Roli i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) në organizimin e mësimit plotësues në Mërgatë dhe në Diasporë
Përpjekjet dhe angazhimet e qindra e qindra mësuesve në mbarë mërgatën shqiptare kanë për qëllim të shpëtojnë fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë nga gjendja e tanishme, ku gjuha e nënës ka filluar të bëhet gjuhë e huaj për ta.
Samiti që u organizua në prag të festave tona kombëtare: Kongresit të Alfabetit dhe Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë na obligoi që të mobilizoheshim bashkërisht me qëllim, që të gjenim zgjidhje për kërkesat e akumuluara ndër vite rreth organizimit të mësimit plotësues në Diasporë, me theks të veçantë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare, për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Diasporë.
Përpjekjet dhe angazhimet e qindra e qindra mësuesve në mbarë mërgatën shqiptare kanë për qëllim të shpëtojnë fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë nga gjendja e tanishme, ku gjuha e nënës ka filluar të bëhet gjuhë e huaj për ta.
Është fakt se KKAD-ja u krijua si një bashkim forcash të një grupi mësuesish të dëshmuar në shkollat dhe vendet ku punojnë me dekada, nga disa shtete të botës, nga të gjitha trojet shqiptare me qëllim që të trokasim në dyert e institucioneve tona, sepse gjithmonë kemi menduar dhe mendojmë se bashkërisht mund t`ia dalim, që problemet e grumbulluara ndër vite, t’i zgjidhim, një nga një! Këshilli, sot është një ekip kolegjial, intelektual dhe kombëtar! Është një realitet që ecën me ne, dhe kërkon të angazhohemi dhe t`u hapim rrugë përpjekjeve të mësuesve në mërgim, t`i ndihmojmë ata, sepse pothuajse gjysma e kombit është jashtë atdheut.
Vlen të përmendim anëtarët e KKAD-së te cilët me punën e tyre dëshmuan përkushtim profesional dhe kombëtar në këtë rrugëtim: Mira Shehu (Kanadë), Mustafë Krasniqi (Gjermani), Teuta Tabaku (Turqi), Dritan Mashi (Itali), Aurela Konduri ( Greqi), Miradije Berisha (Austri), Anila Kadija (Angli), Melita Oreshkoviq (Kroaci), Qemal Zylo (ShBA), Isuf Bytyqi (Gjermani), Musa Pali (Mal të Zi), Michele Greco (Arbëreshët e Italisë), si dhe unë Vaxhid Sejdiu (Zvicër), si dhe duke mos e harruar angazhimin dhe përkushtimin e pedagoges së mirënjohur Adriana Bejko (Kanadë).
Ne e filluam si KMSHD, falë qëndrimit dhe angazhimit tonë të përbashkët fituam një VKM, pranë QBD-së, si palë konsultuese, edhe pse shumica prej nesh, atëherë, as që kishim njohuri se ç ‘është VKM-ja.
Arritëm që gjatë këtyre 3-4 viteve të renditim një mori problemesh, të cilat e shoqërojnë mësimin plotësues në diasporë dhe, ato t`i adresojmë në adresë të institucioneve tona dhe veçanërisht në adresë të QBD-së, e cila gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit ka luajtur një rol të rëndësishëm në shërbim të zgjidhjes së disa problemeve të mësimit, në gjuhën shqipe në Diasporë, si dhe duke i vënë në rend dite edhe shumë të tjera. QBD-ë sot llogaritet në Diasporë si një nga institucionet më të suksesshme dhe më të dobishme për arsimin shqip e cila ka bërë në mënyrë profesionale koordinimin e të gjitha kërkesave tona.
KKAD si palë konsultuese dhe e dëshmuar tani më, pa kurrfarë shpenzime për buxhetin e shtetit, është shumë e nevojshme për realizimin e shumë kërkesave në njehsimin e shkollave shqipe në diasporë dhe është urë lidhëse në mes mërgatës dhe institucioneve tona.
Edhe pse kemi një VKM nga shteti shqiptar, ne në të gjitha rastet dhe takimet, kërkesat, njoftimet dhe ftesat i kemi drejtuar edhe drejt institucioneve të Arsimit apo ato të Diasporës të Republikës së Kosovës, me të cilat gjithmonë kemi bashkëpunuar dhe në vazhdimësi kemi kërkuar dhe kërkojmë bashkëpunim, prandaj po i përmend edhe këto fakte:
Është fakt se KKAD-ja, gjatë këtyre dy viteve është munduar, që të gjitha shqetësimet e mësuesve t`i adresojmë drejt institucioneve tona, të cilat kanë obligim moral, profesional dhe kombëtar, që të merren me këtë problematikë.
Vlen të theksohet se ne ishim të parët që theksuam se fëmijët shqiptarë në mërgatë kanë nevojë për tekste shkollore, gjë që u vërtetua dhe sot i kemi tekstet shkollore të nivelit të parë, të cilat nga të gjitha palët janë vlerësuar pozitivisht. Po në këto tekste, në rolin e recensentëve janë edhe dy koleget tona; Aurela Konduri dhe Miradije Berisha.
Fakt është se mësimi në gjuhën amtare është program kombëtar dhe nuk guxon t`u lihet në dorë vetëm shoqatave, sepse vëllimi i punëve e tejkalon kapacitetin e tyre.
