Reflektim

Rita Petro: Pushteti i bukur femëror

Rita Petro, poetja, shkrimtarja dhe botuesja, sjell këtë reflektim për 8 Marsin, Ditën e Gruas. Ajo thekson se pushteti femëror lind nga forca dhe bukuria brenda gruas, duke sfiduar stereotipet gjinore dhe duke kërkuar mbështetje të barabartë për gratë në shoqëri dhe jetë.

Fuqia dhe suksesi i një gruaje ka vlerë, kur e arrin vetë atë dhe jo kur e merr si dhuratë nga burrat e pushtetshëm. Kur e fiton vetë, ajo nuk e shfrytëzon asnjëherë për të patur kontroll mbi të tjerët dhe nënshtrim ndaj atij që i detyrohet. 


Përkundrazi, një grua vërtet e pushtetshme e ka zbuluar, së pari, këtë forcë brenda vetes së bashku me bukurinë e feminitetit të vet. Dhe s'ka hiç nevojë të shndërrohet në një "burrë arrogant", për të sfiduar pengesat që has çdo ditë nga stereotipat gjinorë. 


Në shoqërinë shqiptare gruaja e ka dyfish vështirë, pasi kur arrin majën e suksesit dhe ka pushtet intelektual, profesional e material, sulmohet edhe nga burrat, edhe nga gratë. E kundërta ndodh me një burrë të suksesshëm, që admirohet edhe nga gratë, edhe nga burrat. 


Nga ana tjetër, gratë luftojnë ashpër për vendin e parë, kur atje është një grua, ndërsa kur është aty një burrë, nuk e kanë problem që qetësisht të kalojnë në vendin e dytë. 


Ndaj çdo ditë, aq më tepër sot në 8 Mars, ne duhet të ndërgjegjësohemi vetë për forcën tonë që na buron nga brenda, duke mbështetur veten dhe njëra-tjetrën, të ndërgjegjësojmë çdo burrë për ta kuptuar se lumturia në jetë varet nga harmonia mes burrit e gruas; të ndërgjegjësojmë çdo qeveri që shkon e vjen, se nuk mjafton vetëm rritja e numrit të grave në qeverisje, por të mbrojë e të ndihet përgjegjëse për çdo grua të dhunuar apo çdo jetë të humbur, të mbështetë fuqishëm shpirtërisht, kulturalisht, mendërisht e materialisht gjithçka që është e drejtë e gruas, sikurse dhe e burrit. 


Gjithsesi, pushteti i bukur femëror, pavarësisht sfidave, ka kohë që po sfidon e po hap dritare, teksa heq tulla në muret e shoqërisë shqiptare.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

200 Lexime
2 javë më parë