
Talenti 15-vjeçar, Erbli Zade: Piano është gjuha që më lidh me botën
Pianisti 15-vjeçar, Erbli Zade, shkëlqeu në koncertin me Orkestrën Simfonike të TKOB-it, duke mahnitur publikun me interpretimin e Mozartit. Emocionet mbeten të freskëta, ndaj Portali Shkollor ka zhvilluar me të një intervistë, për të ndarë më shumë rreth pasionit dhe planeve të tij muzikore.
Edhe pse kanë kaluar disa ditë që nga koncerti me Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, emocionet që la pas ajo mbrëmje muzikore nuk janë fashitur. Kjo falë një emri që po përmendet gjithnjë e më shpesh: Erbli Zade, pianisti 15-vjeçar që i dha jetë muzikës së Mozartit me një pjekuri dhe ndjeshmëri që tejkalojnë moshën. Interpretimi i tij vazhdon të komentohet në qarqet artistike, ndërsa shumë e shohin këtë si pikënisjen e një rruge të gjatë dhe të ndritur në muzikë. Në këtë bisedë të ngrohtë, Erbli na çon pas skene, në emocionet e debutimit, në marrëdhënien e tij me muzikën klasike dhe në ëndrrat që po marrin formë.
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
Erbli, para së gjithash urime për suksesin tënd në koncertin që dhe para pak ditësh përkrah Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së. Si u ndjeve në ato momente kur dole në skenë për të interpretuar për herë të parë me një orkestër të tillë prestigjioze? Çfarë ndjesie është të jesh pjesë e një ekipi kaq të madh muzikor dhe të ndjesh harmoninë që krijohet aty në skenë? (Çfarë të kalonte në mendje? Ishte emocion, frikë, gëzim... apo një përzierje e të gjithave?) :)
Të interpretoja në skenë me Orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte shumë emocionuese. Ishte një ndjesi që e kam disi vështirë ta shpjegoj: emocione, një lloj frike, krenari... Isha para një përgjegjësie të madhe dhe duhej të jepja më të mirën ndërsa duhej të isha në harmoni me orkestrën.
Sigurisht është ngjarja më e madhe e jetës sime si pianist deri më tani, ndaj bashkë me emocionet rriten dhe përgjegjësitë.
Por nga ana tjetër, shpresoj që kjo të shndërrohet në rutinë profesionale tani e tutje. Në njëfarë mënyre, pianistët këtë jetë kanë: performojnë vetëm dhe me orkestra, kështu që shpresoj të kem rastin të luaj dhe me orkestra të tjera në Shqipëri e jashtë saj.
Mozart nuk është aspak i lehtë… si e përjetove ti këtë vepër? A ka ndonjë pjesë të saj që e ndjen më afër shpirtit tënd?
Mozart sigurisht që nuk është i lehtë, por po kështu janë shumë kompozitorë. Lehtësia apo vështirësia lidhet nga ushtrimi që bën me secilën pjesë dhe Mozarti është një nga autorët, të cilin e interpretuar dhe më parë dhe më pëlqen. Dhe si çdo gjë që të pëlqen, kur punon me dëshirë, gjërat bëhen më të lehta.
Muzika e Mozartit është elegante dhe kërkon një teknikë të lartë interpretimi. Mozart ka stil të veçantë dhe të interpretosh muzikën e tij kërkon impenjim. Të interpretosh Mozartin do të thotë të vlerësosh çdo gjë në detaje dhe kur futesh brenda muzikës së tij kupton sa e thellë dhe e ndërlikuar është.
Kur po përgatitesha për këtë koncert, më duhej të përqendrohesha shumë te çdo detaj: dinamika, ndjesia, harmonia me orkestrën.
Unë interpretova koncertin no.12 K414, që Mozart e ka shkruar në Vjenë më 1782-1783 dhe që e kishte planifikuar për një publik të zgjedhur dhome, një audiencë intime dhe të kulturuar.
Pjesa që më tërheq më shumë është koha e dytë e koncertit. Ajo mbart ndjeshmëri të thellë, është me fraza të qarta muzikore, e thellë, paksa melankolike dhe emocionale. Ritmi është i qetë dhe nuk ka shumë pasazhe të shpejta dhe kur e interpretova u ndjeva sikur po tregoja një histori timen, personale.
