Intervistë

Rrëfehet Xhon Abazi, “Aktori më i mirë protagonist në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë” për vitin 2024

Mes botës së adoleshentëve të epokës digjitale gjenden edhe talente të cilët kanë një jetë të pasur artistike.Xhon Abazi është një prej tyre. Ai sapo ka fituar çmimin “Aktori më i mirë protagonist në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë”. Në një intervistë ai rrëfehet për këtë vlerësim dhe jo vetëm!

Në një teatër për fëmijë aktorët e vegjël duhet të kenë aftësi për të mbajtur vëmendjen dhe interesin e audiencës së re, që shpesh mund të jetë më kërkuese se ajo e të rriturve. Aftësia për të shprehur emocione dhe për të përdorur gjuhën e trupit në një mënyrë që është e kuptueshme dhe e angazhuese për fëmijët, duhet të jetë e madhe. 


Ndërkohë një aktori kryesor në teatrot për fëmijë shpesh i kërkohet të ndërveprojë drejtpërdrejt me audiencën, për ta bërë shfaqjen më të gjallë. Aftësia për të improvizuar dhe për të qenë kreativ gjatë performancës, duke i bërë skenat më argëtuese dhe me të papritura, është një e dhënë tjetër që e bën të dallueshëm një aktor të mirë protagonist. 


Një paraqitje të të gjithë këtyre elementeve të aktrimit, duket se i ka përshfaqur djaloshi elbasanas Xhon Abazi. 15- vjeçari këtë vit ka fituar çmimin si “Aktori më i mirë protagonist në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë” organizuar në qytetin e Beratit në shfaqen me titull “2 martohen, 200 tërbohen” ku Xhoni është në rolin e dhëndrit, i quajtur Bimi. 

Foto nga shfaqja “2 martohen, 200 tërbohen”/ Djathtas, Xhon Abazi, aktori më i mirë protagonist në rolin e dhëndrit 

Foto nga shfaqja “2 martohen, 200 tërbohen”

Juria e përbërë nga artistë të mëdhenj shqiptar, si Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Anila Bisha kanë zbuluar dhe vlerësuar këtë talent të trupës së Qendrës Kulturore të Fëmijëve Elbasan, me regjisore Elona Mamo. Shfaqa sjellë me nota humori po aq edhe dramatike realitetin e traditës së një dasme shqiptare. Ajo u vlerësua si shfaqa e dytë më e mirë me tre çmime të përfshira: “Çmimi i dytë i festivalit”, “Aktori më i mirë protagonist, Xhon Abazi” dhe “Realizimi artistik, Helia Demiraj”.  . 

Juria e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë; i Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Anila Bisha 

Ndërkohë, qysh në moshën 8-vjeçare Xhoni është bërë pjesë e performancave në aktrim e prezantim. Ai duket se është një artist i kompletuar pasi ushtron hobin dhe pasionin për DJ, fotograf, video-maker, dublant etj. 


Natyrshëm na vjen të pyesim veten se si ja del një djalë në moshën e adoleshencës së epokës digjitale të ketë një jetë artistike kaq të pasur!  Pikërisht për këtë ne kemi zhvilluar një intervistë tepër frymëzuese me Xhonin, talenti dhe puna e të cilit tregon shumë në këtë drejtim.  


Xhon Abazi, aktor



Si e zbulove pasionin tënd për aktrimin? 


Pasioni im për aktrimin ka lindur nga një personazh i shou-t të humorit “Portokalli”. Kur isha 5-6 vjeç doja të bëhesha polic vetëm se më pëlqente polici i “Portokalli”- së, Flor Binaj. Pak më vonë kuptova që nuk më pëlqente profesioni policit, por aktrimi që Flori bënte, ndryshimi dhe përshtatja që ai u bënte të gjithë personazheve që sillte! Por dua them se unë gjithmonë kam qenë i lidhur me artin. Në moshën 6-vjeçare ndoqa një kurs 1 vjeçar për piano. Ndërsa në moshën 8-vjeçare prindërit më dërguan në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Elbasan. U nisa për t’u regjistruar për kitare, por në momentin e fundit pyeta profesorin: “A ka kurs aktrimi këtu?”. Aq ishte. Që nga ai moment e për 7-vite nuk e ndryshova këtë kurs.



Cili ka qenë roli yt i parë dhe si u ndjeve kur e pranove dhe u pranove në atë rol?


Roli i parë ka qenë interesant. Aktorja Antoneta Doko, që ishte edhe regjisorja që merrej me kursin e aktrimit, më besoi dy role njëkohësisht (të vogla të kuptohemi). Isha dreri (i veshur me kostumin e drerit) dhe në dorë mbaja një kukull ujku. Ujku dhe dreri ishin shokë që kishin dialog dhe unë njëherë flisja si dreri dhe një herë lëvizja gojën e ujkut dhe ndryshoja zërin. Si hera e parë në skenë si aktor, kisha goxha emocione, por mbaj mend që mora shumë lavdërime, sidomos për saktësinë dhe ndryshim e zërit.



