RRËFIME PËR NJË LIBËR

“Rrëfej unë, gruaja”

“Unë nuk besoj në dallimet gjinore te letërsisë, por ky libër i shkruar nga një grua ta themi për gratë, është sigurisht një libër për të gjithë. Se gratë janë për burrat dhe anasjelltazi” - Ymer Çiraku.

Rrëfime për një libër (Mimoza Kuchly)


Erdhi një moment dhe vendosa të hedh disa mendime të lira për librin e publikuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”: “Rrëfej unë, gruaja”, të ish-studentes sime, Mimoza Kuchly.


Sigurisht, kjo ndodhi edhe në atmosferën e një suprize të këndshme, kur një grua e hijshme me kapele, me sens të dukshëm lirie e sigurie në vete, të ofron në mënyrë paksa provokuese njohjen, që për ty (dmth për mua), ajo njohje e dikurshme, ishte përhumbur diku nëpër zgafellat e viteve – mbushur përplot ngjarje, njëherazi, nga më të dendura, më kundërthënëse e shpesh më trishtuese e brengosëse – nga ato të jetës sonë shqiptare.


Por ajo njohje, apo rinjohje tashmë e konfirmuar me gëzim e kërshëri bashkë, vjen një çast që e tret tisin e viteve dhe përpara meje, sikur ishin përballë njëkohshëm dy portrete: Mimoza studentja e dikurshme dhe ajo e sotme, tashmë kjo e sotme - me hijeshin e gruas së pjekur, por edhe me staturën e autores së një libri të botuar.


Rrëmbyeshëm të pushton mendimi: a mundet vallë ta mbajë dot aureolën e shkrimtarit?! Mbajtja dot ose jo e asaj aureole, nuk është kurrsesi çështje peshe e saj, as ngjyre apo dizajni… Është vet misteri që ajo e mbart fort së brendshmi dhe nuk e shfaq kurrë, por që ajo lloj lënde e etertë misteri duhet të përcillet në krijimtarinë letrare si frymë dhe si ekulibër, i cili nuk mbahet nga asnjë konstruksion i dukshëm apo i matshëm.


Prandaj dhe e mbajta ca kohë këtë libër. Lexoja një tregim apo novelë, pastaj e lija mënjanë në raftet e mija të rrëmujshme. Për t`iu kthyer sërish pas do kohe, pa asnjë afat të paracaktuar. Thjesht st të lënë në rënie të lirë, për të parë si endet material e librit: si një send i rëndë, që bie vërtik e me një zhurmë/britmë shurdhonjëse. Apo si një pupël në endje dredharake, nazike, që shpesh duket sikur kërkon fundin, por mu atë çast sikur ndërron mendje dhe ia nis endjeve anash dhe pastaj befasisht dhe çuditërish, në lëvizje fluture kthehet drejt lartësisë, për atij drejtimi nga u nis.

 E pikërisht kjo mendoj se është loja e artit të shkrimtarisë, që unë e besoj, e vlerësoj dhe i thashë vetes: një libër që ia vlejti që e lexova, që e shijova… Pa ngut, ashtu si shijohet një gotë vere në qejf e në paqe me veten.

Pra, unë nuk e harrova leximin e librit, duke e lënë diku mënjanë. Unë e lëxova dhe u enda nëpër fletët e tij, brenda një kohe të gjatë. Fundja për ta provuar sa më gjatë kënqësinë, që ai më përcillte.

Tekstet e përfshira brenda këtij libri, mendoj se e shfaqin bindshëm sigurinë e të shkruarit prej autores. Kjo ka jo pak rëndësi, se dëshmon vërtet botim fillestar, por ka patur brenda vetes një proces laboratorik të sprovuar krijues. Ai laborator mund të mos duket së jashtmi, por është i pranishëm në trajtat e veta specifike të instinktit krijues.


Tregimet dhe novelat përcjellin një ekulibër fin narrativ. Shkojnë aq sa duhet dhe përmbyllen atje ku duhet. Ndërkaq, kanë një ornament përndritës e funksional gjuhësor, që shkon në harmoni me atmosferën e një lloj stilit të lartë aristokrat që zotëron në atmosferën e ngjarjeve dhe personazheve të rrëfyer. Fundja, letërsia nuk është tjetër, veçse arkitekturë gjuhësore dhe tërë vlerat e saj përmes atij materiali ezoterik mbarten. Ai lloj materiali - mund të jetë baltë e rërë inerte (në letërsitë e rëndomta vulgare), por mund të jetë edhe yllnajë apo mjegullnajë e përndritshme ari. Është mjeshtëria e patreguar dot me fjalë e mjeshtrit, ajo që mund ta vendosë e ta ndajë këtë kufi të skajshëm.


Parathënia e librit duket se ka depërtuar fort deri në qelizë të tij, madje ngjan si pjesë integrale e tij, një lloj epilogu apo zbulese - gjithsesi plot kujdes, për ta udhëhequr lexuesin nëpër lakoret e situatave të përndezura të personazheve kryesisht femra. Këto janë figura njerëzore, që në fakt, mbeten mjaft të pranishme, porse i bëjnë të largëta tabutë dhe klishetë e shoqërive. Tregimet i shfaqin haptazi këto botë komplekse e të aq të pasurë njerëzore, por duke i ruajtur edhe nga lakurëqësia e rëndomtë.

Një pjesë e krijimeve, janë konceptuar si rrëfime në vetë të tretë e disa të tjerë në vetë të parë. 

Pra, kemi në rastin e parë atë rrëfyesin e gjithëdijshëm (omnishent) sikundër përcaktohet nga kritika letrare dhe pastaj kemi narratorin vetrrëfyes në rastin e dytë. Secili model, ka avantazhin e vet. Sigurisht në rastin e dytë, kemi mundësi për depërtime më të brendshme psikologjike, por ndërkaq, është dhe kufizimi, sepse, duke parë më brenda vetes, mbetet i kufizuar vështrimi i gjerë, i paskajshëm – si në modelin e parë.


Për të mos bërë teori, konkretisht, duhet ruajtur apo patur kujdes se, kur personazhi rrëfyes sheh psh në rrugë një femër të bukur në semafor në makinën e saj me sytë ulur mbi cellular, nuk mund të shkruajë dot, sepse nuk mund ta dije kurrë se këtij çasti ajo po bisedon me të dashurin e saj dhe po ashtu - as mund ta dijë se çfarë i thotë ai kësaj femre, sado që fytyra e saj mund të shprehë një gjendje të caktuar tensionimi. Por kjo tendencë e autorit, sigurisht që mund të realizohet, mund të shprehet, duke shkruar psh në tregim: “ Ajo femër duket fort e shqetësuar mbi aparatin e saj celular. Ndofta është duke folur me të dashurin, i cili…etj.etj”. Nuk është se vrej ndonjë shqetësim të dukshëm në këtë çështje, por gjithsesi duhet ruajtur kujdesi ndaj ndonjë aksidenti, sado periferik të shfaqet ai.


Të zgjatem më tej? Edhe unë jam një nga ata lexues, që e çmoj sinqerisht këtë libër. Unë nuk besoj në dallimet gjinore te letërsisë, por ky libër i shkruar nga një grua ta themi për gratë, është sigurisht një libër për të gjithë. Se gratë janë për burrat dhe anasjelltazi.


Ymer Çiraku


(Portali Shkollor)

2,466 Lexime
4 vjet më parë