ese

Rruga e brezit tim drejt suksesit

Kur vjen në gjimnaz, e ndjen lakun të të shtrëngohet. Vitet vendimtare drejt suksesit të thonë, esenciale drejt arritjeve, drejt të zgjedhurit të rrugëtimit që kërkon për vetveten. Megjithatë ky elementi “vendimtar” shkon përtej nesh si nxënës...

Brezi im, i përket një periudhe e cila ndonëse nuk është mirëfilli tranzitive pasi nuk përjetuam ndërrimin e sistemeve sikundër prindërit tanë; vazhdon të jetë një periudhë ndryshimesh e tranzicioni të tejzgjatur për Shqipërinë, e cila sigurisht në aspektin kontekstor formëson dhe kanalizon udhën e gjeneratës së cilës unë i përkas drejt suksesit.


Kështu e thënë ndryshe e ca më thjeshtë rruga e brezit tim drejt suksesit, përtej përpjekjeve dhe aspiratave personale orientohet nga aktorë kyç si familja, shkolla, komuniteti, hapësirat sociale ku zhvillohen, e nëse këto variojnë nga një individ në tjetrin, ajo çka marrim “de facto” është pikërisht influenca e politikave, kontekstit historik e social, dhe realitetit që në gjejmë të parashtruar mes përpjekjeve për të arritur suksesin.


Në e nisim me arsimin i cili në qoftë cilësor përbën themelet e arritjeve të një brezi të tërë, nuk di të them në kemi arritur suksesin në këtë aspekt, por sigurisht kemi kapur majat e niveleve eksperimentale, duke qenë kavjet ideale me përshtatshmëri maksimale. Për ne ndërrimi i pushteteve ka nënkuptuar reformim total të arsimit, ca për çështje biznesi e ca për qëllime dukjesh, por ajo çka ndiejmë në kurriz përtej përmirësimit është kaotike. 


Përgjatë gjithë ciklit 9 -vjeçar përjetuam zallamahinë e altertekstit ku kemi qenë dëshmitarë për ndryshimet e pazaret e bëra që në klasën e parë e deri në përfundim, të cilat na rëndojnë dhe sot në aspektin e dijeve dhe formimit. Kështu të ndërroje shkollë do të thoshte të ndërroje pjesën më të madhe të librave, të kishe mbi kurriz një tufë me informacione të pamarra e ca të padobishme, dhe një seri me elemente e praktika të mësuara ndryshe. Me unifikimin e Abetares dhe reduktimin e mundësive të zgjedhjeve lidhur me tekstet shkollore, u synua zgjidhja e këtij problemi kaq masiv, që ne gjithsesi e hoqëm dhe tërhoqëm, por çka u arrit nuk shkonte pranë cilësores, sepse pa shkuar tek kritika vetë nxënësit ndjenë peshën e përkthimeve të gabuara, konteksteve të pasakta që derivuan në informacion shkencor të ngatërruar keqazi. 


Kur vjen në gjimnaz, e ndjen lakun të të shtrëngohet. Vitet vendimtare drejt suksesit të thonë, esenciale drejt arritjeve, drejt të zgjedhurit të rrugëtimit që kërkon për vetveten. Megjithatë ky elementi “vendimtar” shkon përtej nesh si nxënës e përtej shkollës si bërthamë e strukturimit të udhës sonë; orientohet pikërisht tek politika e nisma që vijnë pa kurrfarë pilotimi, anketimi, pa studiuar e vlerësuar gjendjen reale në shkollat tona. Këtë e mbështesin eksperienca fare të freskëta si matura shtetërore e tre viteve më parë ku procedura ndryshoi një ditë pa kurrfarë lajmërimi praprak, e pa pritur pa kujtuar nxënësit kishin bërë zgjedhjet e gabuara dhe nuk arritën dot degët që dëshironin; e sigurisht nxënësit kishin faj se doemos duhet të kishin veti parashikuese prej orakulli se cila do të ishte ideja brilante e rradhës e atyre që janë në krye.


Ide të tjera si këto ka pafund, nisma “Shkolla Qendër Komunitare”, që veç ca dokumentacioni më tepër e ndonjë orë spektakël ne si nxënës nuk kemi ndjerë vërtetë hapësirat që duhet të ketë, apo nisma e Shkollës Digjitale, ku sigurisht teknologjia është fantastike dhe ka prioritetet e saj por nuk të ngroh gjithë dimrin në shkollë, ku mendja të rri më shumë tek këmbët e akullta se sa tek ora e mësimit.


Matura Shtetërore vijon të jetë një mekanizëm penalizues, ku prindër e mësues gjurmojnë për të gjetur një të njohur që të ndihmojë sadopak nxënësit e fëmijët e tyre, ku ka tolerancë po aq sa dhe penalitete e fiktivitet, dhe ku jo gjithnjë funksionon meritokracia. Në mbarojmë këtu dalim tek studimet universitare, që kanë një gamë tjetër ngatërresash, si: tregu i pasigurt i punës, mungesa e hapësirave publike e sociale për të rinjtë, angazhimeve rinore, dëshirat e të rinjve për të qenë të suksesshëm që shtypen gjithnjë e më shumë e orientohen drejt politikës me tepër se drejt dijes, jashtë vendit më tepër se brenda… 


Sigurisht rruga drejt suksesit nuk është asnjëherë dhe askund e lehtë, megjithatë e rëndësishme është të përpiqemi të minimizojmë hendeqet që na krijohen e të ndërtojmë urat hap pas hapi. 


Ndërkohë për momentin na mbetet vetëm të punojmë fort, e të përpiqemi që idenë e rradhës “3 lëndë në 6 orë”, ta bëjmë të suksesshme, pikërisht për të mirën e arritjeve tona.


(Dorina Zhuka, Portali Shkollor)

3,742 Lexime
6 vjet më parë