Po tani që ke marrë edhe çmimin si aktori më i mirë protagonist në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë për këtë vit, si ndihesh? 


Së pari nuk e prisja fare si çmim, sepse në grupin tonë ka edhe shumë karaktere të tjera që mund të ishin pretendentë për çmimin e aktorit më të mirë. Por mund të them që jam shume i entuziazmuar sepse është hera e parë që marr një çmim dhe aq më tepër nga një juri profesionistësh, aktorësh që kanë bërë histori. Ndihem i privilegjuar nga vendimi i tyre, shumë i lumtur që më vlerësohet talenti, sidomos kur nuk e pret e te vjen surprizë. Ky çmim më inkurajon për të ecur përpara dhe për të punuar më fort, pse jo për një karrierë në të ardhmen.

Çmimi i fituar nga aktori Xhon Abazi, si aktori më i mirë protagonist në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë” 

Aktorët kryesor të shfaqjes “2 martohen, 200 tërbohen”,Ema Skoti dhe Xhon Abazi, përkatësisht në rolin e nuses dhe dhëndrit, Xhilbertës dhe Bimit


Si përgatitesh për një rol të ri?


Hapi i parë është leximi i tekstit pas ndarjes së roleve. E lexojmë tekstin ne grup, secili rolin e tij. Duke e lexuar shumë herë mësohemi me personazhin, pastaj perfeksionojmë tekstin duke e mësuar përmendësh. Më pas provat kalojnë në skenë, ku veç tekstit regjisorja jonë Elona Mamo na mëson si ta interpretojmë dhe si ta shoqërojmë me gjeste.



A ke ndonjë ritual ose proces specifik që ndjek para se të dalësh në skenë ose përpara kamerës?


Përpara çdo shfaqje jam ne presionin e emocioneve. Përpiqem të përsërisë tekstin me vete, bisedoj me grupin dhe ndonjëherë përqafohemi me njëri- tjetrin. Por sa fillon shfaqja emocionet fillojnë dhe ikin vetvetiu.



Cila ka qenë skena më e vështirë që ke luajtur dhe si u përgatite për të?


Skena më e vështirë ka qenë shfaqja “Kunati i shokut Xhemal”, ku kisha rolin kryesor, d.m.th shumë tekst dhe veprim gjatë gjithë kohës. Për më tepër që ai është një humor ku i madhi dhe i ndjeri Zef Deda e ka realizuar në perfeksion. Unë duhet të isha kunati i shokut Xhemal, por ta sillja pak edhe në versionin tim, mos të isha vetëm një imitues i personazhit. Kam qenë 9-vjeç atëherë.



A ke pasur ndonjëherë ndonjë incident të papritur gjatë një shfaqje ose xhirimi? Nëse po, si e menaxhove situatën?


Nuk mbaj mend ndonjë incident. Meraku më i madh është mos dikush harron tekstin dhe duhet ta mbulojmë situatën, por jo. Deri tani nuk na ka ndodhur.



Kush të ka frymëzuar më shumë në karrierën tënde të aktrimit?


Kush më ka frymëzuar? Ndoshta janë shumë gjëra bashkë. Filmat, videot humoristike, dokumentarët e prapaskenave të filmave, shfaqjet teatrore (te të cilat shkoj shpesh me prindërit). Për shkak të profesionit të prindërve si gazetarë kam pasur mundësinë që veç të shikuarit të këtyre shfaqjeve, kam takuar nga afër shumë aktorë kur ata i intervistonin.



A ke ndonjë aktor ose aktore të preferuar? Përse?


Kam disa: Keanu Reves, Jim Carrey, Flor Binaj, Gentian Zenelaj, Jul Deda etj.



Si e balancon shkollën dhe aktrimin?


Aktrimi është jashtë orarit të shkollës. Ndodh të shkëputem vetëm kur kemi shfaqje. Po gjithsesi mes shkollës dhe aktrimit, do zgjidhja aktrimin.



Cila ka qenë sfida më e madhe që ke hasur gjatë karrierës tënde si aktor, edhe pse i ri në moshë?


Besoj që jam akoma herët për sfida të vërteta. Po nëse do quheshin sfida do thosha: koha për të mësuar tekstin, perfeksionimi i rolit dhe kontrolli emocioneve.



Si e përballon kritikën dhe komentet negative?


Shyqyr që kanë qenë të pakta ( kritikat, se komente negative nuk kam hasur). Mërzitem pak, por i marr parasysh për t’u përmirësuar.



Na trego për një moment të paharrueshëm gjatë xhirimeve ose provave.


