Mirënjohje

“Shëmbëlltyrë vlerash”- Në kujtim të mësuesit Gazion Rusi

Armiku i padukshëm “COVID”-19 i ka marrë jetën edhe shumë mësuesve. Prej tij nga kjo jetë u largua edhe mësuesi 39-vjeçar Gazion Rusi. Ky shkrim në fakt i kushtohet kujtimit të tij, vlerave jo vetëm profesionale që ai kishte por edhe atyre njerëzore. Ja si e kujton atë kolegu i tij Evans Drishti.

Ishte tejet i vështirë viti që lamë pas, teksa Marsi nisi bukur dhe plot gjallëri, por që ajo atmosferë plot hare nuk zgjati shumë, pasi do të përballeshim me një prej sfidave më të tmerrshme që do dëshmonte vetë njerëzimi. 


Do ishe ndër të parët që do impenjoheshe shumë seriozisht me një sistem krejtësisht të ri, siç ishte edhe ai “online”, teksa natyrshëm fliste edhe përgatitja jote mjeshtërore edhe në fushën e teknologjisë, përveç Shkencës së Matematikës, që natyrshëm e kishe tënden. 


Të shumta do ishin videot që ua përgatite me aq zell dhe përkushtim nxënësve të tu, si e si të ambientoheshin sa më shpejt me atë atmosferë aspak të këndshme, por ku qëllimi ishte përvetësimi i atyre njohurive bazike që ofronte lënda jote e preferuar, Matematika. 


E ndërkohë që puna vijonte intensivisht, s’do mungonte as puna tepër korrekte e jotja me përgatitjen e maturantëve, të cilët natyrshëm të prisnin përherë me aq dëshirë dhe vullnet, pasi shpjegimet e tua ishin sa të qarta aq edhe bashkëkohore. Do vijonte kjo punë intensive, veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë, gjatë muajit Maj, ku edhe me udhëzim të MAS dilnim rregullisht për zhvillimin dhe realizimin sa më suksesshëm të programit të konsultimeve. Ti, si gjithnjë, tregoheshe i gatshëm, i përpiktë, i rregullt dhe plot disiplinë, me atë çantën tënde ngarkuar plot ekuacione dhe ushtrime matematikore, që vetëm ti dije ti shijoje aq këndshëm dhe që asnjëherë s’të rëndonin, me atë veshjen tënde të fisshme dhe plot hijeshi, shoqëruar si përherë me mjetet e punës matematikore, që s’të rëndonin asnjëherë, përkundrazi ishin arma jote më e hekurt ku gjeje mbështetje dhe forcë për ta çuar akoma më tej profesionalizmin tënd… 


Ato ditë qenë vërtet të ngarkuara plot përgjegjësi, pasi ishim të gjithë në fokusin e një angazhimi aq serioz sa mezi prisnin rezultatin final, e një mbështetje dhe kurajo të madhe e gjenim në përkushtimin tënd… Ishe i gatshëm të koordinoje çdo mundësi që të jepej, si e si puna të kryhej sa më mirë, si e si të realizohej suksesshëm ajo që ishte planifikuar për t’u dhënë në ato konsultime. Shpjegimet e tua ishin tejet të qarta, pasi edhe përgatitja jote ishte e një niveli tepër të admirueshëm.  I admirueshëm ishte edhe komunikimi yt plot stil dhe delikatesë me nxënësit e tu, të cilët s’ngopeshin asnjëherë me orientimet e tua të vyera, me sjelljet e tua plot hijeshi, me arsyetimet e tua për çdo ushtrim apo formulë matematikore, dhe jo vetëm… 


E në përfundim të çdo konsultimi vinte edhe bashkëbisedimi mes kolegësh, si një çlodhje nga ato minuta plot përgjegjshmëri, e si të mos e ndjenim lodhjen fare na pushtonte gazi dhe hareja, pasi batutat e tua spikasnin si përherë, ndodhitë e shkurtra, por mjaft domethënëse reflektonin aq butësisht në mendjet tona, komunikimi yt ishte tejet komod, mprehtësia jote dallohej në çdo temë diskutimi… 


Por …. 

Ja që papritur një pauzë përshkoi kohën tonë të vyer, një mungesë e jotja si një heshtje drithëruese seç na pushtoi zemrat me ca drithërima delikate. Mesazhi yt në telefon na shtangu të gjithëve, s’donim ta besonim se kishe pak ditë që po përjetoje shqetësimet e kësaj epidemie kaq “të urryer” për të gjithë, shqetësime të cilat orë pas ore kishin nisur të të rëndonin. 


