NGJARJE

Sot 47 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Sot 47 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit në Shqipëri! Përjetë nderim e mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan në Kongres. Tashmë sfida për ta ruajtur të paprekur dhe të pacënuar gjuhën na mbetet ne.

Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore. Ai pasqyron gjendjen e sotme dhe prirjet e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë letrare, e cila mbështetet gjerësisht në gjuhën e folur të popullit. Duke ngritur në një shkallë më të lartë traditën e shkrimit të shqipes, drejtshkrimi i sotëm synon njësimin e mëtejshëm të normës së gjuhës letrare kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta që janë përvetësuar e përvetësohen prej saj.


Në Kongresin e Drejtshkrimit të 20 nëntorit 1972 në Tiranë të pranishëm ishin albanologë nga mbarë trevat shqiptare. Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria dhe nga shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, si dhe nga arbëreshët e Italisë.


Qëllimi i Kongresit ishte të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar.


Gjuha letrare u krijua që shqiptarët të kuptoheshin më lehtë me njeri-tjetrin dhe të vihej një standard i përhershëm drejtshkrimor. Në unifikimin e standardeve të gjuhësh shqipe, rol të rëndësishëm ka luajtur delegacioni nga Prishtina. Kongresi u pasua pas një takimi me rëndësi që ishte mbajtur në Prishtinë, ku ishte vendosur për shumë standarde gjuhësore.


Ndaj, përjetë nderim e mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan 45-vjet më parë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të gjuhës tonë për të cilën Ndre Mjedja pati shkruar:


“Geg’ e tosk’ malci, jallia,

Jan’ nji komb, me u da s’duron,

Fund e maj nji a Shqypnia,

E nji gjuh’ t’gjith na bashkon!”


Eshtë një sfidë që i takon në rradhë të parë të gjithë gjuhëtarëve, shkencëtarëve e intelektualëve që dinë të kuptojnë rëndësinë që ka përmbushja e sfidave të tilla të mëdha e me interes kombëtar.



(P.Shtini; Portali Shkollor)

5,801 Lexime
4 vjet më parë