Gjatë provave gjenerale për shfaqjen “2 martohen, 200 tërbohen” mbaj mend që kemi qeshur pafund, duke parë si ishim katandisur me kostumet përkatëse, pas çdo batute qeshnim vetë. Përveç shfaqjeve të teatrit, kam marrë pjesë si figurant në dy filma, por që më kanë lënë shumë mbresa. Shesh-xhirimi i një filmi ishte një eksperiencë shumë e bukur, ku pata fatin të takohesha me aktorë si Ndriçim Xhepa, Blerim Destani.



Cilat janë disa projekte të ardhshme që të ngazëllejnë?


Mezi pres të rivendosim në skenë edhe njëherë shfaqjen “2 martohen, 200 tërbohen”. Kam shumë dëshirë të përfshihem në projekte të ndryshme, qofshin në fushën e teatrit, filmit, por pse jo edhe të reklamës. Gjithashtu në fushën e muzikës, pasi unë kam edhe një tjetër pasion (profesion) të qenurit Dj (dixhej).



A ke ndonjë zhanër të preferuar të filmave ose teatrit që do të dëshiroje të eksplorosh më shumë?


Do më pëlqente të isha pjesë e ndonjë filmi aksion ose komedi. Në teatër do të doja të luaja me aktorë të mirëfilltë, po te zhanri komedi.



Si e shikon veten në të ardhmen? Çfarë synimesh ke për karrierën tënde?


Ky çmim më rriti vetëvlerësimin dhe më bëri të ëndërroj veten aktor në skena të mëdha, por është akoma herët për të thënë se ku e shoh veten. Por për një gjë jam i sigurt, do i përkas fushës së artit.



A ke ndonjë hobi ose interes tjetër përveç aktrimit për të cilin dëshiron të na rrëfesh më shumë?


Siç e përmenda pak më parë, muzika dhe të bërit DJ është një hobi që e ushtroj prej 5 vitesh. Fotografia dhe filmimi janë një tjetër pasion, sidomos të filmuarit me dron. Unë kam lindur në një shtëpi ku kamerat, aparatet fotografikë dhe mikrofonat janë më të rëndësishme se çdo objekt tjetër. Kështu që nuk i shpëtoja dot kuriozitetit dhe dëshirës për t’i përdorur. Besoj që jam perfeksionuar  më shumë në filmimin me dron. Kam bërë mbi 200 filmime me dron në vende dhe evente të ndryshme. Kam prezantuar po në Qendrën Kulturore Elbasan disa aktivitete dhe më ka pëlqyer shumë, aq sa mund ta quaj një pasion tjetër edhe këtë. Ndërkohë doja të përmendja këtu edhe faktin se në Abetaren Mbarëkombëtare digjitale të Shtëpisë Botuese Albas, në animimet që kjo shtëpi botuese ka sjellë për herë të parë në këtë fushë, zërin e robotit Roki e kam bërë unë (Është një prej personazheve kryesorë). Një kënaqësi tjetër e madhe dhe kjo për mua. 



Si të ka ndihmuar aktrimi të rritesh si person?


Më ka bërë më të fortë përballë emocioneve. E folura përpara një publiku, sidomos si një personazh e jo si vetja jote, të ndihmon të vetëkontrollohesh.



Cila është pjesa më e bukur e të qenit aktor, sipas teje?


Që je ai që s’je (qesh). Që ke mundësinë të bësh një publik të reagojë dhe që në fund shijon duartrokitje.



Çfarë do të doje që publiku të dinte për ty që nuk e dinë tashmë?


Nëse i them të gjitha, ndoshta s’më merr më në intervistë, kështu që po i lë për herë tjetër, se qënka bukur (qesh). Por gjithsesi po them disa. Në shfaqje, në rolin e mamit tim, është motra ime Evelin, që ka 3 vite që është në të njëjtin kurs me mua. Kam një familje që më ndjek në ëndrrat e mia dhe është aty gjithmonë për mua. Talentin e aktrimit e sidomos mimikat i kam të trashëguara nga 2 gjyshërit e mi. 

Aktori Xhon Abazi me regjisoren Elona Mamo dhe motrën Evelina Abazi

Kam mësuese dhe shokë që më mbështesin dhe më vlerësojnë dhe  i falënderoj. Gjatë provave të shfaqjes e kam mërzitur disa herë regjisoren me tekat e mia prej adoleshenti dhe për këtë i kërkoj ndjesë: Elona, ti e di:  Love You! (po do grindemi prapë, e dimë ne. (qesh).



E në fund, çfarë këshille do t'u jepje adoleshentëve të tjerë që duan të ndjekin një karrierë në aktrim apo art në përgjithësi?


Nuk jam shumë i mirë për këshilla, por di të them se rruga e artit është shumë e bukur (nëse e do). Talenti është shumë i rëndësishëm me fushën e aktrimit, gjithsesi pa punë nuk arrihet asgjë.

Trupa e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Elbasan pas shfaqjes 

Intervistoi Kaltra Tafani 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

987 Lexime
5 muaj më parë