"Teknologjia në shërbim të mësimit të gjuhës shqipe" - Trajnimi nga mësuesi i diasporës, Durim Lika

Trajnimi i organizuar nga mësuesi i Diasporës, Durim Lika, mbi përdorimin e teknologjisë dhe shkrimin e saktë të gjuhës shqipe, solli njohuri praktike për mësuesit në mbarë botën. Brenda artikullit gjeni edhe linkun e trajnimeve që do t’ju ndihmojnë në përgatitjen profesionale.

Nga Jerida Kulla 



Është e domosdoshme që teknologjia të përdoret në mënyrë që ajo të mësohet saktë, qartë dhe pa gabime drejtshkrimore.



Së bashku, duke ndarë dije dhe përvoja, e bëjmë më të lehtë dhe më të frytshëm fillimin e vitit të ri shkollor.


Shtatori sjell vjeshtën, por edhe hapjen e shkollave, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe jashtë tyre. Një përgjegjësi e veçantë, për t’u përgatitur sa më mirë, për t’i pritur nxënësit, fëmijët që kanë lindur dhe po rriten në mërgatë, në bankat e shkollës, kanë edhe mësuesit që jetojnë e punojnë jashtë trojeve të tokës amë. 


Krahas trajnimeve të ndryshme dhe përgatitjes personale që secili prej tyre bën për ngritjen profesionale, më 30 gusht 2025, Durim Lika, drejtor i shkollës “Skanderbeg”, në Parma, Itali, njëkohësisht ekspert i teknologjisë, për t’u ardhur në ndihmë mësuesve të Diasporës, organizoi trajnimin me temë “Përgatitja e kompjuterit dhe shkrimi i saktë i gjuhës shqipe” (Klikoni këtu për të ndjekur trajnimin e plotë)


Nuk është trajnimi i parë që bën Durimi për mësuesit e Diasporës. Kujtojmë trajnimet e njëpasnjëshme që bëri në kohën e pandemisë, rreth përdorimit të platformave të ndryshme për mësimdhënien nëpërmjet internetit. 


Më pas, trajnimin rreth përdorimit të programit të Ekselit. 


Në pamje të parë, kur ke shumë kohë që i përdor këto platforma, të duket e lehtë, por në fillimet e tyre, në vitin 2021, gjithçka duhet ta fillonim nga A-ja. Durimi, me përvojën e tij, me përgatitjen e tij, gjithmonë në koherencë me të rejat e teknologjisë, me përkushtim e devotshmëri, tipare që e karakterizojnë, përgatiti dhe trajnoi shumë mësues të Diasporës, duke bërë të mundur që mësimdhënia të mos ndërpritej. 


Në faqen e tij në facebook, lajmërimi për këtë trajnim ishte i thjeshtë: “Duke marrë shkas nga Seminari XVIII i Mësuesve të Diasporës, i cili u mbajt në Shkodër dhe ku shkolla jonë Shkolla shqipe - "Scanderbeg Parma" - Itali mori pjesë me pesë mësues, më lindi dëshira të organizoj për ju një trajnim falas. Ky trajnim është menduar posaçërisht për të ndihmuar mësuesit e diasporës në përgatitjen e fillimit të vitit të ri shkollor 2025–2026, duke u dhënë mjetet teknike dhe gjuhësore të nevojshme për një mësim sa më cilësor”.


Qëllimi kryesor e trajnimit ishte: fuqizimi i aftësive digjitale të mësuesve, duke u përqendruar në përdorimin e teknologjisë për mësimdhënie efektive dhe me standarde gjuhësore të larta.


Çështjet që kishte zgjedhur për të trajtuar, ishin interesante, të nevojshme për punën e përditshme të mësuesve të diasporës, duke filluar që nga më e thjeshta deri te e ndërlikuara, më e përfolura sot, përdorimi dhe funksioni i Inteligjencës Artificiale:


  • Lidhja e kompjuterit me video-projektorin, tabelën interaktive apo televizorin, për zhvillimin e orëve mësimore me ndihmën e mjeteve vizuale.
  • Përdorimi i HotSpot-it për lidhje interneti, në kushte ku rrjeti është i kufizuar.
  • Krijimi dhe përdorimi i llogarive personale (account) në platformat digjitale.
  • Vendosja e tastierës shqipe dhe përdorimi korrekt i shkronjave ç, Ç, ë, Ë në kompjuter dhe smartphone.
  • Aktivizimi i korrigjuesit drejtshkrimor në Google Chrome, për të ndihmuar në shkrimin korrekt në gjuhën shqipe.
  • Shkarkimi dhe konfigurimi i LibreOffice në shqip, si një alternativë falas dhe funksionale ndaj programeve të tjera.
  • Përdorimi i mjeteve të përkthimit, si Google Translator dhe inteligjenca artificiale për përkthim dhe ndihmë gjuhësore.
  • Përdorimi i Google Forms për regjistrimin e nxënësve, për të organizuar të dhënat në mënyrë efikase.


Takimi i kaloi pritshmëritë, jo vetëm nga numri i madh i mësuesve pjesëmarrës, nga vende të ndryshme të botës: Itali, Greqi, Gjermani, Austri, Zvicër, Kosovë, Shqipëri etj, por edhe nga interesimi dhe pyetjet e ndryshme që iu drejtuan Durimit, në fund të takimit. 


Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues nga ministra e Arsimit, z. Besnik Rama, nga Qendra e Botimeve të Diasporës, Fabjola Caushaj. 


Durimi theksoi rëndësinë e kombinimit të teknologjisë me korrektësinë gjuhësore në arsim: “Gjuha shqipe është një nga shtyllat identitare për nxënësit në diasporë. Prandaj, është e domosdoshme që teknologjia të përdoret në mënyrë që ajo të mësohet saktë, qartë dhe pa gabime drejtshkrimore”.


Pas paraqitjes së materialit, hapësira e pyetjeve ishte një shkëmbim përvoje, se si teknologjia ndihmon në mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, por edhe mund të pengojë, nëse nuk ecën në një hap me zhvillimin teknologjik. 


Ky trajnim ishte një shembull i shkëlqyer se si mbështetja teknologjike, e kombinuar me përkushtimin për gjuhën shqipe, mund të rrisë cilësinë e mësimdhënies në diasporë dhe të afrojë më shumë nxënësit me identitetin e tyre kulturor.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

166 Lexime
5 orë më parë