Botimet Albas

Udhëzues metodik për dosjen "Hop Hop"

Paketa shoqërohet me udhëzuesin metodik (librat e mësuesit) dhe janë hartuar në bazë të programit të MAS-it dhe realizojnë objektivat e tij. Udhëzuesi ndihmon mësuesin dhe prindin dhe të punojnë me fëmijën. Aty zbërthehen objektivat e temave.

Dosja HOP-HOP është krijuar për t’i mësuar fëmijët duke u argëtuar. Ilustrimet e fletëve janë frymëzuar nga bota e fëmijëve të moshës 3-4 vjeçare: nga mjedisi në të cilin jetojnë, nga natyra, nga kafshët, si dhe nga përrallat e dashura e personazhet e filmave vizatimorë. Kjo atmosferë frymëzimi dhe fantazie më ka nxitur të ofroj një shumëllojshmëri metodash e teknikash, si: veprimtari, lojëra (gjuhësore, lëvizore, në dyshe, në skuadra), punë artistike, punë me fjalorin, konkurruese, lojë teatrore, mësime vjershash dhe përrallash, lexime, muzikë e kërcime, shfaqje videosh, projekte, eksperimente etj. Sasia e madhe e veprimtarive në një temë mësimore është konceptuar jo vetëm te zbërthimi i të gjitha koncepteve e objektivave kryesorë, por edhe te liria e të zgjidhurit të tyre që gjykoni se u përshtaten fëmijëve apo mundësive tuaja për t’u realizuar, si dhe që të mbulojnë të gjithë kohën e qëndrimit të fëmijës në kopsht.

Edukimi është zgjedhje, mundësi dhe liri

Këto metoda e teknika bashkëkohore të larmishme që janë përfshirë në këtë udhëzues metodik, janë konceptuar për të përcjellë:

  • Ndërthurjen e situatave metodike rreth koncepteve kryesore të temës;
  • Ndërthurjen ndërlëndore të pesë fushave të njohjes (gjuhësore, matematikore, shkencore, artistike dhe të edukimit social e mjedisor);
  • Ndërthurjen e pesë fushave kryesore të zhvillimit të përgjithshëm në fëmijërinë e hershme: zhvillimit njohës (konjitiv), zhvillimit të të shqiptuarit e të të folurit, zhvillimit social dhe emocional, zhvillimit të vogël dhe atij të madh motorik;
  • Ndërthurjen e nxënies me edukimin, procese këto të pandara dhe njësoj të rëndësishme.

Përveç tyre, për një efikasitet maksimal në mësimdhënie, pra, jo thjesht për të arritur objektivat e caktuar, por për t’u çliruar fëmijëve fantazinë, për t’u ngacmuar idetë dhe emocionet dhe ëpr t’i nxitur të ëndërrojnë, nevojitet ndërthurja që ju do t’i bëni zbatimit të këtyre modeleve të sugjeruara me përgatitjen dhe përvojën tuaj. Po ashtu, nevojitet edhe ndërthurja e profesionalizmit tuaj me pasionin.


Ndërtimi i shprehisë së punës, duke punuar me gjëra të thjeshta që ndodhen përreth dhe me dëshirë, i ndihmon ata të mësojnë me të gjitha shqisat, që është mënyra më e mirë për të nxitur aktivizimin e secilit fëmijë dhe shoqërizimin me njëri-tjetrin. Puna në dyshe dhe ajo me grupe është e dobishme edhe për sa i përket aspektit psiko-motor: i shkathtëson ata fizikisht, i bën pjesëmarrës (shmang ndrojtjen dhe ndjesinë e inferioritetit) dhe i nxit të shprehen e të njohin më mirë veten dhe të tjerët.


Puna me projekte (projektet javore), risia e këtij udhëzuesi, është e vazhdueshme (çdo të premte) dhe aktuale (veprimtari festive sipas kalendarit), si dhe shërben si një përmbledhje të njohurive të marra gjatë javës. Përveç projekteve javore, në fund të vitit fëmijët do të kenë realizuar së bashku me mësuesin/en një projekt madhor (projektin vjetor), të cilin do ta shfaqin përpara prindërve dhe të ftuarve të tjerë. Përgatitja për këtë projekt është e vazhdueshme, çka do të thotë se edhe puna për të është e tillë. Ne kemi sugjeruar projektin “Dosjelandi” dhe herë pas here kemi paraqitur pjesë të punës me projektin, por ju duhet ta zhvilloni dhe ta pasuroni projektin me ide të tjera, të cilat mund të marrin shkas nga bisedat me fëmijët gjatë punës.

(Portali Shkollor)

1,293 Lexime
1 vit më parë