Publiku të priti shumë mirë, dhe nga sa dëgjuam, edhe pianistë të njohur janë surprizuar nga interpretimi yt. Cili ka qenë komplimenti më i bukur që ke marrë pas koncertit?
Jam i lumtur që artistë që unë vlerësoj e kanë pritur mirë interepretimin. Jam po ashtu i lumtur që prindërit, mësuesit e Liceut dhe mësuesja ime e pianos, që ka sakrifikuar dhe punuar me mua për vite me radhë ndihen krenarë për interpretimin.
Ata që më komplimentuan vlerësuan teknikën dhe maturinë në interpretim, emocionin dhe muzikalitetin, mendimin muzikor dhe thellësinë, por një nga komplimentet që më ka mbetur më shumë në mendje ishte ai i një muzikanti të njohur, që më tha se muzika e Mozartit interpretohej në mënyrë të mrekullueshme prej meje dhe këtej e tutje unë nuk duhej t’i ndahesha interpretimit të pjesëve të tij.
I falënderoj të gjithë megjithëse jam i sigurt që kam shumë për të përmirësuar.
Ti je vetëm 15 vjeç, por duket sikur muzika ka qenë gjithmonë aty për ty. Në atë moshë kur zakonisht fëmijët janë ende duke zbuluar veten, si e kuptove që pianoja ishte “gjuha” jote? Apo ishte dikush që ta tregoi këtë rrugë? Pra si nisi rrugëtimi yt me pianon? Më pas kush ishte ai moment vendimtar që u binde me veten dhe the “Po kjo është ajo që dua”!?
Në fakt ma bëjnë shpesh këtë pyetje dhe unë ngaqë nuk mbaj mend ndonjë kohë të jetës sime pa piano e kam të vështirë të përgjigjem, ndaj zakonisht përmend që më ka ndikuar mami. Në fakt, në familjen tonë, kush më shumë e kush më pak ka aftësi muzikore, por siç duket unë kam pasur mundësitë të ushtrohem që i vogël dhe ashtu siç duhet, dhe sigurisht, për këtë u jam mirënjohës prindërve dhe gjyshërve.
Ata më kanë thënë që kur isha shumë i vogël, gjithmonë ndalesha për të dëgjuar muzikën që vinte nga televizori ose radioja. Unë isha shumë i vogël për të kuptuar që pianoja ishte “gjuha” ime, por mami kishte dëshirë që unë të studioja në piano, ndaj këmbënguli që të konkurroja në Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Atje u përzgjodha në bazë të një konkursi dhe juria pa që kisha të dhëna të shkëlqyera, për të qenë pianist: vesh muzikor absolut, duar të përshtatshme për piano, koordinimin e duhur motorik etj.
Kështu u futa në Lice pas vlerësimit me pikët maksimale dhe atje fillova të studioj me pedagoge Mirela Tushe Vonglin, e cila ka qenë mësuesja ime gjatë gjithë kësaj kohe dhe dua ta falenderoj për përkushtimin dhe punën e palodhur, si dhe besimin që ka treguar vazhdimisht ndaj meje.
Mendoj se arritjet e mia i dedikohen në një masë të madhe edhe punës së saj. Pikërisht puna e bërë ndër vite, pavarësisht lodhjes e nganjëherë dhe mërzitjes, për shkak se duhet të studioj në vend që të luaj apo të bëj diçka tjetër argëtuese, besoj se është çelësi i duhur për të dhënë më të mirën. Dua të them që pianoja është bërë pjesë e imja që kur fillova ta studioj atë dhe e kam dashur që prej momentit të parë. Nuk ka pasur një moment që ta kem parë pianon si diçka që nuk e dua.
Ke fituar shumë çmime, kombëtare dhe ndërkombëtare. Po ky koncert me Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së, çfarë vendi zë në karrierën tënde deri tani?
Koncerti me Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së është nder dhe krenari, jo vetëm për mua që jam 15 vjeç, por edhe për çdo pianist në çfarëdo faze të karrierës. Deri tani, për mua ka qenë një ëndërr e tashmë është një realitet i prekshëm. Shpresoj që të jetë vetëm fillimi i shumë bashkëpunimeve në të ardhmen.
