Tirana mirëpret Panairin e 28-të të Librit, nga 12 deri më 17 nëntor

Nga 12 deri më 17 nëntor 2025, Pallati i Kongreseve mirëpret Panairin e 28-të të Librit. Juria ka shpallur finalistët, mes tyre dy autorë të shtëpisë botuese Albas: Mimoza Havizi me romanin “Drita” dhe Ilir Baçi për përkthimin e “Kitara blu”.

Nga data 12 deri më 17 nëntor 2025, Pallati i Kongreseve në Tiranë do të mirëpresë Panairin e 28-të të Librit, ngjarjen më të rëndësishme kulturore të vitit për botuesit, shkrimtarët, përkthyesit dhe lexuesit. Ceremonia zyrtare e hapjes do të mbahet të mërkurën, më 12 nëntor, në orën 11:00, ku janë të ftuar të gjithë dashamirët e librit për të marrë pjesë në këtë festë të leximit dhe krijimtarisë.



Juria e Panairit të 28-të të Librit përbëhet nga Elsa Skënderi Rakipllari, pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe studiuese e letërsisë, e cila kryeson jurinë, si dhe anëtarët Beti Njuma, gazetare dhe përkthyese; Maniela Sota, përkthyese; Teuta Dhima, bibliotekare dhe publiciste; dhe Zija Vukaj, përkthyes dhe studiues i letërsisë. Sipas njoftimit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, juria është angazhuar me përkushtim për të vlerësuar rreth 260 vepra të paraqitura në konkurs, nga të cilat shumë kanë mbërritur në ditët e fundit të afatit. Pas një pune të kujdesshme, janë shpallur kandidatët finalistë në secilën kategori.


Për çmimin “Autori i librit më të mirë të vitit” janë përzgjedhur: Agron Tufa me veprën “Bija e Minotaurit” (Onufri), Artan Fuga me “Ndëshkimi i dytë i Eves” (Papirus), Ena Bulku me “Pallati i dëshpërimit” (Ombra GVG), Mimoza Havizi me romanin “Drita” (Albas) dhe Zejnullah Rrahmani me “Molla” (Onufri).


Në kategorinë “Përkthyesi më i mirë i vitit” konkurrojnë: Bland Ashiku për përkthimin e “Valixhja” (Sergei Dovlatov, Pika pa sipërfaqe), Erdi Ibro me “Bionde” (Joyce Carol Oates, Pegi), Ilir Baçi me “Kitara blu” (John Banville, Albas), Urim Poshka me “Udhëtim për në Tajan” (Ferid Muhiq, Logos-A) dhe Virgjil Muçi me “Xhejmsi” (Percival Everett, Dituria).


Finalistët për “Autorin e librit më të mirë studimor” janë: Ali Xhiku me “Faqeve të historiografisë shqiptare” (Onufri), Ben Andoni me “Shqipëria prej letrave” (Papirus), Damiano Aliaj me “Intuita dhe jeta – Aktualizime në filozofinë e Henri Bergsonit” (Pika pa sipërfaqe), Uran Butka me “Musine Kokalari – Një yllësi” (Instituti i Studimeve Historike ‘Lumo Skendo’) dhe Vehbi Miftari me “Etnoletra shqipe” (Toena).


Në kategorinë “Autori i librit më të mirë për fëmijë” janë përzgjedhur: Adelina Mamaqi me “Ada duargjata” (Mediaprint), Rajmonda Belli Gjençaj me “Toroboti” (Dituria), Rovena Rrozhani me “Sekreti i fshehur në libra” (Mediaprint), Valbona Banka me “Aria në dorën time” (Dita Books) dhe Jeta Toçila Dedja me “Kush s’ka putra, ka pupla” (Pegi).


Ndërkohë, për kategorinë e përkthimit më të mirë nga letërsia franceze në shqip, që jepet si çmim i Ambasadës Franceze, janë përzgjedhur: Diana Çuli me “Mandarinet” (Simone de Beauvoir, Dituria), Enton Bido me “Shtatë histori që vijnë nga larg” (Jean-Christophe Rufin, Jozef), Fabiola Kadi me “Jakranda” (Gaël Faye, Papirus), Maklena Nika me “Nadja” (André Breton, Kandra), Saverina Pasho me “Dashuri qesharake” (Milan Kundera, Dituria) dhe Urim Nerguti me “Hyria” (Kamel Daoud, Buzuku).


Juria thekson se niveli i veprave konkurruese ka qenë i lartë dhe i larmishëm, si në përmbajtje ashtu edhe në stil. Fituesit e çmimeve do të shpallen gjatë ditëve të zhvillimit të Panairit, i cili pritet të sjellë takime me autorë, nënshkrime librash, promovime dhe diskutime për letërsinë bashkëkohore.


Nga data 12 deri më 17 nëntor, lexuesit dhe dashamirët e kulturës janë të ftuar të marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe në Pallatin e Kongreseve. Ju mirëpresim!



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

491 Lexime
15 orë më parë