Padyshim, të gjithë luteshim për ty për një shërim sa më të shpejtë… Po kujt ia merrte mëndja se tashmë ditët e tua qenë të numëruara!... Vajtja jote e menjëhershme në Tiranë do na trondiste pa masë, e megjithatë s’e kishim humbur kurajon dhe besimin se sërish do të të kishim pranë me po aq hare e gaz, ashtu siç edhe e kishe emrin, “Gazion” e që ne, dhe natyrshëm të gjithë ata që të njihnin të thërrisnin me plot të drejtë “Gazi jonë”… 


Përpjekjet qenë maksimale për një përmirësim të gjendjes, por mëngjesi i asaj të hëne nuk do hiqet asnjëherë nga memoria jonë, pasi atë mëngjes do merrnim edhe lajmin e kobshëm, lajmin tronditës, se tashmë ti ishte ndarë nga kjo jetë… S’donim ta besonim, s’donim ta pranonim që një sëmundje, një epidemi e tillë të kishte marrë jetën, të kishte shkëputur nga kjo botë, të kishte larguar si papritur… Zemrat na u copëtuan e shpirti na u përvëlua… Memoria kërkonte vetëm çastet e bukura dhe plot dinamizëm që kishim kaluar si miq, si kolegë, si vëllezër… 


Sytë tanë përloteshin në çdo sekondë pasi kërkonin të të shihnin ty, por kishte ngelur vetëm imazhi yt fisnik, zemra rrihte vetëm për ty, pasi kërkonte të gëzonte me kënaqësinë që dhuroje ti, por tashmë mjaftohej të ngopej vetëm me frazat e tua të shpërndara kudo, veshët kërkonin të dëgjonin emrin tënd, por tashmë do trokisnin në memorie dhe përfytyrim pasi vetëm aty do të mund ta gjenin… 


Reflektove devotshmërinë jo vetëm profesionale, por mbi të gjitha individuale, identitare dhe shpirtërore, ku nuk reshte së kontribuuari në shërbim të emancipimit dhe zhvillimit të shoqërisë ku jetove… 


Reflektove urtësinë dhe delikatesën në gjykimin dhe perceptimin e shumë rrethanave të ndryshme jetike, ku me mendimet e tua të vyera që ofrove pasqyrove vizione të qarta dhe të kompletuara… 


Reflektove bindjen dhe besimin e sigurtë jo vetëm si një besimtar i denjë, por edhe si një karakter i fortë që dite të përballeshe me sfidat e jetës… 


Reflektove inteligjencën si një dhuratë prej Zotit, ku aspirove vazhdimisht jo vetëm të profesionalizoheshe, por edhe të kuptoje realitetet që transmetoheshin dita ditës vrullshëm dhe pa asnjë hezitim… 

Reflektove shpirtin njerëzor, me të cilin ishe edukuar që në fëmijërinë tënde me plot origjinalitet, cilësi kjo që spikaste kudo ku hidhje hapin tënd vigjilent… 


Reflektove shpresën, e cila lexohej dukshëm që në sytë e tu, e ku shfaqej më pas në tërë gjallërinë tënde të paevitueshme… 


Reflektove dijen e saktë dhe të dobishme, të cilën nuk e transmetove vetëm në punën tënde të palodhur me nxënësit e tu, por edhe në mesin e miqve dhe kolegëve të tu, që mbusheshin me krenari teksa të dëgjonin… 


Reflektove modestinë qoftë në paraqitjen tënde, qoftë në sjelljet dhe reagimet e tua, qoftë në përgjigjet plot dashamirësi që u ofroje bashkëbiseduesve, qoftë edhe në ofrimin e ndonjë opinioni në bashkëbisedime të larmishme … 


Reflektove njerëzillëkun dhe ngritjen tënde intelektuale në çdo ambient ku prania jote kishte peshën e duhur… 


Reflektove dinjitetin e një familjari të gjithëpranishëm, të bashkëshortit besnik, të babait dhe prindit harmonik, të djalit të ashtuquajtur “timar i shtëpisë”… 


Reflektove thjeshtësinë dhe maturinë e njeriut të mirëkuptushëm dhe dashamirës, që vazhdimisht e peshonte mirëfilltazi mendimin e tij përpara se ta pasqyronte, në mënyrë që fjala të mos rëndonte dhe të mos jehonte armiqësi… 

Mësuesi i ndjerë Gazion Rusi, pas një aktiviteti në shkollën ku punonte 

Sot kuptuam edhe një herë se kush mund të ishte një mik i ngushtë i vërtetë, një mik i përkushtuar dhe pa hile, një mik që të bëhet vëlla si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në realitetin e kohës… 

Sot kuptuam edhe njëherë se s’është e thënë të mbartësh poste të larta për t’u bërë i pranueshëm në shoqëri, por mjafton devocioni në punë dhe në jetë dhe padyshim që veprat do të vlerësohen sipas qëllimit… 

Sot kuptuam edhe njëherë nevojën emergjente që kemi si shoqëri për të tillë njerëz sakrifikues deri në flijim për t’u bërë njeriu i denjë dhe i kërkuar… 

Sot kuptuam edhe njëherë se vlera e dijes është e pashtershme, se s’mund të jetë i njëjtë ai që di me atë që s’di, se pas çdo vështirësi vjen lehtësimi … 

Sot e ndjemë mungesën tënde vëllai ynë, Gazi jonë… Sot e ndjejmë mungesën e buzëqeshjes tënde, të përkushtimit tënd, të gjallërisë tënde, të harmonisë tënde, të mprehtësisë tënde, të komunikimit tënd… 

Prandaj ishte dhe do të ngelesh përherë një shëmbëlltyrë vlerash, pasi këtë edukim kishe marrë që në folezën tënde familjare, e të tilla vlera i tejçove në çdo hap të jetës tënde… 

Do mbetesh përherë Gazi jonë!...

Pushofsh në paqe!... 

Mirënjohje për ty!... 



Nga Evans Drishti, mësues nga Shkodra  



Publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


4,765 Lexime
3 vjet më parë