Ese

“Stop Dhunës!’’ nga Vojsava Çilaj

Vojsava Çilaj, nxënëse e shkollës “Veiz Rustem Patriku”, ka përgatitur një ese, në të cilën ka kërkuar t’i themi së bashku STOP këtij fenomeni që po vuajmë çdo ditë.

STOP DHUNËS!



Shoku yt i klasës nuk të ndihmoi në provim dhe ti për t’u hakmarrë bashkë me grupin tënd pas mësimi e ofendoni, e godisni dhe kur shkoni në shtëpi e bullizoni në rrjete sociale…


Nga dita në ditë po shtohen rastet ku dhuna e formave të ndryshme po shndërrohet në një “epidemi” ku vatrat shpërthyese po fillojnë që nga djepet e shoqërisë që janë familja dhe shkolla.


Dhunë do të thotë shumë më tepër sesa të ushtrosh cinizëm ndaj dikujt qoftë verbalisht, fizikisht, seksualisht apo financiarisht. Do të thotë se je duke ndrydhur një shpirt që dikur ishte i lirë, ndërsa pas asaj fjale të hidhur, pas asaj shuplake e mbylle në një strehë të errët ku ajo viktimë s’kishte asnjë faj.


Ky mallkim, kjo sëmundje që ne qeniet humane krijuam dhe i vendosëm emrin “dhunë” është injektuar edhe në qelizën e shoqërisë sonë, në familje.  Ndoshta dikush mund të flasë me shifra dhe të thotë se familjet shqiptare janë të shëndetshme, por është e sigurt se këta persona nuk i kanë hedhur sytë përtej atyre vilave luksoze. Në zonat më të thella ku do të shohësh në një shtëpi të rrënuar, një grua, një nënë… një femër mbi të gjitha të shtrirë përtokë, me lot në sy, me shenja mavijosjeje që i ka fshehur nën teshat e grisura.


“ - E përse?! Pse kjo qenie kaq e brishtë është katandisur ashtu?” - thua me vete.   Sepse ai që pardje i premtoi dashuri të përjetshme, njohu alkoolin dhe lojërat e fatit.   Shkretoi ato pak të ardhura që kishte kursyer dhe filloi të rrahë barbarisht atë që e bëri baba.  Të tillë njerëz nuk aktrojnë në drama teatrale, por jetojnë në këtë vend duke aktruar në drama reale. Po dhuna nuk jeton brenda katër mureve të kësaj shtëpie, sepse biri shikon se si i ati rreh nënën, ndien gjendjen e dobët financiare që ka familja e tij. Këto ndjesi që ai vuan në shpirt nuk ia tregon askujt por i kyç ne vetvete. Në shkollë, shokët fillojnë ta tallin, ta përbuzin, dhe ai do të durojë deri në një pikë sa nuk do të ketë më se ç’të bëjë dhe të fillojë t’ua kthejë me të njëjtën monedhë duke rënduar psikologjinë.


Si ky fëmijë, si kjo nënë, dhe si ajo krijesë që nuk mund të quhet as baba, as burrë…ka edhe shumë të tjerë.


Sot, dhimbja e dikujt të vuajtur është arsyeja e së qeshurës së dikujt tjetër, por e qeshura e atij të vuajturi nuk do të jetë arsyeja e dhimbjes së atij të qeshurit. Dhuna është forca e një të dobëti dhe fillon aty ku ndalon ndërgjegjësimi.


Është detyrë e çdo njeriu që të denoncojë çdo rast dhune. Ata që kanë një zë duhet të flasin për ata që detyrohen te rrinë të heshtur. Askush nuk e shëron veten duke plagosur një tjetër.


Le t’i themi së bashku STOP këtij fenomeni që po vuajmë çdo ditë.


Të jetojmë të lumtur duke respektuar dhe dashur njëri-tjetrin.



Punoi: Vojsava Çilaj, shkolla 9-vjeçare “Veiz Rustem Patriku” Vodëz, klasa IX



 ©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

452 Lexime
1 muaj më parë