizojnë popullin e tyre, nevojat e tyre të dëshpëruara, luftën kundër padrejtësive. Liderët nuk urdhërojnë por frymëzojnë, nuk tërheqin por shtyjnë, u japin mundësi njerëzve të përdorin iniciativën dhe eksperimentet e tyre më shumë se sa duke mohuar apo cënuar eksperiencat dhe veprimet e tyre. Lideri është një proces thelbësisht njerëzor, plot sprova dhe gabime, fitore dhe dështime, intuitë dhe njohuri. 


Liderët janë ndjekës të qëllimit. Njerëzit nuk duan liderin, por duan qëllimin, pra lideri mobilizon të tjerët drejt një qëllimi të përbashkët si për liderin dhe për ndjekësit. Tipi i liderit dallohet më shumë nga qëllimi sesa nga personaliteti i liderit. Problemi i liderit është nga mungesa e ndjekësve/mbështetësve. Lideri nuk mund të ekzistojë, të rezistojë pa një qëllim të përbashkët, pa pasur një zemër të pastër dhe një shpirt të sinqertë.


Që të bëhesh një lider autentik (origjinal) nuk është e lehtë, sepse duhet të kuptosh vetveten, të detyrosh vetveten. Liderët origjinalë kanë aftësi t’i tërheqin njerëzit drejt vetes. Kanë një kuptim të jashtëzakonshëm. Liderët integrojnë faktet, konceptet dhe ngjarjet në një domethënie për publikun, por ka dhe rreziqe që shkrimi mund t`i shkaktojë. Liderët duhet të jenë të qëndrueshëm, të përqëndruar dhe konstantë t`iu përmbahen dhe objektivave dhe qëllimeve të përbashkëta që të fitojnë besimin e popullit. Liderët duhet të dinë të menaxhojnë vetveten pasi ata mund t’i demoralizojnë njerëzit, t’i sëmurin, t`ua bëjnë jetën më të vështirë për shkak të sjelljes së liderit të tyre. Këta lider dinë pikat e tyre të forta si edhe marrin parasysh rrezikun, kanë aftësinë për ta pranuar rrezikun. Liderët e vërtetë mësojnë nga gabimet e tyre, ata gabimin e quajnë hapi i radhës, nuk përqëndrohen te humbja, por ia nisin punës si të arrijnë fitoren, nuk demoralizohen. Lideri i vërtetë ndihet në të gjithë grupin, jep paqe dhe forcë në punë. Motivon dhe fuqizon forcën punëtore. I bën njerëzit të duken të rëndësishëm.


Lideri i vërtetë orientohet drejt cilësisë dhe jo drejt sasisë, kur ata e duan punën nuk tërhiqen nga shpërblimi apo frika e ndëshkimit. Lideri i vërtetë i bën njerëzit që të përballen me realitete të ndryshme, vlera, zakone, tradita. Ndërsa lideri fals ofron zgjidhje false dhe e lë grupin të anashkalojë realitetin. Lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me bindjet e forta dhe imponimin e tyre mbi grupin. S’do t’ia dijë as për grumbullimin e ndjekësve dhe dëftimit të rrugës së të ardhmes. Lidershipi i vërtetë duhet trajtuar si një art bashkëveprues, të qënit imagjinar, të përmirësimit të vazhdueshëm në varësi të sfidave specifike që njerëzit përballin dhe të ndryshueshmërisë se kontekstit.


Ata bëjnë diferencat midis shkollave të mëdha dhe të dobëta, madje dhe ndërmjet luftës dhe paqes. Lideri i vërtetë është përgjegjës për botën e dikujt dhe i bën dhe të tjerët të jenë përgjegjës. Ndërgjegjësimi i liderit është se si pushteti i tij prek mendimin dhe veprimin e të tjerëve, ndërsa shpirti i suksesit është ambicia pozitive optimale. Ambicia pozitive gjithmonë kërkon kreativitetin, guximin dhe momentin. Liderët e vërtetë duhet ta ketë frikë Zotin, sepse nëse kanë frikë Zotin mendojnë për të gjithë njësoj. Dhe nuk flet fjala, por flasin veprat e tyre, dhe veprat e tyre janë mirëqenia dhe miqësia e popullit ndaj tyre. Shpresojmë dhe lutemi që popujt të drejtohen gjithmonë nga liderët e vërtetë për të mirën e të gjithëve.


“Mirësi Hyjnore na zgjidh atë nyje, që në grykë njerëzimit përherë i ngel. “Filozofija” për kë merr vesh, vetëm njërës anë s`i bihet, natyrës dhe artit vetë i bëni dhunë, kur në kaos pra bie gjithësia.” , citat i shkëputur nga libri “Ferri” te Komedia Hyjnore e Dante Aligherit.



(Drita (Gjaci) Topjana, mësuese, 2018-2019)

1,099 Lexime
1 javë më parë