Ne jemi shumë mirënjohës se në momentin, që po flasim kemi një kurrikulë të përbashkët, tekstet shkollore të nivelit të parë, të botuara nga dy shtëpitë tona botuese prestigjioze “Albas” dhe “Dukagjini”, si dhe janë në prag të botimit edhe tekstet e nivelit të dytë, por duhet të vazhdojmë që në të ardhmen të realizohen edhe kërkesat tjera:
- Sa më shpejt, që të jetë e mundur, ta shohin dritën e botimit – tekstet shkollore të nivelit të dytë dhe të tretë, sepse i madh është numri i nxënësve, të cilët po presin që të gëzohen si bashkëmoshatarët e tyre të nivelit të parë.
- Me padurim presim njehsimin e shkollave shqipe, dokumentet e përbashkëta pedagogjike në të gjitha shkollat, në Diasporë.
- Të bëhet përpjekje, që të kemi tekste të mjaftueshme për të gjitha shkollat, sepse shkarkimi i teksteve, online nuk arrin qëllimin e dëshiruar.
- Të vazhdohet me licencimin e mësuesve, që tani më ka filluar dhe shpresojmë që të vazhdohet edhe me hapa më të përshpejtuar, në licencimin e mësuesve tjerë si dhe me shpërndarjen e certifikatave, me qëllim që një vendim zyrtar ta arrijë qëllimin e vet.
- Ne jemi shumë mirënjohës për organizimin e trajnimit të mësuesve, trajnime shumë të rëndësishme për përgatitjen e tyre profesionale dhe duhet të vazhdohet në këtë drejtim, me qëllim, që për mësuesit të ketë më shumë trajnime dhe takime konsultative profesionale.
- Angazhimi i mediave shqiptare të shkruara dhe audiovizive në diasporë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Televizionet kombëtare të licencuara si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë lënë shumë për të dëshiruar. Nevojitet një angazhim gjithëpërfshirës sepse mjetet audiovizive ndikojnë dukshmen në ngritjen e vetëdijes kombëtare te mërgimtarët shqiptarë.
- Krijimi i mini – bibliotekave me lektura shkollore të cilat do të ndihmojnë që fëmijët shqiptarë të jenë sa më afër librit shqip etj.
Fakt është se duke gjetur zgjidhje disa prej kërkesave dhe duke i vënë në listë kërkesat tjera, përpjekjet tona të përbashkëta i shndërrojmë në një program kombëtar, i cili dukshëm ndikon në sensibilizimin e prindërve shqiptarë, i cili mund të përkthehet, në më shumë pika shkollore, më shumë nxënës, më shumë mësues dhe në këtë mënyrë kryejmë obligimin tonë moral dhe kombëtar ndaj gjuhës amtare.
Dhe për t`i ilustruar këto fakte, ku është bashkuar institucioni i shtetit dhe një grup mësuesish vullnetarë duke dhënë një histori suksesi është rasti në Zvicër, ku Ambasada Shqiptare në Bernë, nën drejtimin e ish- ambasadorit z. Ilir Gjoni, i cili duke shfrytëzuar legjislacionin vendas arriti t`u hapë rrugë mësuesve vullnetarë, të cilët krijuan rrjetin e “Shkollave Shqipe” në Zvicër dhe së bashku me një aktivitet të organizuar mirë, arritëm të hapim dhjetëra e dhjetëra pika shkollore në më se 20 kantone të Zvicrës, me një staf pedagogjik me 39 mësues, si dhe vazhdohet tutje, edhe me ambasadorin e ri z. Mustafa Nano, dhe jemi në prag të hapjes së pikave të reja shkollore, të cilat janë në proces. Pra, një model suksesi ku dëshmon se aty ku bashkohen veprimtarët e arsimit shqip dhe institucioni, nuk mungon suksesi dhe se tejkalohen ndasitë klanore e krahinore, sepse shkolla shqipe nuk mund të jetë privilegj i askujt!
Një model, suksesi natyrisht me punën dhe përkushtimin e tyre janë dhjetëra e dhjetëra mësues vullnetarë në Gjermani, në Greqi, në Itali, në Austri, në Suedi, në Londër, në SHBA, në Turqi, në Kanadë, në Kroaci dhe më gjerë, që vijmë në përfundim t`i shtrojmë dy gjëra që në shikim të parë duken të pakalueshme, por në thelb janë shumë të thjeshta, por vetëm duhet vendosmëri; dhe t`i themi vetes; po, unë bëhem pjesë e programit kombëtar, që të shpëtojmë sa më shumë fëmijë nga asimilimi i përditshëm. Institucionet tona pothuajse në të gjitha shtetet e botës kanë një numër jo të vogël mësuesish, të cilët janë të gatshëm të bëhen pjesë e këtij programi. Një pjesë, ku lirisht mund të konsiderohet si truri, që mund të vejë në lëvizje një mekanizëm të këtillë, në shërbim të programit kombëtar.
Ne jemi të gatshëm që në çdo kohë të jemi në shërbim të njehsimit të shkollave shqipe në Diasporë, me punën dhe angazhimin tonë të ndihmojmë, sepse ky rrugëtim sot, është shumë më i lehtë, shumë më i dobishëm, se sa një ditë të themi, siç thotë kënga arbëreshe “Japmi dorën o vëllezër se na jemi gjaku i shprisht”! Apo, edhe më keq të themi “na ishte një degë e fortë”.
Dhe fare në fund, Gëzuar festat, qofshim gjithmonë të bashkuar ashtu siç ishin; mësuesit, dijetarët dhe veprimtarët e arsimit shqip, gjatë realizimit të datave historike, të lartëpërmendura, kongresit të alfabetit si dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Nga Vaxhid Sejdiu
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
8 Dhjetori – Dita e Rinisë, një ngjarje e paharruar e studentëve shqiptarë
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Këto njëzet pyetje ndihmojnë secilin prej jush të bëhet punonjës bibliotekash