Shkolla e mesme profesionale e Lezhës "Kolin Gjoka" fituese e dy çmimeve në Athinë
Shkolla e Mesme Profesionale "Kolin Gjoka" Lezhë shkëlqen në Athinë, duke fituar vendin e parë me projektin AR “Twin Tower” dhe të dytin me “Mrizi i Zanave Agroturizëm” në BIG ART International Bootcamp. Nxënësit dhe mësuesit u dalluan për kreativitet dhe përdorim inovativ të teknologjive 3D dhe AR.
Nga Lindita Kokaj
Dy projekte fituese të realizuara nga nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka” Lezhë u prezantuan në Athinë, në kuadër të "BIG ART International Bootcamp & Competition".
Në këtë garë nxënësit lezhjan fituan vendin e parë dhe të dytë.
Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Shkollës Bardh Dedgjonaj duke theksuar:
"Ndodhi siç e parashikuam dhe siç e merituam.
Në konkurs në Athinë nxënësit e Shkollës Profesionale "Kolin Gjoka" morën çmimin e PARË dhe çmimin e DYTË, ndërsa me çmim të tretë u vlerësuan studentët e një universiteti në Izrael.
Sipas Dedgjonaj, konkuruan 2 grupe të shkollës profesionale "Kolin Gjoka" , 3 grupe të qëndrës profesionale të Athinës dhe 4 grupe nga dy universitete izraelite.
Drejtori i shkollës Bardh Dedgjonaj falënderon stafin si edhe nxënësit e talentuar për këtë përfaqësim dinjitoz.
"Puna shpërblehet! Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për ta fituar projektin dhe për përgatitjen e prezantimeve me kolegët: Rudina Gjoka, Jetmir Shtjefni, Vjollca Dodaj, Elsa Duka, si dhe 6 nxënësit tanë të talentuar: Megi Coku, Kejvin Kola dhe Arsild Pjetri për grupin e parë dhe Kjara Malaj, Gleidi Lleshgegaj dhe Nelson Gjergji për grupin e dytë. I falenderoj me gjithë zemër të gjithë nxënësit fitues dhe kolegët e shkollës për këtë arritje të jashtëzakonshme", deklaroi Dedgjonaj.
Nxënësit Kejvin Kola, Megi Coku, Arsild Pjetri, së bashku me mësuesin e ICT Jetmir Shtjefni dhe drejtorin Bardh Dedgjonaj, fituan VENDIN E PARË me projektin AR - Twin Tower.
Nxënësit Gleidi Lleshgega, Kjara Malaj, Nelson Gjergji, me mbështetjen e mësuesit të ICT Jetmir Shtjefni dhe drejtorit Bardh Dedgjonaj, fituan VENDIN E DYTË me projektin AR - Mrizi i Zanave Agroturizëm.
Mësohet se projektet u zhvilluan duke përdorur teknologjinë e skanimit 3D dhe Matterport, paraqesin modele inovative të hapësirave të skanuara dhe eksperiencave virtuale.
Këto punime janë rezultat i kreativitetit dhe përkushtimit të nxënësve të kësaj shkolle, të cilët po përfaqësuan me krenari shkollën dhe vendin në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Gjatë bootcamp-it, nxënësit bashkëpunuan dhe konkuruan me projekte të përgatitura nga nxënës të shkollave partnere nga Greqia dhe Izraeli, duke shkëmbyer ide, përvoja dhe praktika inovative në përdorimin e teknologjive 3D, AR dhe VR në arsim.
Ky aktivitet është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar kreativitetin, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar mes të rinjve.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana
Shqipja zyrtarisht në shkollat publike të Nju Jorkut/ Intervistë me Drita Gjongecajn
Darvini ka patur të drejtë: çdo gjë evoluon, edhe imagjinata.