LETRA E MËSUESES

Udhëtim të mbarë, maturantë 2021!

Ndarja është e vështirë pasi u shndërruam në një familje të madhe ku me përpjekjet e secilit synuam më të mirën për të gjithë. Por, duke uruar për suksese, rrugëtimi drejt majave të dijes vazhdon se një ditë do jeni arkitektët e së ardhmes së vendit.

Ishim bashkë në këto tre vite që kur nisët rrugëtimin tuaj si gjimnazistë.

Ishim bashkë me mendje e zemër, ndonëse jo fizikisht në periudhën e vështirë të pandemisë.

Ishim bashkë jo vetëm gjatë orarit mësimor por dhe pasi binte zilja e orës së fundit.

Ne do jemi gjithmonë këtu dhe kur të mendoni se jeni rritur mjaftueshëm për të mos u kujdesur askush për ju. 


Ne mbetemi bregu ku nisët lundrimin me varkën tuaj apo aeroporti ku nisët fluturimin drejt qiejve të ëndrrave duke pritur e përcjellë të sotmen dhe të ardhmen e vendit.


Do vazhdoni të ecni në udhën e dijes duke u rritur gradualisht në shkallët e saj e breza të tjerë do vijnë në bankat tuaja të mbushura me kujtime, mall e nostalgji që përcillen brez pas brezi. Me krahët që ju forcohen dita-ditës do përballoni dallgët e jetës duke mposhtur furtunat e stuhitë, duke larguar retë nga qielli i shpirtit për t’u ngrohur me rrezen e shpresës, besimit e guximit për jetën. 


Jeni të bindur tani më shumë se kurrë që udhët e jetës nuk janë të shtruara e të lulëzuara dhe stinët nuk janë vetëm pranverë e gjelbëruar. Jeni të bindur që qielli nuk është gjithmonë i kthjellët e diellit mund t’i pengohen rrezet nga retë. Jeni të bindur që shtrëngatat mund të shkatërrojnë mundin e djersën, netët mund të jenë të errëta dhe të zymta ditët. Por jeni gjithashtu të bindur që me përkushtim mund të përballoni me sukses negativitetin që sjellin momentet e ndryshme në jetë dhe të vazhdoni udhëtimin duke u ringritur pas çdo përulje, gjunjëzimi apo rrëzimi.


Ndarja është e vështirë pasi u shndërruam në një familje të madhe ku me përpjekjet e secilit synuam më të mirën për të gjithë. Por, duke uruar për suksese, rrugëtimi drejt majave të dijes vazhdon se një ditë do jeni arkitektët e së ardhmes së vendit.


Manushaqe Hoxha Laçi

Mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

12,942 Lexime
2 muaj më parë