Gjej rastin të falënderoj për këtë koncert Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dirigjentin Gridi Kraja dhe veçanërisht drejtorin e TKOB-it, Aulon Naçi, drejtoreshën e Liceut Artistik, Etleva Kolnikaj dhe mësuesen time, Mirela Tushe Vonglin.

Të kthehemi pak pas… Sa ndryshe është të studiosh pianon në shkollë, dhe pastaj të përballesh me një skenë të madhe si kjo? Si e përballon këtë kalim nga klasa në skenë?

Në shkollë, gjithçka është më e sigurt, më e qetë, pasi jam vetëm unë, mësuese Mirela dhe pianoja. Atje mund t’i rikthehem një pjese sa herë që të jetë e nevojshme, të ripunoj, ta korrigjoj interpretimin tim.
Në klasë merr kohën e duhur për të kuptuar çdo detaj dhe sigurisht që është normale edhe të gabosh.
Kalimi në skenë nuk është i lehtë! Jo vetëm vështirësia e materialeve, përgjegjësia e madhe para gjithë orkestrës, por edhe koha e pamjaftueshme për të bërë prova me orkestër, kështu që puna individuale është e rëndësisë së jashtëzakonshme.
Ditët kur bën prova me gjithë orkestrën janë të pakta dhe shumë të çmuara dhe nuk është një përvojë që vjen shpesh, ndaj, jo vetëm që jam i lumtur që pata fatin, por edhe ndihem i motivuar të punoj edhe më shumë, që koncerte të tilla të përsëriten.
Ndërkohë, tani, a ke filluar ta ndiesh presionin që mbase po vjen me talentin tënd? Dhe nëse po, si e menaxhon këtë?
Të them të drejtën nuk e kam vrarë mendjen për këtë. As më është dukur vetja ndonjëherë i talentuar. Për mua është një gjë që e bëj me pasion dhe përpiqem të punoj shumë. Dhe sa herë që punon, edhe sikur njëherë të mos jesh në ditën tënde më të mirë, gjithsesi aftësia jote rritet përditë. E njëjta gjë, siç mund të thuhet edhe për sportistët apo në sfera të tjera të jetës, që kërkojnë sakrifica dhe ushtrim të gjatë.
Nga ana tjetër, edhe prindërit dhe mësuesja më ndihmojnë të ruaj balancën dhe të jem me këmbë në tokë. Ata më thonë shpesh që suksesi nuk matet thjesht me çmimet apo duartrokitjet, por të rritem si artist dhe si njeri.
Nëse do t’i drejtoheshe një fëmije të vogël që sapo ka nisur pianon dhe ndoshta ka frikë nga skena, çfarë do t’i thoshe?
Në të vërtetë, unë edhe sot kam një lloj frike nga skena. Por do të thosha që frika apo më mirë emocioni në skenë është diçka normale.
Nga ana tjetër, pavarësisht frikës nga skena, pianoja është shoku më i mirë dhe këtë gjë përpiqem t’ia them dhe vëllait tim, më të vogël se unë dhe që është pianist.
Skenat ndryshojnë, por marrëdhënia me pianon është ajo që të shpëton. Është pak a shumë si me shokët në jetë: sa më shumë kohë shpenzon me dikë, aq më mirë e njeh e më i afërt bëhesh! Dhe kur je me një shok të mirë, s’ka rëndësi se ku je: në Shqipëri, në Maqedoni, në Vienë a Paris, ti ndihesh rehat njësoj.
Dhe së fundmi, çfarë do të dëshiroje të ndodhte më tej në udhëtimin tënd muzikor? A ke ndonjë ëndërr që po e ruan për më vonë?
Besoj se kam ende punë dhe duhet të vazhdoj të rritem. Ndaj, tani për tani, me gjithë ëndrrat për të luajtur me orkestra dhe në skena të mëdha botërore, besoj që gjëja më e mirë është të gjej diku, të themi në Itali apo Gjermani, një shkollë të mirë ku të vazhdoj studime të avancuara në piano. Jam i sigurt që sa më shumë të perfeksionohem, aq më të arta janë mundësitë që të luaj edhe me orkestra të tjera.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Njihuni me Bergin, lexuesin e vogël që leximin e sheh si superfuqi
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur