Ese

Roli i Shqipërisë dhe shqiptarëve në mbështetje të popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ju prezantojmë esenë fituese të javës në projektin e MAS "Mendimi im, Forca Ime". Eseja është shkruar nga Fabjon Kaçeli, gjimnazi “Kristaq Capo”, Berat.

Në rrjedhën e vazhdueshme të kohës, njerëzimi ka parë gjithfarë ndodhish t’i shpalosen para syve. Janë ngritur e shembur perandori, tiranë e titanë, kanë shpërthyer kryengritje e janë larë rrugë të tëra në gjak. Kanë plasur luftëra edhe më të mëdha, pikërisht atëherë kur mendohej se kulmi ishte arritur.


Nëpër gjithë këtë mori ngjarjesh, individësh, pamjesh, spikasin momente, figura dhe, ndoshta më rrallë, popuj të tërë, duke lënë gjurmët e tyre në shkrimin e historisë e duke ndërtuar pak nga pak kujtesën e shoqërisë. Një nga këto raste është streha që populli hebre gjeti pranë shqiptarëve në periudhën më të errët të tij.


Historia e miqësisë mes shqiptarëve dhe hebrenjve e ka gjenezën shumë kohë përpara Luftës së Dytë Botërore; megjithëkëtë, kjo koniunkturë qe një provë e kësaj miqësie dhe, në të njëjtën kohë, një provë për pathyeshmërinë e vlerave të shqiptarëve. Shqipëria, në kundërvënie me veprimet e gjithë vendeve evropiane, nuk pranoi t’ua dorëzonte hebrenjtë autoriteteve totalitare të kohës. Në planin njerëzor, konsiderohet çmenduri e pastër, duke marrë parasysh pasojat që mund të vinin më pas.


“Nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi ndaj hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria është një nga vendet e rralla sot në Evropë ku nuk ekzistojnë paragjykimet dhe urrejtja fetare, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tre besime.” – shkruante Herman Bernshtajni, Ambasadori i ShBA-së në Shqipëri, shtatë vjet përpara holokaustit. “Kodi i Nderit” i shqiptarëve ka qenë përherë tipari ynë dallues. Fjalët e mësipërme na tregojnë, ndër të tjera, se shqiptarët asnjëherë s’e kanë bërë të mirën për “sy e faqe”, për t’u dukur para botës. Përkundrazi, e bëjnë të mirën për hir të traditës që e kanë sjellë mbi vete përgjatë shekujve. Është mbështetja e tyre aq sublime ndaj mikut, saqë e vendosin mbi veten dhe sigurinë e tyre.


Ndihmesa që shqiptarët i dhanë popullit hebre, na flet në shumë aspekte të vetë vlerave tona, të mendimit shqiptar dhe të forcës që e karakterizon. Shqiptarët u hapën derën hebrenjve, atëherë kur ua mbyllën edhe fuqitë më të mëdha të botës, atëherë kur dukej se asnjë vend për ta nuk ishte më i sigurt, as vetë shtëpia e tyre. Shqipëria, asokohe shteti i vetëm evropian me shumicë fetare myslimane, u zotua të shpëtonte çdo jetë të hebrenjve brenda kufijve të saj – dhe e mbajti besën e dhënë me dinjitet.


Padyshim që në perspektivën globale të çështjes, kontributi i shqiptarëve do të mbetet i vogël për sa u takon shifrave, por shumë i madh për sa i takon fenomenit. Ajo që shqiptarët bënë, na dikton një mësim harmonie, mirëkuptimi, dashamirësie dhe para së gjithash, humanizmi; na dikton një sakrificë të pashoqe, gati të papërsëritshme. Shqiptarët ia dolën mbanë, aty ku një pjesë e mirë e vendeve të Evropës dështuan.


Dhe kjo nuk është shërbesë për nxitjen e egos nacionaliste të shqiptarëve, por është një moment frymëzues i vetë njerëzimit, që edhe në dilemat më të mëdha, do të ketë përherë një shembull ku mund t’i kthejë sytë.


Nga Fabjon Kaçeli

Gjimnazi “Kristaq Capo”, Berat



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,966 Lexime
1 vit më parë